48 fëmijë të prekur me kancer gjatë 2013-s

Ilustrim

Numri i fëmijëve të prekur me kancer është në rritje, thonë profesionistë shëndetësorë. Sipas tyre, në vitin 2008 kanë qenë të diagnostikuar 7 fëmijë të prekur me këtë sëmundje, derisa në vitin 2013 janë diagnostikuar 48 raste të reja.

Bardhyl Abrashi, pediatër në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare, e cila është ndërtuar komplet si donacion i shoqatës “Nëna Terezë”, dega në Gjermani, thotë se aty trajtohen gjitha format e kancerit te fëmijët.

“Gjysma e rasteve të zbuluara me kancer, janë leukemi akute. Kjo sëmundje kërkon kohë për trajtim deri në dy vjet. Sa i përket kushteve, reparti hemato-onkologji nuk është duke u mirëmbajtur aq sa duhet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, e as duke u furnizuar me medikamente të nevojshme”, bën të ditur Abrashi.

E, për t’i ndihmuar fëmijët, të cilët vuajnë nga leukemia akute, Ilir Gorani, udhëheqës i organizatës humanitare “Ndihmë fëmijëve me kancer”, e ka bërë të pamundurën që përmes donacioneve, të sigurojë barna të nevojshme.

“Gjendja e të prekurve me leukemi është e tillë që deri në 30 raste në vjet dalin në shesh. Mjekët në Austri kanë thënë që statistikat në Kosovë janë të përafërta si me vendet e zhvilluara. Ajo çka është arritur është se mjekët tanë po e trajtojnë sëmundjen. Kanë pasur probleme me medikamente. Por, një organizatë holandeze që nga prilli i vitit të kaluar, u ka blerë barna gjithë fëmijëve të sëmurë me leukemi, e që nuk kanë mundësi t’i blejnë vetë barnat”.

“Gjithashtu, është një projekt tjetër austriak. Mjekët vijnë nga Klinika e Gracit këtu për t’i trajnuar mjekët, por edhe mjekët tanë, teknikët e motrat medicinale dërgohen në Austri për trajnim, në mënyrë që të krijohet një protokoll i mirëfilltë i trajtimit të fëmijëve”, shpjegon Gorani.

Ndërkaq, Bardhyl Abrashi, thotë se rreth 80 për qind e barnave për sëmundjen e kancerit te fëmijët, vjen si donacion në Klinikën e Pediatrisë në QKUK-së.

“Furnizimi me barna po bëhet nga organizata të huaja. Tash një shoqatë holandeze po na furnizon me 80 për qind të barnave”, thotë Abrashi.

Ndryshe, drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se një e katërta e buxhetit të përgjithshëm për barna, ndahet për citostatikë.

“Mund të them se rreth ¼ e buxhetit të përgjithshëm të ndarë për farmaceutikën, për mbulimin e nevojave të barnave, materialin shpenzues dhe citostatikë, ka qenë e dedikuar vetëm për kategorinë e fundit, pra, për blerjen e citostatikëve, me të cilët trajtohen personat e prekur nga sëmundjet malinje. Diku rreth 4 deri 5 milionë euro në kuadër të buxhetit prej 21 milionë eurosh që ka qenë për sektorin farmaceutik, u është dedikuar vetëm këtyre sëmundjeve”, thekson Hoti.

Sipas Hotit, shumë raste janë trajtuar falas në shtete të ndryshme, me të cilat është bërë marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë dhe është hasur në mirëkuptim dhe që kanë pranuar që t’i trajtojnë pacientët e prekur nga kjo sëmundje.