Ndërlidhjet

Institucionet e mbyllura për qasje në dokumente publike


Ilustrim
Ilustrim
Institucionet publike, por edhe partitë politike janë të mbyllura për qytetarët kur bëhet fjalë për qasjen në dokumentet publike.

Kështu vlerëson zyra e Avokatit të Popullit, por edhe shoqëria civile.

Avokati i popullit, Sami Kurteshi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë konsideron se legjislacioni i pa përparuar, por edhe disa çështje të tjera, janë pengesat kryesore në këtë rrafsh.

Nga hulumtimet që janë bërë, dëshmohet se institucionet publike janë kryesisht në të shumtën e rasteve të mbyllura ndaj kërkesave për qasje në dokumente publike. Kjo është ajo kryesorja, rezultati i fundit. Nuk është edhe çështja e marrim ndonjë përgjigje prej institucioneve publike, sepse shihet se ka një përmirësim të vogël sa u takon përgjigjeve, por përgjigjet kthehen negative”, tha Kurteshi.

Ai ka sqaruar se në zyrat e Avokatiti të Popullit për nëntë muaj kanë arritur 28 ankesa të ndryshme për atë që qytetarët apo organizatat e ndryshme nuk kanë marrë përgjigje nga institucionet për qasje në dokumentet publike.

Avokati Kurteshi thotë se qasja në dokumente u jep qytetarëve mundësinë që të jenë pjesëmarrës në jetën publike, si dhe bën që institucionet publike të jenë llogaridhënëse para tyre.

“Unë mendojë se kjo ka të bëjë me gjendjen e përgjithshme në vendin tonë edhe me legjislacionin, që megjithatë edhe ne e quajmë legjislacion i përparuar, e ende nuk është sa duhet. Nuk është bërë klasifikimi i dokumenteve, nuk është bërë regjistrimi, nuk janë nxjerrë ato dokumente sekondare që e rregullojnë zbatimin konkret të kësaj çështjeje”, tha avokati Kurteshi.

Nga ana tjetër, në një përgjigje përmes postës elektronike me shkrim nga zyra ligjore e kryeministrisë, thuhet se vështirësitë e qasjes në dokumentet publike në Republikën e Kosovës kryesisht konsistojnë “në atë që duhet të punohet më shumë në informimin e qytetarëve për të drejtën e tyre për qasje në dokumente publike. Njëkohësisht duhet punuar edhe me tepër në çrrënjosjen e traditës të mos-shpalosjes së informatave publike si rezultat i një qasjeje kufizuese ndaj transparencës”, thuhet mes tjerash në përgjigje e zyrës ligjore të kryeministrit Hashim Thaçi.

Kurse, nga hulumtimet që i ka bërë organizata “Fol”, thuhet se shumë nga institucionet publike nuk janë të hapura për qasje në dokumente zyrtare.

Drejtori ekzekutiv i “FOL”-it, Petrit Zogaj shpjegon se nga hulumtimet e bëra vërehet se në zyrat ligjore të institucioneve, stafi i cili ka të bëjë me këtë punë nuk është i trajnuar sa duhet dhe nuk e njeh sistemin ligjor për qasje në dokumentet publike.

“Unë nuk mendoj se duhet t’i lihet faji ndoshta edhe zyrtarit ligjor në këtë nivel, po është edhe fryma që udhëheqësi i institucionit e dërgon te stafi. Te pjesa e stafit ku pak a shumë mediat dhe shoqërinë civile e shohin si një lloj armiku, që potencialisht ne kemi shkuar atje me një tendencë që gjithqysh ta qesim keq institucionin”, theksoi Zogaj.

Nga ana tjetër, gazetarët thonë se përderisa qasja në dokumente publike është e vështirë në të gjitha institucionet publike, ajo shkon duke u vështirësuar në nivelin lokal, agjencionet e pavarura, ndërmarrjet publike dhe në ato të sistemit të drejtësisë.

Gazetari i Vehbi Kajtazi i cili punon në gazetën “Koha Ditore”, thotë se gazetarët dhe shoqëria civile kanë qasje në disa dokumente publike, vetëm në ato raste se ato nuk kanë të bëjnë me financa.

“Kur bëhet fjalë për financa të qeverisë, partive politike, atëherë kjo qasje bëhet e vështirë edhe mos të them krejt e pamundur. Kjo për shkakun se mënyra e financimit, po e zëmë të partive politike në shumë raste është e dyshimtë dhe ka bazë për hetim penal në financimin e partive politike”, ka deklaruar Kajtazi.

Ligji për Qasje në Dokumente Publike, garanton të drejtën e secilit person fizik dhe juridik, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje, pas kërkesës, në dokumentet e mbajtura, hartuara apo pranuara nga institucionet publike.

Ky ligj është miratuar më 7 tetor të vitit 2010.
XS
SM
MD
LG