Kosova voton

Ilustrim

Pas fushatës 30 ditore dhe një dite heshtjeje, sot nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 19:00 të mbrëmjes, qytetarët e Kosovës do të hedhin votat e tyre për kandidatët e 103 subjekteve politike për kryetar të komunave dhe asamblistët komunalë.

Sipas të dhënave zyrtare të prezantuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në garën për t’u zgjedhur kryetar në 38 komuna të Kosovës, janë 224 kandidatë, kurse për asamblistë komunalë garojnë 7,704 kandidatë.

Lista përfundimtare e votuesve 2013 përmban 1, 779 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetetetë komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

Numri i qendrave të votimit është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2, 366, me një rritje prej 86 vendvotimesh nga zgjedhjet e kaluara.

Gjithashtu lista e votuesve jashtë Kosovës 2013, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8, 383.

Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, janë 6, 743 votues më shumë, që janë regjistruar për të votuar përmes postës.

Kjo listë e votuesve është bazuar në Ekstraktin e Regjistrit Civil. Ky ekstrakt është përpiluar nga Agjencia e Regjistrimit Civil, gjegjësisht Departamenti i Prodhimit të Dokumenteve në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Problemi me këtë ekstrakt dhe listë votuesish është se aty figurojnë edhe emrat e personave të vdekur, apo edhe atyre në migracion, për të cilët ka disa rregulla tjera për votim.


Interesim edhe ndërkombëtar për zgjedhjet e 3 nëntorit

Zgjedhjet lokale 2013 në Kosovë, po përcillen me interesim jo vetëm nga opinioni i brendshëm, por edhe ai ndërkombëtar.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, komisionari për Zgjerim, Stefan Fule, si edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy An Jacobson, kanë bërë thirrje për zgjedhje fer, të lira, demokratike e gjithëpërfshirëse.

Një dimension shtesë për interesimin ndërkombëtar për këto zgjedhje është organizimi i tyre në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.

Organizimi i zgjedhjeve në veri të Kosovës, po bëhet në bashkëpunim me OSBE-në dhe paraqet herën e parë që komunat e atjeshme përfshihen në një proces të organizuar sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.

Krahas interesimit politik, këto zgjedhje do të jenë të monitoruara nga një numri i madh vëzhguesish vendas e ndërkombëtarë.

Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” paraqet koalicionin më të madh që do të monitorojë zgjedhjet me mbi 1.600 monitorues në terren.

Kurse, nga faktorët e jashtëm në Kosovë ka tashmë rreth 100 vëzhgues nga BE-ja, po ashtu edhe Parlamenti Evropian ka dërguar ekipe vëzhguese, si dhe 34 janë nga organizata “ENEMO”.

Në përgjithësi, sipas të dhënave zyrtare në gjithë Kosovën janë akredituar 28 mijë e 720 vëzhgues. Aty hyjnë vëzhgues të partive politike, nismave qytetare, ambasadave, organizatave ndërkombëtare si edhe organizatave jo qeveritare vendore dhe një institucioni ndërkombëtarë.

Që zgjedhjet të kalojnë mirë edhe për kah aspekti i sigurisë, Policia e Kosovës ka premtuar angazhim maksimal, kurse në veri do të ndihmohet edhe nga Policia e EULEX-it.

Në fund të ditës, interesimi i të gjithëve mbase do të jetë rezultati i zgjedhjeve.

Ndërsa, KQZ-ja nuk ka parashikuar ndonjë afat kohor kur mund të dalë me ndonjë rezultat preliminar “Demokracia në Veprim” ka komunikuar tashmë se sa më parë që të mundet pas mbylljes së vendvotimeve, do të publikojë rezultatet paraprake për kryetar në tetë komuna: Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë dhe Leposaviq.