Buxheti 2014: Nuk parashihet rritje e asistencës sociale

Ilustrim

Buxheti i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për vitin 2014 pritet të jetë i njëjtë me atë të këtij viti. Mosrritja e buxhetit për këtë ministri, pamundëson edhe ngritjen e asistencës sociale për familjet, të cilat marrin këtë ndihmë, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj ministrie.

Megjithatë, një mundësi për rritje të asistencës sociale, sipas Muhamet Gjocajt, drejtor i Departamentit të Mirëqenies Sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, mund të bëhet nëse arrihen të bëhen kursime brenda buxhetit që e ka Ministria.

Buxheti i Ministrisë për vitin 2013 ka qenë 222 milionë e 593.72 euro.

“Nuk mund të thuhet as po e as jo, pasi që buxhetin e kemi të njëjtë me atë të vitit 2013. Ministria e Financave na ka lënë atë që, nëse ne mund të bëjmë kursime nga ky buxhet, atëherë mund t’i bëni rritjet. Ne kemi premtuar disa ndryshime me plotësim-ndryshimin e ligjit të skemës së ndihmës sociale dhe nëse arrijmë t’i plotësojmë ato obligime atëherë mund të konsiderohet të ketë rritje”, thotë Gjocaj.

Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë 29 mijë familje me rreth 150 mijë anëtarë, të cilët janë të varur nga asistenca sociale.

Shuma e mjeteve që këto familje marrin nga Qeveria e Kosovës, është prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Kosova ka të krijuar një bazë të politikave sociale, që përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe kontribut-dhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuara dhe pensionet e Trepçës.

Feride Hyseni, sekretare e përgjithshme në Kryqin e Kuq të Kosovës, thotë se numri i familjeve që kanë nevojë për ndihma sociale, është mjaft shqetësues dhe në rritje.

Ajo tregon se numri i familjeve që mbështeten nga Kryqi i Kuq, është rreth 18 mijë familje.

“Përafërsisht ne kemi 18 mijë e 500 familje nevojtare, me siguri ka edhe më tepër. Ne bazohemi vetëm në identifikimin vetanak, përmes vullnetarëve familjet në fshat dhe qytet. Është numër shumë i madh dhe po shtohet dita -ditës”, bën të ditur Hyseni.

Ajo tregon se familjet, të cilat marrin asistencë sociale nga shteti i Kosovës, jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe sociale, dhe mjetet që ata i marrin, janë të pamjaftueshme.

“Edhe ata që kanë përkrahje nga ministria, vlerë që është diku rreth 60 euro në muaj, nuk mjafton as për gjërat elementare”, shton Hyseni.

Të dhënat e fundit të Bankës Botërore kanë ngritur shqetësime të mëdha në Kosovë lidhur me varfërinë.

Varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qind, derisa varfëria e moderuar, e cila nënkupton jetesën me 5 dollarë në ditë, ka arritur në rreth 50 për qind.