Ndërlidhjet

Kelmendin e "shpëton" shtetësia nga ekstradimi


Naser Kelmendi
Naser Kelmendi
Vetëm një vendim politik mund të bëjë që Naser Kelmendi të ekstradohet prej Prishtinës në Bosnje e Hercegovinë, nëse i arrestuari është shtetas i Kosovës, thotë një zyrtar i lartë i shtetit.

Për këtë gjë, të shumëkërkuarin e Bosnjës e mbron Kushtetuta e Kosovës, shpjegon kryetari i Gjykatës Supreme Fejzullah Hasani.

“Një nga kushtet që është pengesë për ekstradimin, në mesin e kushteve tjera, është edhe në Kushtetutë është barrierë, apo pengesë kushtetuese, ku thuhet se nuk mund të ekstradohet shtetasi i Kosovës”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Ai tha se kjo pengesë ligjore ka një përjashtim, i cili deri më tani nuk është aplikuar, por në vendet e rajonit janë bërë lëshime në këtë drejtim.

“Përjashtimit, dispozitat e tanishme, ose dispozitat e kohës së re, edhe në rajon edhe tek ne, janë më fleksibile, për faktin se lejon mundësinë edhe shtetasi i shtetit nga i cili kërkohet ekstradimi, të lejohet mundësia e ekstradimit. Por duhet të ekzistojë marrëveshja. Domethënë marrëveshja ndërshtetërore, mes shteteve”, shpjegoi Hasani.

Naser Kelmendi është arrestuar të dielën mbrëma në orën 20, në lagjen Mati 1 të Prishtinës.

Bashkë me të është kapur edhe Fuad Nikqi, një shtetas i Malit të Zi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Kelmendi të fshihet nga autoritetet.

Kelmendi një afarist me prejardhje nga Peja, ka nënshtetësi të Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa është ende e paqartë nëse ka edhe nënshtetësi të Kosovës.

Këtë dilemë kanë si Policia e Kosovës ashtu edhe misioni i EULEX-it, të cilët nuk japin përgjigje të prerë nëse Naser Kelmendi është shtetas i Kosovës apo jo, me të cilin fakt do të ndryshonin parametrat ligjor për ekstradimin e tij në Bosnje.

Por Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i cili vizitoi dy të arrestuarit që po mbahen në qendrën e paraburgimit të Prishtinës, thotë se Naser Kelemdi është shtetas i Kosovës.

Kryetari i KMDLNJ-së Behgjet Shala, i tha Radios Evropa e Lirë, se i arrestuari përveç se është rrëfyer që ka nënshtetësi të Kosovës, ka kërkuar edhe që të mos ekstradohet në Bosnje e Hercegovinë.

“Ai ka deklaruar se është shtetas i Kosovës, dhe ka kërkuar që në përputhje me të drejtën e tij, dhe në përputhje me të drejtat e njeriut, ai kërkon si qytetar i Kosovës, që nëse ka ndonjë implikim eventual, ndonjë vepër penale, atëherë të gjykohet në Kosovë dhe të mos ekstradohet në Bosnje. E sikur ai s’do ta kishte shtetësinë e Kosovës, s’do të kërkonte që mos të ekstradohet në Bosnje”, shpjegon Behgjet Shala.

Sipas ligjit, Naser Kelmendit në orën 20 i skadon koha e paraburgimit, por në rast se autoritetet boshnjake dërgojnë komplet dosjen për të dyshuarin, atëherë mund të merret një vendim për zgjatjen e paraburgimit të tij deri në 40 ditë.

Zyrtarë të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, i thanë Radios Evropa e Lirë se EULEX-i po i ndërmjetëson këto raporte, të cilat janë të komplikuara për shkak të mos njohjes reciproke të Kosovës dhe Bosnjës.

“EULEX-i po lehtëson dhe po ndërmjetëson kontaktet ndërmjet BH dhe Kosovës, me qëllim që të sillet dosja e ekstradimit”, i tha Radios Evropa e Lirë, Françoise Lambert nga zyra e EULEX-it për medie.

Autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës ende nuk kanë dërguar në Prishtinë, dosjen e lëndës së Naser Kelmendit, i cili u arrestua në bazë të një urdhër arresti ndërkombëtar.

Vendimi për ekstradimin e të shumëkërkuarit nga autoritetet boshnjake, pritet të merret pas një kërkesë zyrtare që duhet të bëjnë autoritetet në Sarajevë, ç’gjë ende nuk është plotësuar.

Sipas kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Naser Kelmendi mund të rri tutje në burg vetëm në bazë të një kërkesë të Interpolit, ku do të vlente zgjatja e paraburgimit të tij për 40 ditë tjera.

“Tash çështja se si do të procedohet, unë nuk mund të spekuloj për faktin se ajo do të jetë në rrafshin politik, se përndryshe sipas ligjit, janë ato pengesat ligjore që shtetasi i Kosovës nuk mund të ekstradohet në shtetin e tretë, me përjashtim nëse ekziston marrëveshja. Tani se si do të procedohet, se a do të arrihet ajo marrëveshja apo s’do të arrihet, është çështje e segmentit të politikës që s’ka të bëjë me ne me gjyqësorin”, tha Fejzullah Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG