Hepatiti B, sëmundje sfiduese

Ilustrim

Edhe pse lista esenciale me barna në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që nga paslufta asnjëherë nuk është përmbushur në tërësi, nevoja për barna nga ana e pacientëve po vazhdon të jetë e theksuar.

Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë e ka parë të nevojshme të fusë edhe një lloj ilaçi në këtë listë, të quajtur Tenofovir, e që shërben për trajtimin e personave që kanë hepatit - B.

Ndryshe, virusi i hepatitit - B, është një sëmundje mjaft e shprehur në Kosovë.

Zyrtarë shëndetësorë në Klinikën infektive thonë se kjo sëmundje paraqet një problematikë jo vetëm në Kosovë, si vend në zhvillim, por edhe në vendet evropiane ku shëndetësia është shumë më e avancuar.

Sali Ahmeti, infektolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se rastet e pacientëve me hepatit-B janë shumë të shpeshta dhe karakteristike është se zakonisht pacientët paraqiten te mjeku atëherë kur sëmundja ka avancuar.

“Hepatiti - B është një sëmundje mjaft e shpeshtë dhe mendoj se kjo sëmundje është një problematikë edhe në vendet me zhvillim të lartë shëndetësorë, pasi që natyra e përhapjes së këtij virusi, kushtëzohet nga shumë faktorë”.

“Rastet me hepatit - B janë shumë të shpeshta në Kosovë dhe në praktikën e përditshme kemi raste që kanë nevojë për hospitalizim dhe trajtim më intensiv, por ka edhe raste ambulantore që i mbajmë në trajtim. E veçanta është se të prekur ka edhe në moshat e reja, derisa të shumtën e rasteve te mjeku paraqiten pacientët me sëmundje të avancuar në faza nga virusi i hepatit – B”, bën të ditur Ahmeti.

E, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se është parë si e nevojshme të futet në listë esenciale edhe një lloj i ilaçit, me të cilin trajtohen pacientët me hepatit - B.

Kjo për shkak se lloji i ilaçit Tenofovir, kushton shumë shtrenjtë dhe shumë pacientë nuk kanë mundësi ta blejnë atë. Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë jep hollësi të tjera:

“Edhe në të kaluarën terapia për hepatitin - B ka qenë e përfshirë në listën esenciale. Por, me qëllim që të rritet niveli i shërbimeve dhe gjithëpërfshirja në terapi, Ministria e Shëndetësisë ka futur edhe një lloj ilaçi në listë, Tenofovirin, i cili është shumë i kushtueshëm. Me këtë është menduar që t’u lehtësohet trajtimi atyre pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj ilaçi”, thotë Hoti.

Ndërkaq, infektologu Sali Ahmeti pohon se për trajtimin e sëmundjes, përpos mjekut infektolog, vendime për trajtim marrin edhe komisionet profesionale mjekësore brenda klinikës.

“Sa i përket barnave, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ne kemi arritur të ofrojmë protokolle trajtimi bashkëkohore për këtë sëmundje, pasi që ne japim terapi specifike antivirale, barna në formë tabletash që është formë specifike e kësaj sëmundje".

"Ne kemi tre vjet që kemi pasur në trajtim rreth 50 të sëmurë me këtë sëmundje dhe janë trajtuar me Interferon alfa , respektivisht me Preparation pegasis, i përshtatshëm për trajtimin e këtyre të sëmurëve, derisa kohëve të fundit kemi marrë edhe Tenofovirin”,
shpjegon Ahmeti.