Mitrovica e veriut “zvarrit” Asociacionin e Komunave Serbe

Pamje nga veriu, foto nga arkivi

Formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, do të varet fillimisht nga koha se kur do të sigurohet statuti i saj, ndërkohë që ndikimi i përsëritjes së zgjedhjeve për kryetar komune në Mitrovicën e veriut, në formimin e këtij Asociacioni apo Bashkësie, shihet nga pikëpamje të ndryshme nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Vladeta Kostiq, i cili ka drejtuar Iniciativën qytetare Serbe në zgjedhjet lokale të fundit në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se zgjedhjet për kryetar të Mitrovicës së veriut, të cilat pritet të përsëriten në pjesën e dytë të muajit shkurt, nuk mund ta pengojnë formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse para këtij afati kohor përcaktohet statuti i tij.

“Bashkësinë e komunave serbe, sipas marrëveshjes së Brukselit, e përbëjnë komunat me popullatë shumicë serbe. Aty nuk shkruan se a duhet të jenë 9 apo 10 ose ndonjë numër i caktuar i komunave. Shkruan vetëm ‘komunat’. Bashkësia e komunave serbe mund të formohet në atë moment që në Bruksel do të përcaktohet statuti i kësaj bashkësie”.

“Nëse deri atëherë përfundon procesi zgjedhor në Mitrovicën e veriut, mundet që edhe kjo komunë që eventualisht të hyjë në bashkësi. Fundja, bashkësia mund të formohet edhe pa Mitrovicën e veriut dhe më pas kjo komunë mundet edhe t’i bashkohet”, tha Kostiq.

Ndryshe e sheh situatën e krijuar Shpend Kursani, njohës i zhvillimeve politike në vend.

Sipas tij, refuzimi i postit të kryetarit të komunës së Mitrovicës së veriut nga Kërstimir Pantiq, do të ndikojë në dy mënyra në krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ky asociacion do të duhej të krijohej vetëm pas konstituimit të të gjitha komunave. Kështu që, duke marrë parasysh që Mitrovica e veriut, kjo komunë do të shkojë në zgjedhje tjera dhe do të vonohet konstituimi i kësaj komune, kjo i bie që do të vonohet edhe konstituimi i vet Asociacionit të komunave serbe, që do të marrë kohë ndoshta edhe më shumë se marsi dhe prilli”, theksoi Kursani.

Analisti Kursani ka shtuar se në një aspekt tjetër do të ndikojë edhe rezultati i zgjedhjeve të përsëritura për kryetar komune në Mitrovicën e veriut.

Sipas tij, do të varet shumë nëse do të fitojë përsëri “Lista serbe” apo ndonjë subjekt tjetër, i cili do të kishte qëndrim për integrimin e kësaj komune, siç theksoi ai, në mënyrë të vërtetë, në institucionet e Kosovës.

Por, Kostiq këmbëngul se gjithçka do të varet nga ajo që do të përcaktojë statuti për Asociacionin e komunave më shumicë serbe.

Nëse me statut parashihet që vendimet për bashkëngjitje në Bashkësinë e komunave serbe do të merren në kuvende komunale, atëherë kryetarët e komunave nuk do të luajnë asnjë rol në vendimin se a do të jetë ose ndonjë komunë anëtare e Bashkësisë së komunave serbe”, u shpreh Kostiq.

Lidhur me këtë që vlerëson Kostiq, analisti Kursani, shpreh mendim tjetër edhe pse, sipas tij, marrëveshja e Brukselit, nuk e parasheh këtë detal.

Duke marrë parasysh që në Asociacionin e komunave do të duhej që kryetari ta përfaqësoj komunën - dhe në mungesë të dispozitave ligjore, se në rast se nuk ka kryetar komune dhe një komunë është në procedurë zgjedhore – kush atëherë do ta përfaqësoj atë komunë?

“Pra, këto janë disa çështje që mendoj se do të ndikojnë në shtyrjen e krijimit të këtij Asociacioni, sepse edhe Serbia, mirëpo edhe Kosova, kanë në interes që të dinë se cili formacion do të jetë në krye të komunës, pasi që asambletë komunale kanë shumë ma pak kompetenca se sa kryetari i komunës”, tha Kursani.

Ndryshe, Kostiq ka theksuar se nuk është i rëndësishëm afati kohor se kur do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, por sipas tij, e rëndësishme është ajo se çfarë në Bruksel do të përcaktohet si statut i asociacionit.