EULEX: Kelmendi mbetet në paraburgim deri më 7 janar

Naser Kelmendi

Tash e pesë muaj mbetet në paraburgim, dhe pret që t’i ngrihet aktakuza.

Naser Kelmendi, një afarist me origjinë nga Peja, por me nënshtetësi të Bosnjës e Hercegovinës, priti të mësojë të hënën nga Gjykata Themelore në Prishtinë se do t’i ndërpritet paraburgimi.

Mirëpo, gjyqësori i ka vazhduar paraburgimin edhe për 90 ditë të tjera, sipas një zëdhënëse të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Një gjykatës i procedurës paraprake i EULEX-it, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ka urdhëruar 3 muaj paraburgim, gjegjësisht vazhdim të paraburgimit për Naser Kelmendin deri më 7 janar 2014”, tha për Radion Evropa e Lirë, Blerim Krasniqi.

Kelmendi është arrestuar më 5 maj në Prishtinë, në afërsi të banesës ku jeton edhe ministri i brendshëm Bajram Rexhepi.

Aty besohet se jetoi për një kohë, derisa u zu nga forcat e rendit.

Policia e Kosovës e kishte prangosur, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Interpoli, pasi Kelmendi llogaritet si i arratisur nga drejtësia e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Atë e kërkojnë edhe për trafikim ndërkombëtar me Amerikën Jugore, Turqinë, Kroacinë, Serbinë, siç shpjegohet në një komunikatë të EULEX-it.

Por pasi kaloi 48 orë në paraburgim, Kelmendi lirohet për t'u arrestuar menjëherë nga policia e misionit evropian në Kosovë më 7 maj.

Një prokuror ndërkombëtar dyshon se Naser Kelmendi është i përfshirë në krim të organizuar “përveç tjerash”.

Misioni Evropian ka sqaruar se Kelmendi po akuzohet për të njëjta veprat që e ngarkojnë autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Besnik Berisha, që mbron interesat e Naser Kelmendit në këtë proces gjyqësor, thotë për Radion Evropa e Lirë, se vendimi për vazhdimin e paraburgimit të klientit të tij ende nuk është marrë, ose të paktën ai nuk është informuar për këtë gjë.

“Është ajo kërkesa 90 ditëshe. Nëse është ashtu e kanë aprovuar atë 90 ditësh, s’ka më shumë”, tha ai.

Këtë gjë e konfirmon edhe Blerim Krasniqi nga EULEX-i.

Kërkesa e një prokurori të EULEX-it ka qenë që të vazhdohet paraburgimi edhe për 3 muaj, gjë të cilën e ka aprovuar gjykatësi”, thotë Krasniqi.

Avokati i Naser Kelmendit dyshon që prokurori i rastit Eric Larson të ketë përgatitur dosje solide kundër klientit të tij për kaq kohë, dhe që domosdoshmërish organi hetues do të kërkojë shtyrjen e paraburgimit, e cila do t’i aprovohet nga gjyqtari.

S’ka asgjë të re, këtu është problemi. Ne po presim që ai të ngrit aktakuzën, por s’po e ngrit. Nuk ka prova thjesht. S’ka prova konkrete. Ka më shumë fjalë, eventualisht ndonjë dëshmitar në të cilin s’mundet me u bazua”, thotë avokati Berisha për Radion Evropa e Lirë.

Por sipas EULEX-it, rasti është nën hetime, dhe se ende nuk mund të flitet për aktakuzë.

Kelmendi hetohet për një numër të veprave penale, duke përfshirë krim të organizuar, vrasje, edhe trafikim të substancave narkotike,” shpjegon Blerim Krasniqi.

Elvis Kelmendi, pak ditë pas arrestimit të babait të tij Naserit, kishte pranuar fajin për tentim-vrasje në vitin 2010 të Elvis Hoxhiqit në Bosnje e Hercegovinë.

Edhe ai ishte arrestuar me urdhër të Interpolit, dhe gjykuar nga drejtësia kosovare.

Për të dy të pandehurit kishte kërkesë nga organet boshnjake për ekstradim, por i njëjti nuk u krye për shkak të mungesës së bashkëpunimit dhe njohjes reciproke të dy shteteve.