Tatimpaguesit nuk dinë ku shpenzohet paraja publike

Ilustrim

Transparenca e institucioneve të Kosovës përballë publikut, lidhur me informacionet e rëndësishme, është mjaft e kufizuar dhe ato nuk publikohen, vlerësojnë përfaqësuesit e organizatave që përfaqësojnë shoqërinë civile në Kosovë, të cilat monitorojnë punën dhe transparencën e institucioneve në vend.

Avni Zogiani drejtori ekzekutiv i Organizatës për Demokraci dhe Anti-Korrupsion "Çohu", duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se mungesa e transparencës së plotë fillon që nga partitë politike, institucione këto që lidhin drejtpërdrejtë politikën me qytetarin, e më pas, kjo dukuri shpërndahet në secilin sektor.

Sipas tij, lloji i transparencës që ofrojnë institucionet e vendit ka lidhje kryesisht me aspekte jo shumë të rëndësishme të qeverisjes.

Zogiani vlerëson se shpenzimet prej qindra miliona eurosh, nuk tregohen për publik se si janë shpenzuar, ndërkohë që, siç thotë ai, botohen disa të dhëna për shpenzime shumë më të ulëta, shumë më të zakonshme se sa shpenzimet kapitale.

Ai thotë se, madje, edhe kur bëhen kërkesa nga qytetarët për qasje në dokumente zyrtare të lejuara, procedura zvarritet deri në pakuptim.

“Në princip, gjithkund është e rregulluar që gjithçka është e hapur për publikun, përveç asaj që parashihet me ligj për të mos qenë e hapur. Kurse, në Kosovë, në fakt, funksionon, si të thuash, si një piramidë me kokë poshtë. Gjithçka është e mbyllur, përveç asaj që ta lejojnë zyrat dhe zyrtarët. Informacionet që merren normalisht me kërkesa për qasje në dokumente zyrtare, do të duhej të ishin publike. Nuk do të duhej fare të kishte nevojë për kërkesa. Por, në anën tjetër, edhe kur bëhen kërkesat, informacionet më të rëndësishme mbahen, nuk jepen nga institucionet dhe nga zyrtarët publik”, thotë Zogiani.

Petrit Zogaj , drejtor ekzekutiv i Lëvizjes “Fol”, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucioneve publike, qoftë lokale qoftë qendrore, u mungon vullneti për t’u treguar transparent.

Nisur nga kjo, sipas tij, në momentet kur ka kërkesa për qasje në dokumente të caktuara, shpërfaqen problemet.

Lëvizja ‘Fol’ ka pasur dhe ka ende kërkesa nëpër institucione publike, për të cilat nuk janë marrë përgjigjet asnjëherë. Madje, kemi edhe raste gjyqësore, që po ashtu edhe gjyqësori t’i neglizhojë si lëndë. Kjo është vetëm për faktin që si lidership udhëheqës, nuk e ka mendësinë e një lidershipi që do të duhej të ishte në një sistem demokratik, në një shoqëri demokratike”, shprehet Zogaj.

Ai shton se drejtuesit e institucioneve, qoftë të nivelit lokal, qoftë të atij qendror, deri më tash nuk kanë treguar transparencë të duhur lidhur me realizimin e një numri të madh të projekteve.

Sipas tij, janë tri faza, për të cilat qytetarët do të duhej të ishin të informuar. Siç thotë ai, qytetarët asnjëherë nuk janë ftuar të diskutojnë për planifikimet buxhetore lidhur me projektet e caktuara, në nivelin qendror dhe lokal.

Po ashtu, sipas Zogajt, ka munguar vullneti nga qeveritë, lokale dhe qendrore, për transparencë lidhur me zbatimin e shpenzimeve të parasë publike për realizimin e projekteve dhe investimeve të caktuara.

Zogaj thotë se mungesë transparence ka edhe lidhur me pranimin teknik të projekteve të përfunduara.

“Pra, në këto tri nivele, ne mund të themi lirisht se institucionet publike, lokale dhe qendrore, kanë treguar hezitim të tejskajshëm, ne kuptimin e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje. Kjo nuk ka ndodhur edhe nëse është kërkuar nga një pjesë e shoqërisë civile, pra që të përfshihen edhe grupet e interesit. Kjo nuk ka ndikuar madje as nga kërkesat e mediave, që projektet e caktuara ose shpenzimi i parasë publike, të jetë sa më i qasshëm nga qytetarët, nga grupet e interesit, nga shoqëria civile”, shpjegon Zogaj.

Ndryshe, Avni Zogiani thekson se qytetarët e Kosovës nuk e dinë se ku dhe si adresohen paratë e tyre, të cilat i japin si tatimpagues. Kjo, sipas tij, ndodh sidomos lidhur me investimet kapitale të Qeverisë së vendit.

“Unë mendoj se qytetari i Kosovës nuk di se si i shpenzohen paratë. Për shembull, sot e kësaj dite, nuk ka kurrë farë transparence rreth shpenzimit më të madh që është bërë ndonjëherë në Kosovë, që është autostrada ‘Ibrahim Rugova’. Do të thotë, qytetarët nuk e dinë se si janë shpenzuar këto para, sepse ato nuk janë raportuar dhe nuk janë përfshirë në auditimet e auditorit gjeneral dhe praktikisht, nuk dihet si janë shpenzuar”, thekson Zogiani.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile potencojnë se mungesa e transparencës nga institucionet publike buron nga logjika qeverisëse, e cila është akomoduar brenda institucioneve të caktuara dhe nuk tregohet aspak e qasshme për publikun, qytetarët dhe mediat.