Maqedoni: Politizimi i gjyqësorit, pasoja për integrimin

Ilustrim

Gjykimi i gazetarit Tomisllav Kezharovski, me 4.5 vjet burg për zbulimin e identitetit të një dëshmitari të mbrojtur, e që më pas kishte rezultuar i rrejshëm, është edhe një dëshmi se gjyqësori në Maqedoni vazhdon të jetë i ndikuar nga politika.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike, duke komentuar procesin kundërthënës të një vrasjeje që kishte ndodhur në vitin 2008, e cila ishte hetuar nga gazetari tashmë i gjykuar me burg.

“Rasti i fundit me burgosjen e Kezharovskit vërteton se gjyqësia në Maqedoni faktikisht kontrollohet nga strukturat qeveritare. Ky është kulmi! I gjithë ky proces i monopolizimit dhe i kontrollimit të mediave ka filluar para 2-3 vjetësh me mbylljen e televizionit ‘A1’ Ky është vetëm një rast se si qeveria sillet në mënyrë shumë të vrazhdë ndaj atyre që mendojnë dhe gjykojnë ndryshe për politikën qeveritare”, thotë eksperti juirdik, Mersim Pollozhani.

Ndërkohë, akademiku Vllado Kambovski, ish-inistër i Drejtësisë, tani drejtues i Aademisë së Skencave dhe Ateve, thotë për mediat se procesi në të cilin është gjykuar Kezharovski, është i përcjellë e shumë paqartësi për opinionin dhe sikur lënda të dërgohej për shqyrtim në Gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg, sipas tij, me siguri se vendimi i gjykatës së Shkupit do të shfuqizohej.

Kambovski thotë se gjyqësori në Maqedoni ndodhet para sfidave të mëdha, që do të kenë pasoja edhe ndaj procesit euro-integrues.

“Jorastësisht ky kapitull për gjyqësinë dhe reformat në gjyqësi,si dhe për procese gjyqësore të pavarura, ka rëndësi të jashtëzakonshme në aspekt të përshpejtimit të procesit euro-integrues, andaj duhet të kihet kujdes ndaj çdo procesi që të mos lihet asnjë dyshim se institucionet shkelin mbi pavarësinë dhe efikasitetin e punës së pushtetit gjyqësor".

"Gjyqësori në asnjë moment nuk duhet të reagojë ndaj vërejtjeve të arsyeshme të opinionit apo të njohësve të problematikës. Një vendim kaq i lartë për zbulimin e identitetit të dëshmitarit, nuk është shqiptuar as nga Tribunali i Hagës për krimet e luftës, ndërsa rasti për të cilin është gjykuar gazetari, ende nuk ka një epilog konkret”,
thotë Kambovski.

Në këtë drejtim shprehet edhe Mersim Pollozhani, sipas të cilit, praktika e deritashme njeh vetëm një rast të dënimit të një gazetari për zbulimin e identitetit të dëshmitarit, por edhe pse i njëjti kishte zbuluar dhjetëra dëshmitarë, ai ishte dënuar jo më shumë se katër muaj burg.

“Ky është një rast flagrant i arbitraritetit të gjyqësisë ku i akuzuari dënohet më lehtë ose lirohet, kurse gazetari dënohet. Kjo e shpie mbrapa Maqedoninë. Ne kthehemi në vitet ‘90, por edhe atëherë gazetari ishte shumë më i lirë për të vepruar se sa tani. Këto sjellje të qeverisë dëmtojnë dhe vonojnë procesin euro-integrues të vendit”, vlerëson Pollozhani.

Nga ana tjetër, sociologu Ilija Acevski, thotë se rasti me gazetarin Kezharovski përcjell edhe një mesazh tjetër kërcënues të pushtetit, se në të ardhmen, duhet pasur kujdes së çfarë shkruajnë e çfarë flasim.

“Flas në emrin e një njeriu të zakontë. Të gjithë ne tani duhet të kemi kujdes se çfarë do të flasim, çfarë do të shkruajmë. Kjo është çështja, pra, tani na paraqitet edhe një problem që do të na rëndojë edhe në aspektin psikologjik”, konsideron Acevski.

Shumë institucione ndërkombëtare kanë reaguar lidhur me rastin e gazetarit Kezharovski duke e quajtur dënimin e gjykatës të paprecedent dhe kërcënues për të gjithë gazetarët e tjerë.

Në reagime gjithashtu theksohet se pushteti gjyqësor në Maqedoni duhet të pavarësohet nga politika ditore, e cila vazhdon të ketë ndikim në rastet që kanë të bëjnë me kritikat që i adresohen pushtetit.