(Mos)Suksesi i zgjedhjeve ndikon në integrimet evropiane

Foto nga arkivi

Suksesi ose mossuksesi i zgjedhjeve lokale, të cilat pritet të mbahen më 3 nëntor në Kosovë, do të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe në procesin e marrjes së liberalizimit të vizave nga Kosova, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Analisti i çështjeve politike, Shpend Kursani, vlerëson se pavarësisht që përvojat nga vendet tjera të rajonit tregojnë se suksesi ose mossuksesi i zgjedhjeve, nuk ka qenë faktor që ka ndikuar në negociatat për MSA në, megjithatë kur flitet për Kosovën, një gjë e tillë është krejtësisht e mundshme.

“Çkado që ndodh në këto zgjedhje, nuk do të duhej të ndikonte në negociatat për MSA-në. Mirëpo, duke marrë parasysh se si Bashkimi Evropian është sjellë më herët kundrejt Kosovës, do të thotë, Bashkimi Evropian mund të vërë diçka të re, si një kusht i ri, që gjoja se zgjedhjet do të mund të kenë ose jo ndonjë efekt negativ në MSA. Por, deri më tani, në qoftë se i krahasojmë me shtetet tjera, zgjedhjet nuk do të duhej të kishin aq ndikim të madh”, thotë Kursani.

Por, analisti tjetër i çështjeve politike, Halil Matoshi, vlerëson se të gjithë faktorët ndërkombëtarë në Kosovë kanë tërhequr vërejtjen se keqpërdorimi eventual i votës së lirë në zgjedhjet e 3 nëntorit, do të jetë fatal për Kosovën.
Kjo, sipas tij, do të ndërlidhej edhe me proceset integruese të Kosovës në BE.

“Është shumë e qartë se Bashkimi Evropian dhe të gjithë mekanizmat mbikëqyrës të sukseseve në Kosovë, sidomos sa i përket përshpejtimit të afatit dhe procesit të MSA-së, do të lidhen drejtpërdrejt kësaj here me zgjedhjet e lira, ‘fer’ dhe sidomos me ruajtjen e votës dhe drejtimin e saj për atje ku është adresuar”, shprehet Matoshi.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se suksesi ose mossuksesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit do të ndërlidhet për më tepër me çështjen e liberalizimit të vizave, të cilën gjë Kosova e synon në vazhdimësi.

Analisti Kursani thotë se, pavarësisht se në listën e kritereve për liberalizim të vizave nuk përmenden zgjedhjet në formë të drejtpërdrejtë, megjithatë suksesi ose mossuksesi i tyre do të jetë faktor ndikues në këtë proces.

“Çdo parregullsi në zgjedhje do të ndikonte në zgjedhjen e një pushteti, i cili nuk është legjitim për t’i plotësuar ato kritere. Kështu që, meqenëse kriteret për liberalizim të vizave kanë të bëjnë më shumë edhe për krim të organizuar dhe llojet e ndryshme krimeve, përpos pjesëve teknike që i kanë, atëherë edhe ndonjë vjedhje eventuale gjatë zgjedhjeve apo ndonjë parregullsi, meqenëse është krim, domosdo do të duhej të ndikonte në rrugëtimin e Kosovës për marrjen e liberalizimit të vizave”, thekson Kursani.

Analisti Matoshi shpreh mendimin se tashmë edhe liderët politikë të vendit e kanë kuptuar domosdoshmërinë që zgjedhjet të jenë të suksesshme, sepse në të kundërtën, sipas tij, pasojat do të ishin të pashmangshme sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Duket se edhe liderët politikë kosovarë e kanë kuptuar më në fund se këto zgjedhje do të jenë dominante ose kyçe në procesin integrues të Kosovës, sidomos për sa i përket liberalizimit të vizave. Një vend, i cili vjedh votën, ai nuk do të ketë kurrfarë perspektive për t’u integruar në Bashkimin Evropian”, vlerëson Matoshi.

Ndryshe, lëndimi i rëndë eventual i procesit zgjedhor, sipas njohësve të zhvillimeve politike në vend, do të ishte fatal për Kosovën. Sipas tyre, liderët politikë duhet të jenë të vetëdijshëm për pasojat që mund t’i ketë vendi në rast se një gjë e tillë ndodh, prandaj ata edhe me këtë rast, sipas tyre, do të jenë në testim lidhur me atë se i mbrojnë ose jo interesat e vendit dhe përparimin e tij drejt Bashkimit Evropian.