Ndërlidhjet

Maqedonia, pos emrit, edhe kritere tjera për integrim


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Kriteret që nuk janë realizuar me vite të tëra është e pa logjikshme të pretendohet se do të përmbushen brenda dy muajve.

Kështu thonë njohësit e çështjeve politike lidhur me tri rekomandimet e një dite më parë, të raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howit, drejtuar institucioneve që deri në dhjetor të punojnë në zbatimin e kushteve në sferën e sundimit të së drejtës dhe forcimit të demokracisë, pastaj garantimin e lirisë së mediave dhe vendosjen e dialogut të mirëfilltë mes pushtetit dhe opozitës.

Njohësi i çështjeve politike, profesori universitar Mersel Bilalli, thotë se me rëndësi është fakti se raportuesi Hoëit, ua bëri të qartë autoriteteve të Maqedonisë së çështja e emrit nuk është pengesa e vetme në procesin e integrimit euroatlantik dhe se në këtë formë, do të vazhdojë komunikimi edhe në të ardhmen, që të mos kërkohet alibi vetëm te Greqia për bllokimin e procesit integrues.

“Mendoj se BE-ja përfundimisht do të komunikojë me Qeverinë e Maqedonisë pa dorëza, edhe pse deri tani e ka toleruar nën hijen e gjoja zgjidhjes së çështjes së emrit, e cila nuk ndodh, e që shkon duke u banalizuar. Kështu që kjo do të tregojë se në qoftë se në muajin dhjetor nuk do të fitojmë datën për bisedime nga këshilli i BE-së, atëherë nuk do të mund të akuzohet Greqia për veto, por Maqedonia që nuk i ka përmbushur kriteret e duhura“, vlerëson Bilalli.

Ndërkohë, ish-diplomati Denko Malevski, thotë se deklarata e raportuesit Hoëit është edhe një dëshmi se Brukseli nuk ka lënë anash detyrat tjera që duhet të përmbushë Maqedonia, pasi integrimi i saj euroatlantik, nuk varet vetëm nga çështja e emrit.

Ai thekson se autoritetet në më shumë raste kanë tentuar të fshehin obligimet tjera, ndërsa veçon marrëveshjen mes opozitës dhe opozitës, e cila edhe pse e nënshkruar në muajin mars, ende nuk është zbatuar.

“Ajo është një nga obligimet që doli nga marrëveshja mes faktorëve politikë në Maqedoni dhe përfaqësuesit të Bashkimit Evropian pas krizës së 24 dhjetorit të vitit të kaluar, ku ndodhi një goditje e rëndë për demokracinë në Maqedoni. Brukseli nuk e ka harruar këtë obligim që duhet të përmbushet nga partitë, andaj edhe është rikujtuar edhe njëherë nga përfaqësuesi ndërkombëtar”.

“Por, fatkeqësisht nuk pres që të këtë lëvizja nga pozicionet e partive në drejtim të përmbushjes së këtyre obligimeve“, thotë Denko Malevski duke shtuar se partitë politike në Maqedoni vazhdojnë që interesat e tyre personale dhe partiake t’i vendosin mbi ato të qytetarëve dhe të shtetit, në përgjithësi.

Nga ana tjetër, profesori Bilalli thekson nevojën e vendosjes së dialogut mes Qeverisë së Maqedonisë dhe medieve, sa i përket lirisë së shpehjes, edhe pse, sipas tij, pushteti aktual vështirë se do të heqë dorë nga vazhdimi i ndikimit mbi të gjitha mediat, gjë që u dëshmua me burgosjen e gazetarit Tomisllav Kezharovski.

“Unë mendoj se ky rast është vetëm një eksplodim, erupsion i gjithë asaj që është akumuluar vite me radhë. Pra, në fakt pushteti gjithë kohës ka manipuluar me mediat, me kontrollin e punës së tyre në çdo aspekt dhe dalja në sipërfaqe e Kezharovskit është vetëm se simbolikë e realitetit të shkeljes së të drejtave elementare, pra të njerëzve për informim të lirë”, thotë Bilalli.

Edhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Richard Howit, ditë më parë tha se rasti i burgosjes së Kezharovskit mund të ketë efekte negative të krijimit të frikës në mesin e punonjësve mediatik.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG