Ndërlidhjet

Pa të dhëna për të prekurit me kancer



Pavarësisht rasteve të shpeshta të të sëmurëve nga kanceri, asnjë e dhënë zyrtare nga institucionet shëndetësore nuk tregon se sa është numri i kosovarëve të prekur nga kjo sëmundje. Kështu thotë Jusuf Dedushaj nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

“Ne kemi informata që kjo sëmundje, kanceri, është në rritje prej vitit 1999, madje në rritje shumë të lartë, mirëpo të dhënat nuk janë të sigurta, sepse këtë masë ligjore nuk e përfillin ekipet mjekësore”.

“Do të duhej që në Institutin Kombëtar të përpunohen të dhënat dhe të jepen instruksione se si duhet vepruar, si dhe të ndërmerren masa për diagnostikimin e hershëm dhe parandalimin e kancerit”,
thotë Dedushaj.

Edhe Behxhet Osmani, shef i Repartit të Onkologjisë, thotë se numri i të sëmurëve me kancer në Kosovë nuk dihet, sepse ende nuk është formuar ajo që njihet si “kancer- regjistër”, për të saktësuar numrin e të prekurve nga kanceri.

“Popullata te ne është e re; 50 për qind është e moshës 23-vjeçare. Atëherë, edhe numri me kancer është i vogël në krahasim me vendet tjera, ku popullata është më e moshuar. Format e kancerit zakonisht paraqiten rreth moshës 40-50 vjeçe”.

“Ne presim që me kancerin në mushkëri, pas 20 vjetësh, të ndryshojë incidenca, sepse ne e kemi të ulët. Por, meqenëse kancerin e mushkërive në 90 për qind të rasteve e shkakton duhani, atëherë pritet që pas disa vjetësh kjo incidencë të ndërrojë”,
pohon Osmani.

Sipas tij, Kosova bazohet me formula bazike në statistikat amerikane dhe në ato të Evropës perëndimore. Në Kosovë nuk ka shifra se sa nga të prekurit me kancer vdesin, por dihen format më të shpeshta të kësaj sëmundjeje.

Doktor Osmani thotë se meshkujt më së shumti preken nga kanceri në mushkëri, kurse femrat nga kanceri në gji.

Ndërkaq, sipas Ilir Zhurit, drejtor i Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare, kanceri në Kosovë është jashtëzakonisht në rritje, posaçërisht ai i mushkërive.

“Dhjetë vjet pas luftës nuk kemi shënime të sakta për kancer, mirëpo kanceri i mushkërive përfshin 35 deri 40 për qind të të sëmurëve nga kanceri”.

“Tendencat e kancerit në botë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kanë tendencë rritjeje, si ai i mushkërive dhe i gjirit, por ne në Kosovë nuk kemi të dhëna të sakta se si qëndron puna me numrin e të prekurve me kancer”,
thekson Zhuri.

As Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të prekurve nga kanceri.

Sami Uka, zyrtar në këtë organizatë, thotë se sikur për patologjitë tjera, edhe për kancer, nuk ka të dhëna statistikore në Kosovë.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk posedon të dhëna. Kjo vjen si mungesë e regjistrit dhe regjistrimit të popullsisë, si dhe të një sistemi të qëndrueshëm të informimit shëndetësor”.

“Ne jemi duke bërë përpjekje që gjatë vitit të ardhshëm të krijojmë regjistrin për kancerin në Kosovë, me ç’rast do ta kemi një pasqyrë më të saktë mbi këtë patologji, si dhe incidencën dhe prevalencën e këtyre patologjive në Kosovë
”, shpjegon Uka.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka dalë me disa të dhëna të veta në këtë drejtim, duke u bazuar në informacionet që vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik dhe krahasimet me vendet e rajonit.

Skënder Berisha, nga kjo ministri, shpjegon më shumë:

“Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet të dhënave që vijnë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, na jep incidencën që është nën mesataren e rajonit: prekshmëria dhe vdekshmëria është më e ulët se në rajon”.

“Nëse bëhen krahasime me Mal të Zi, Shqipëri e Maqedoni, incidenca është më e ulët se shtetet në rajon. Shoqata e onkologëve, klinika, spitalet etj. na japin një shifër, prej nga ne vijmë në përfundim që prevalenca është më e ulët se në vendet në rajon
”, thotë Berisha.

Mbledhja e statistikave është e obliguar me ligj, thonë autoritetet përkatëse, megjithëse e pranojnë se këtë nuk është duke e bërë askush.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG