KQZ: Materiali zgjedhor nga i gjithë veriu ka arritur

Mitrovicë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar në orët e mbrëmjes të ditës së hënë rezultatet preliminare të zgjedhjeve për kryetarë komunash dhe kuvende komunale.

Sipas tyre, në shumicën e komunave, më 1 dhjetor pritet të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunalë.

Rezultatet e publikuara nga KQZ-ja nuk përfshijnë zgjedhjet e mbajtura në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka pohuar se "materiali zgjedhor për tërë pjesën veriore ka ardhur në Prishtinë dhe posa të procedohet sipas procedurave të parapara, do të dihet gjendja e këtij materiali, nëse është i dëmtuar, sa është i dëmtuar dhe në cilat komuna".

Ajo nuk ka pranuar të komentojë deklarimet e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, zyrtarët e së cilës kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se materiali zgjedhor nga tri qendrat e votimit në veri të Mitrovicës nuk ka qenë në posedim të OSBE-së dhe rrjedhimisht nuk i është dorëzuar KQZ-së.

“Unë e di që në Prishtinë kanë arritur të gjitha materialet zgjedhore dhe atë nga vetë OSBE-ja, nga katër komunat veriore, dhe janë në depo dhe presin që të procedohen. Se çka do të dalë pastaj, varet nga ajo se çka do të shohim nga ai material”, ka thënë Daka.

Ajo nuk ka fajësuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunimin Evropian për gjendjen e krijuar në qendrat e votimit në veri të Mitrovicës, të cilat janë sulmuar ditën e votimeve nga, siç është thënë, grupe të maskuara, por, sipas saj, në atë situatë kanë dështuar institucionet, të cilat janë të thirrura të mbrojnë rendin dhe sigurinë në atë pjesë të vendit.

“Natyrisht se KQZ-ja nuk mund të japë informata rreth sigurisë dhe asaj se çka ka ndodhur, meqenëse nuk ka qenë prezente. Këtë mund ta japin ata që kanë qenë aty, pra misioni i OSBE-së dhe natyrisht institucionet, të cilat janë të thirrura për të mbrojtur rendin dhe sigurinë”, ka thënë Daka.

Anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor ende nuk e ka para vetes gjendjen faktike se çka ka ndodhur në veri të Mitrovicës pas incidenteve. Ai ka thënë se pas sqarimit të asaj gjendjeje, KQZ-ja do të jetë në mesin e tri zgjedhjeve.

“E para, nëse materiali zgjedhor nga Mitrovica e veriut mund të pranohet dhe mund të shpallen rezultate nga ky proces i zgjedhjeve në Mitrovicën veriore; nëse do të duhet që të organizohet rivotim i pjesshëm vetëm në ato qendra ku është dëmtuar materiali dhe, e treta, nëse duhet të organizohet një rivotim në terë komunën e veriut të Mitrovicës”, ka thënë Dushi.

Sido që të jetë, shumica e komunave më të mëdha të Kosovës pritet t'i nënshtrohen garës së balotazhit në zgjedhjet për kryetarët e rinj.

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë nxjerrë si përfundim vazhdimin e garës për kryetar në komunat si: Prishtina, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Peja, Gjilani, Malisheva, Suhareka, Rahoveci e komuna tjera.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ditën e zgjedhjeve e ka vlerësuar si të suksesshme në gjithë vendin, në përjashtim të veriut të Mitrovicës.

“Qytetarët kanë kryer obligimin e vet. Ka pasur një dalje më të madhe sesa është pritur. Mund të themi gati rekorde, sepse kanë dalë diku 820 mijë qytetarë të Kosovës, pa i numëruar ata të cilët kanë votuar edhe jashtë Kosovës”, ka deklaruar Daka.