Integrimi i Maqedonisë, Qeveria s’lëshon pe për emrin

Ilustrim

Partitë politike në pushtet, kanë vlerësime të ndryshme lidhur me njoftimet se Maqedonia nuk do të marrë datën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, në samitin e dhjetorit.

Kryeministri Nikolla Gruevski ka thënë se nuk është i befasuar nga një lajm i tillë, të cilin e publikoi agjencia shtetërore e lajmeve, MIA.

“Nuk është për t’u befasuar nga një gjë e tillë, duke e ditur qëndrimin e Greqisë, pozicionet e saj dhe përsëritjen e vazhdueshme se nuk do të lejojë që Maqedonia të marrë datën për fillimin e negociatave derisa nuk e ndryshon emrin. Është e qartë se po kërkohet që emri dhe identiteti të ndryshohen sipas kërkesave dhe dëshirave të saj”, ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski, duke mos dhënë asnjë sinjal nëse do të ketë ndonjë kompromis me palën greke për mbylljen e kontestit shumëvjeçar.

Madje, Gruevski në një rast tjetër, i pyetur se çfarë do të ndodhë pas Samitit të dhjetorit të BE-së, ai kishte ironizuar me çështjen e emrit, duke thënë se “edhe pas dhjetorit, dielli do të lindë”.

Por, derisa kryeministri dhe partia e tij qeverisëse, VMRO-DPMNE, mbajnë qëndrim të fortë sa i përket mosndryshimit të emrit, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e Qeverisë, thonë se gjendja e tashme e pandryshuar rrezikon stabilitetin e vendit.

Një gjë të tillë, sipas Artan Grubit, shef i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, tani e kanë deklaruar edhe zyrtarë të lartë evropianë.

“Vlerësimet e eurodeputetit Richard Howit, por edhe ato të mëhershmet të komisionarit Fyle se status quo e ka çmimin e vet dhe mosintegrimi i Maqedonisë në NATO dhe BE, mund të nxisë probleme ndëretnike në vend, janë në pajtueshmëri të plotë me qëndrimet e BDI-së, e cila konsideron se të gjithë shqiptarët, pa përjashtim, janë të predispozuar që të integrojnë Maqedoninë në strukturat euroatlantike dhe se çdo vonesë mund të shkaktojë pakënaqësi ndërmjet dy komuniteteve shumicë në këtë vend – shqiptarëve dhe maqedonasve”, thotë Grubi.

Ai thekson se alternativa e vetme për vendin, është integrimi në strukturat euroatlantike, andaj dy komunitetet më të mëdha duhet sa më parë të arrijnë konsensus rreth nevojës për arritjen e kompromisit me Greqinë.

E ardhmja e vetme e përbashkët për të gjithë qytetarët e Maqedonisë është në NATO dhe BE, në Evropën e Bashkuar. Prandaj, këto dy komunitete, nëpërmjet një konsensusi etnik, duhet të arrijnë pajtueshmërinë rreth nevojës për arritjen e një kompromisi me fqinjin jugor, Greqinë, në mënyrë që të shmangim pengesën e fundit, e cila qëndron midis nesh dhe NATO-s e Bashkimit Evropian”, shton Grubi.

Në Raportin e progresit në tetor, Maqedonisë për herë të gjashtë me radhë iu rikonfirmua statusi i shtetit kandidat, por, nisja e negociatave për anëtarësim bllokohet nga Greqia për shkak të moszgjidhjes së çështjes së emrit.

Kohëve të fundit ka pasur spekulime të ndryshme lidhur me opsionet për zgjidhjen e kontestit, përfshirë edhe emrin, Republika sllavo-shqiptare e Maqedonisë, si dhe ato të mëparshmet Republika e Maqedonisë Veriore dhe Republika e Epërme e Maqedonisë, por propozimi i parë është vlerësuar më tepër si provokim se sa propozim, ndërsa për dy propozimet tjera, palët kanë qëndrime të kundërta lidhur renditjen e fjalëve, Veriore dhe e Epërme.