Veriu, me paralelizëm drejt zgjedhjeve

Foto nga arkivi

Mbyllja e Kuvendeve komunale në katër komunat paralele në veri të Kosovës nga ana e Qeverisë së Serbisë dhe zëvendësimi i tyre me institucione të përkohshme, është hap drejt transformimit të institucioneve serbe, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Por, ata kanë mendime të ndryshme nëse ky është një hap pozitiv, të cilin e ka bërë Serbia në drejtim të shuarjes së institucioneve të saj në Kosovë, të cilat nga kjo e fundit dhe bashkësia ndërkombëtare, konsiderohen paralele, apo është vetëm edhe një lojë politike e Beogradit zyrtar në dëm të Kosovës.

Analisti i çështjeve politike, Leon Malazogu, nga Instituti Demokraci për Zhvillim, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se me shpërndarjen e Kuvendeve të komunave paralele në veri dhe zëvendësimin e tyre me institucione të përkohshme, Beogradi ka bërë një hap pozitiv, i cili do t'i çojë serbët e veriut drejt zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit që organizohen nga institucionet e Kosovës.

“Mbyllja e Kuvendeve komunale në veri, është pjesë e marrëveshjes (së Brukselit) dhe është një hap pozitiv që është bërë, që të hapë rrugë për zgjedhjet e 3 nëntorit dhe të krijojë një klimë paksa më pozitive te serbët në veri për mbajtjen e zgjedhjeve, si dhe t’i inkurajojë ata për një dalje më të lartë'.

"Është një hap drejt transformimit të tyre, edhe pse nuk është e qartë nëse transformimi do të jetë i plotë edhe më 3 nëntor. Mendoj që më 3 nëntor do të zgjidhen komunat e reja në veri, ndonëse nuk është mjaft e qartë nëse ato komuna deri në çfarë mase do t’i raportojnë dhe do të jenë qartazi pjesë të institucioneve tona
”, thotë Malazogu.

Por, ndryshe mendon analisti tjetër i çështjeve politike, Ardian Arifaj. Ai i thotë për Radion Evropa e Lirë se shuarja e Kuvendeve komunale paralele në veri dhe zëvendësimi i tyre me qeverisje të përkohshme, është vazhdimësi e institucioneve paralele serbe në Kosovë.

“Është vazhdim i institucioneve paralele, pa marrë parasysh se me çfarë qëllimi i ka themeluar Beogradi. Është përsëri institucion paralel, jolegal, të cilin Beogradi themelon brenda territorit të Kosovës, në kundërshtim me Rezolutën 1244, pa marrë parasysh arsyet, motivet prapa themelimit të këtyre institucioneve të quajtura të përkohshme".

"A është kjo marrëveshje e heshtur ose jo, kjo na mbetet të spekulojmë. Po ashtu, mbetet vetëm shpresë e Prishtinës që vërtet këto institucione do të shuhen. Prishtina i ka duart pothuajse të lidhur dhe nuk mund të bëjë asgjë, përveç të vazhdojë të jetë skeptike”,
shprehet Arifaj.

Ndryshe, të dy këta njohës të zhvillimeve politike në vend, vlerësojnë se strukturat dhe institucionet paralele në veri do të vazhdojnë të bëjnë jetë edhe për një kohë.

Analisti Malazogu vlerëson se ato do ta humbin peshën politike pas 3 nëntorit.

“Unë pres që do të vazhdojnë paralelizmat në veri. Në këtë rast, kuvendet që janë shpallur joligjore, ata mund të vazhdojnë në njëfarë mënyre të funksionojnë. Edhe i ashtuquajturi Kuvend i Krahinës Autonome mund të vazhdojë, por pesha politike, mendoj që nuk është e madhe dhe nuk mendoj se mund të durojnë për një kohë të gjatë".

"Pas mbajtjes së zgjedhjeve të 3 nëntorit, mendoj se ato gradualisht do ta humbin peshën shumë shpejt. Problemi nuk qëndron te rreziku i këtyre grupacioneve të tashme, apo atyre të përkohshme, por sfida më e madhe qëndron se në çfarë drejtimi do të shkojnë komunat pas zgjedhjeve të tyre. Kam frikën që edhe komunat e reja që do të rizgjidhen, nuk do të kenë tërësisht një qëndrim miqësor ndaj Kosovës”, thekson Malazogu.

Por, analisti Arifaj konsideron se shuarja e institucioneve paralele në veri do të varet shumë nga presioni ndërkombëtar mbi Beogradin zyrtar.

“Gjasa ka dhe më së shumti do të varet nga Brukseli, nga bashkësia ndërkombëtare se sa do të këmbëngulin që Serbia vërtet t’i respektojë dhe t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet që janë arritur në Bruksel. Ky është çelësi i ndryshimeve në veri. Është në dobi të Kosovës dhe në dobi të bashkësisë ndërkombëtare, pasi që është mënyra e vetme për të ecur drejt një stabilizimi të rajonit, gjë të cilën e kërkon edhe bashkësia ndërkombëtare”, vlerëson Arifaj.

Analistët politikë, gjithashtu, potencojnë faktin se qëllimi u Serbisë është që të ofrojë një pasqyrë pozitive para Brukselit në mënyrë që të përfitojë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Por, sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të jetë e vëmendshme dhe të mos bjerë në kurthin e lojërave të dyfishta politike të Serbisë dhe rregullimit të raporteve të saj, siç i quajtën ata “sa për sy e faqe” me Kosovën, në funksion të përfitimeve të shtetit serb.