Ndërlidhjet

Thirrje për zgjedhje fer


Ilustrim
Ilustrim
Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve lokale të cila pritet të mbahen me tre nëntor, ambasadorja amerikane në Prishtinë Tracey Ann Jacobson ka bërë thirrje që zgjedhjet të jenë të qeta dhe të drejta.

Për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve fer duhet të angazhohen të gjithë, si institucionet, shoqëria civile dhe vët qytetarët, deklaroi Jacobson.

Mendoj se roli i shoqërisë civile, i votuesve dhe mediave në këto zgjedhje që shumë shpejt do t’i kemi, është po aq i rëndësishëm sa edhe roli i institucioneve qeveritare për të siguruar mbarëvajtje të duhur të zgjedhjeve”, tha Jacobson deri sa ka folur në një debat me temën “Kërko Drejtësi”, të kampanjës drejtësia dhe qytetarët, organizuar nga disa organizata joqeveritare.

Ambasadorja amerikane tha se ka pasur takime me zyrtarët e institucioneve të rendit dhe ligjit, nga të cilët, siç u shpreh ajo, ka marrë premtime se ndaj keqpërdoruesve të votave nuk do të ketë tolerim.

Duke marrë parasysh se jemi afër zgjedhjeve dua t'ju rikujtoj se e drejta për zgjedhje të lira dhe fer gjithashtu është pjesë e drejtësisë. Kam pasur rastin që të flas me ministrin e Punëve të Brendshme, me kryeprokurorin e shtetit, rreth përpjekjeve të tyre për të hetuar dhe për t'i ndjekur të gjitha rastet e mashtrimit gjatë zgjedhjeve”, është shprehur Jakobson.

Ndryshe, prokurorët e shtetit, lidhur me zgjedhjet lokale të tre nëntorit kanë në punë 14 raste, të cilat kanë të bëjnë me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Rastet e iniciuara kanë të bëjnë me kanosjen, cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve, si dhe dhënien apo marrjen e ryshfetit në lidhje me votimet.

Të gjitha këto lëndë janë në fazën hetimore, ka njoftuar përmes një komunikate zyra për media e kryeprokurorit të shtetit.

Në komunikate thuhet se ndaj 2 personave janë shqiptuar masa të arrestit shtëpiak, ndaj një personi është shqiptuar masa e paraburgimit dhe ndaj një personi është shqiptuar masa e ndalimit policor.

Prokuroria i Shtetit është informuar nga Policia e Kosovës, se deri më sot, në Policinë e Kosovës janë regjistruar 30 incidente të paraqitura me pretendime se janë kryer në lidhje me zgjedhjet e 3 nëntorit.

Nga ana tjetër, i pranishëm në debatin e organizuar të kampanjës “Drejtësia dhe Qytetaret”, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka theksuar nevojën për zbatim dhe respektim të ligjeve.

Nga kjo që e shkruajmë në Kushtetutë dhe në ligje deri te realizimi i saj kanë një distancë të madhe, por megjithatë e mira është që në letër kemi vendosur standardet se si do të duhej të ishte sistemi i drejtësisë, se si do të duhej të zbatohej drejtësia. Zbatimi çdo kund është më i vështirë , në shoqëritë në tranzision zbatimi është pak më i vështirë dhe sigurisht kërkon kohë” u shpreh Krasniqi.

Kurse, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Arsim Bajrami, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, tha se thirrjet politike për sundim të ligjit për shtetin e se drejtës nga një herë mbesin vetëm thirrje demagogjike, pasi që sipas tij shihen praktikat e përgjithshme të shkeljes se të drejtave dhe lirive të njeriut.

Bajrami i cili është edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion tha se “shoqëria jonë nuk është e emancipuar sa duhet sa i përket lirive dhe të drejtave të njeriut dhe tregon që jo rrallë kemi praktika të shkeljes dhe lirive dhe të drejtave të njeriut”, ka deklaruar Bajrami.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG