Ndërlidhjet

Maqedoni: Kryeministrit i kërkohet lirimi i gazetarit Kezharovski


Nga protesta e gazetarëve të mërkurën në Shkup
Nga protesta e gazetarëve të mërkurën në Shkup
Autoritetet shtetërore nuk kanë dhënë sqarim se kush ka dhënë urdhër që të pengohet protesta e së mërkurës e gazetarëve para muzeut të VMRO DPMNE-së.

Ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankullovska, është në udhëtim zyrtar në Kinë, derisa organet tjera të dikasterit të policisë nuk kanë dhënë asnjë informacion.

Në Kodin Penal, gjegjësisht nenin 155, qartë theksohet se ai që me dhunë, kërcënim serioz, mashtrim ose në ndonjë mënyrë tjetër pengon thirrjen ose zhvillimin e një proteste të qetë publike, do të dënohet me gjobë ose me burg deri 1 vit, derisa për personin zyrtar që keqpërdor detyrën dhe autorizimin zyrtar parashihet burg prej 3 muaj deri tre vjet.

Shoqata Gazetarëve të Maqedonisë të enjten nga kryeministri Nikolla Gruevski ka kërkuar anulimin e vendimit gjyqësor ndaj gazetarit Tomisllav Kezharovski, pasi më shumë se dy muaj nuk i është përgjigjur kërkesës së njëjtë ministri i Drejtësisë, Blerim Bexheti.

“Me letër kërkojmë nga kryeministri i Maqedonisë që çështjen e anulimit të procesit gjyqësorë ndaj gazetarit Tomisllav Kezharovski, ta vendosë në rend dite në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Maqedonisë, sepse ne vlerësojmë se lirimi i Kezharovskit është në interes të Maqedonisë”.

“E para, sepse vlerësjomë se gazetari Kezharovski është i pafajshëm, nuk ka bërë asgjë të keqe po ka zbuluar abuzimin e dëshmitarit të mbrojtur që është interes shumë i lartë publik, e dyta është se ky rast rrënon seriozisht imazhin e vendit në botë”, është shprehur kryetari SHGM-së, Naser Selmani.

Ai ka shfaqur shpresë se kryeministri Gruevski nuk do ta lëshojë këtë mundësi për të dëshmuar se u përgjigjet pozitivisht shqetësimeve të gazetarëve dhe partnerëve të SHGM-së në botë, që reaguan ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Maqedonisë, e cila i shqiptoi dënim me burg Kezharovskit prej katër vjet e gjysmë.

Ndërkaq, komunikologët praninë e theksuar të forcave policore në protestën e së mërkurës të gazetarëve, e cila ishte paralajmëruar si e qetë dhe paqësore, e shohin si demonstrim të forcës nga ana e Qeverisë me qëllim që të ndillet frikë te punonjësit mediatik.

“Duke ndjekur protestat e djeshme dhe njëherësh nëse analizohet struktura e gazetarëve, të cilët dje dolën në protesta, meqë ata vinin nga struktura të ndryshme ideologjike të mediave ku punojnë, ndalesat e këtilla për të protestuar, mund të kenë efekt koftra-poduktiv për pushtetin, ngase duke synuar t`i heshtin mediat, ata mund të nxisin edhe më shumë qytetarët për të dalë në protesta” , ka vlerësuar Sasho Klekovski komunikollog.

Edhe Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e njeriut, konsideron se tashmë faktori ndërkombëtar do ta ketë të vështirë që problemet në Maqedoni t`i shohë përmes gishtërinjve. Kurse, rasti i djeshëm paraqet kulmin e mosfunksionimit të shtetit si vend demokratik.

“Maqedonia tanimë ka hyrë në atë që thuhet ‘sjellje jo demokratike dhe mossundimi i së drejtës’, dhe më duhet të theksoj se në mënyrën e veprimit të kësaj Qeverie, zgjidhjet ligjore të aprovuara nuk mund t`i shoh as elementet themelore nga standardet e përcaktuara si detyrime nga Këshilli Evropian, e mos të flasim për standardet që vlejnë në vendet anëtare të BE-së”, është shprehur Najçevska.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës maqedonase, të cilët në Parlament janë paraqitur me bluza të zeza me mbishkrimin “Liri për Kezhon”, kanë kërkuar të mblidhet Komisioni Anketues për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, për të debatuar rreth pengimit të protestës së të mërkurës të gazetarëve dhe veprimeve të policisë.

Kësaj kërkese, kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, i është përgjigjur se është opozita ajo që drejton Komisionin e Përhershëm Anketues, dhe se nuk është ai që mund t’ia obligojë kryesuesit të saj të caktojë mbledhjen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG