Ndërlidhjet

Arrestohet Naser Kelmendi


Naser Kelmendi
Naser Kelmendi
Është arrestuar Naser Kelmendi, një afarist me origjinë shqiptare nga Kosova, me nënshtetësi të Bosnjës e Hercegovinës.

Kelmendi është për një kohë të gjatë në listën e më të kërkuarve të Policisë së Bosnjës, dhe po ashtu kryeson listën e personave më të rrezikshëm në Evropë, të administratës amerikane.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se Naser Kelmendi është arrestuar nga forcat e rendit, të dielën.

Bashkë me Kelmendin sipas Policisë së Kosovës, është prangosur edhe një person tjetër për dhënie të ndihmës të dyshuarit Kelmendi.

Mund të konfirmojmë se me datën 5 maj rreth orës 20, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, njëri prej tyre i kërkuar me flet arrest ndërkombëtar. Ndërsa personi i dytë është arrestuar për ndihmë të personit të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar. Tani të dy personat janë dërguar në qendrën e ndalimit policor”, tha Kelani për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama, në qershor të vitit të kaluar, pati dërguar në Kongres emrin e Naser Kelmendit, duke e apostrofuar si një njeri të rrezikshëm.

Emri i Naser Kelmendit në “listën e zezë” të presidentit amerikan, gjendet përkrah atij të liderit të kartelës meksikane të drogës, Hoze Antonio Sota Gastemula, dhe atij të tregtarit afgan, Sajed Vazir Shah.

I lindur në Pejë në vitin 1958, Naser Kelmendi kërkohet si shtetas i Bosnjë e Hercegovinës.

Sipas autoriteteve boshnjake, Kelmendi, dyshohet të jetë i përfshirë në shumë aktivitete të krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ka kohë që është në arrati, dhe vazhdon të mohojë akuzat njëra prej të cilave e cilëson atë si organizator kryesor në tregtinë me drogë në Ballkan.

Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani ndërkaq tha për Radion Evropa e Lirë, se për ekstradimin e tij do të vendosin autoritetet gjyqësore.

Tani mund të flas vetëm për punën e cila bie në domen të policisë dhe për çështje për procedurat e ekstradimit, janë çështje që i përkasin njësive përkatëse”, tha Kelani.

Këshilltari i ministrit të Drejtësisë Driton Lajçi tha për Radion Evropa e Lirë se do të jetë vështirë të gjendet procedurat ligjore për ekstradimin e të arrestuarit Naser Kelmendi, por se kjo gjë do të ndodh meqë bëhet fjalë për respektimin e konventave ndërkombëtare.

Me Bosnjën çështja e ekstradimit është pak e komplikuar, për faktin e ky shtet nuk e njeh shtetin e Kosovës. Me Bosnjën nuk kemi marrëveshje për ekstradim, siç kemi me disa shtete të rajonit dhe disa shtete të BE-së”, tha ai.

“Mirëpo me këtë rast duhet të kërkojmë ndihmën e EULEX-it, sepse EULEX-i ka kontakte direkte me autoritetet e Sarajevës, dhe natyrisht ne jemi që të respektojmë këto konventa ndërkombëtare, dhe gjithashtu të kontribuojmë në luftën e krimit të organizuar dhe çfarëdo dukurie negative në rajon”, tha ai.

Sipas këshilltarit politik të ministrit të Drejtësisë, Kosova dëshiron të ketë bashkëpunim me autoritetet e Bosnjës, dhe në pamundësi të kësaj është e detyruar që çështjen e Naser Kelmendit t’ia lë në duart e EULEX-it.

Kjo për arsye siç thotë ai se në kuadër të rregullave dhe marrëveshjeve bilaterale, është misioni evropian ai i cili mund ta bëjë ekstradimin e Kelmendit, i cili siç tha ai, do të ndodh.

Jo nuk e besoj [se nuk do të ekstradohet], për faktin se autoritetet e EULEX-it kanë mundësi, sepse ai është misioni i BE-së, dhe si me thënë, do t’i gjendet baza legale që të bëhet ekstradimi. Nuk do të jetë e lehtë, është komplekse, për një fakt të rëndësishëm, jo për fajin e Kosovës, por, për faktin se Bosnja e Hercegovina nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe ata nuk duan që të kenë autoritete direkte me autoritetet e Kosovës”, sqaroi Driton Lajçi për Radion Evropa e Lirë.

EULEX konfirmon ndërmjetësimin, Policia e Kosovës jep detaje shtesë

Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se ekspertët e saj do të punojnë rreth ekstradimit të Naser Kelmendit.

Françoise Lambert, zëvendësdrejtorja e zyrës së medieve të EULEX-it, sqaroi se ekspertët i këtij misioni në Ministrinë e Drejtësisë “do të jenë të përfshirë në ndërmjetësimin” mes Bosnjës dhe Kosovës për të “marr kërkesën zyrtare të ekstradimit.”

Kur kjo [kërkesa zyrtare] të jetë marr, një prokuror vendor do të pyet një gjykatës kompetent që të marrin vendim për ekstradimin”, ka thënë Lambert në përgjigjen e saj dërguar të hënën Radios Evropa e Lirë.

Në orët e pasdites ndërkaq, edhe policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për arrestimin e Naser Kelmendit.

Forcat e rendit shpjegojnë se i kërkuari me flet arrest ndërkombëtar Naser Kelmendi ishte zënë bashkë me Fuad Nikqi i lindur më 1981, në rajonin e Prishtinës. Ky i fundit është arrestuar për ndihmën dhënë Kelmendit.

Sipas forcave të rendit, gjatë operacionit policor janë bastisur edhe dy objekte në shfrytëzim të personave të dyshuar, ku janë “konfiskuar dëshmi të ndryshme, përfshirë dy vetura”.

Reagimet në Bosnje e Hercegovinë dhe aktakuza kundër Naser Kelmendit

Përkundër njoftimit të Policisë së Kosovës, një konfirmim zyrtar thuhet të mos ketë arritur në prokurorinë e shtetit të Bosnjës e Hercegovinës, për kapjen e Naser Kelmendit.

Zëdhënësi Boris Grubeshiq, është cituar nga mediet boshnjake dhe serbe të ketë thënë se “kur te marrim informatën zyrtare do të veprojmë ashtu siç e parasheh ligji”.

Televizioni federal boshnjak (federalja.ba), citon ministrin e sigurisë së Bosnjës e Hercegovinës Fahrudin Radonçiq të ketë thënë se kanë informatë jozyrtare për arrestimin e Naser Kelmendit, por që pas marrjes së konfirmimit zyrtar atëherë do të nisin procedurat e ekstradimit.

Ligji është shumë i qartë, ai [Naser Kelmendi] duhet t’i dorëzohet Bosnjes e Hercegovinës bazuar në kërkesën e prokurorisë së shtetit. Pastaj ai do të burgoset dhe organet e drejtësisë duhet ta kryejnë punën e tyre”, ka thënë Radonçiq për televizionin Federalna.

Prokuroria e shtetit të Bosnjës e ka akuzuar Kelmendin për veprat penale të krimit të organizuar dhe shitje të substancave narkotike.

Mbi të po ashtu rëndon akuza për vrasjen e Ramiz Dellaliqit, i njohur si Qeli. Kelmendi është në arrati tash e tetë muaj, pas ngritjes së akuzave kundër tij, gjatë një operacioni policor të koduar “Lutka”.

Drejtori i asociacionit të shefave të policisë së vendeve të Evropës Jug-Perëndimore, Zllatko Milletiq ka thënë javë më parë se Naser Kelmendi ishte cak i aksionit policor “Besa”.

Në këtë operacion ndërkombëtar, të kryer në vitin 2011 janë arrestuar 440 të dyshuar, ndërsa ishin konfiskuar mbi 1000 kilogram substancash narkotike.

Naser Kelmendi, deri më tani nuk është dënuar për asnjë vepër të rëndë kriminale, përveç një dënimi me 10,000 euro, të cilat është dashur t’i paguaj për ndërtimin ilegal të hotelit të tij “Casa Grande” që e ka në Sarajevë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG