Ndërlidhjet

Strukturat e sigurisë në veri nuk shuhen lehtë


Muaji shtator, nga autoritetet kosovare është përmendur si afati i fundit kur strukturat paralele të sigurisë do të shuhen së vepruari në veri të Kosovës.

Mirëpo, njohësit e zhvillimeve politike dhe ata të sigurisë thonë se shuarja e këtyre strukturave, asnjëherë nuk do të bëhet në mënyrën e duhur.

Shpend Kursani, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave - KIPRED, vlerëson se deri sa Serbia ka investuar shumë në ato struktura, shuarja e tyre nuk do të bëhet asnjëherë.

“Këto struktura nuk do të shpërbëhen përfundimisht, por do të futen në institucionet e Kosovës që edhe rrezikohet që ato të vazhdojnë punën edhe për Serbinë dhe ku është e mundur edhe për Kosovën. Kështu që ky është problemi i strukturave paralele të sigurisë në veri, ku nuk do të kemi shpërbërje por do të kemi integrim, dhe ai nuk do të jetë integrim i plotë në institucionet e Kosovës, por ata do të vazhdojnë të punojnë edhe për Serbinë sepse nuk ka edhe kush ta kontrollojë që të ndodhë e kundërta”, thekson Kursani.

Sipas marrëveshjes së arritur me 19 prill në pikën 7 thuhet se “Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës”, kurse në piken 8 theksohet se “Anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare”.

Kursani konsideron se edhe pse pjesëtarë të strukturave paralele të sigurisë mund t’i veshin uniformat e Policisë së Kosovës, por për një kohë shumë të gjatë, ata nuk do të mund të punojnë për institucionet e Kosovës.

“Nuk është e mundur që me ketë marrëveshje, nëse lexohet me kujdes si është e shkruar, është e pamundur që ata të zgjohen nesër ne mëngjes dhe të punojnë vetëm për institucionet e Kosovës të cilat ata vetë i shohin si armiqësore, njësoj siç i sheh edhe Beogradi. Edhe vetë natyra e marrëveshjes nëse lexohet me kujdes në ato pika i ve bazat e një sovraniteti të dyfishtë dhe rrjedhimisht ky sovranitet do t'u lejojë atyre strukturave që përveç që do të punojnë për institucionet e Kosovës, ata do të punojnë edhe për ato të Serbisë, sidomos në veri”, thotë Kursani.

Nga ana tjetër, edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Naim Maloku, nuk beson se do të shuhen lehtë strukturat paralele.

Sipas tij, ky proces do të kërkojë shumë maturi nga ana e institucioneve kosovare.

“Vetë fakti që (institucionet e Kosovës ) dalin me këto deklarata dhe që japin një datë se do të përfundojë puna e atyre organeve, do të shpërbehen strukturat me një datë të caktuar, ku e di unë, që nuk e marrin këtë si një proces, ajo do të fillojë shpërbërja dhe do të shpërbehen në letër ato, po pastaj është proces i gjatë. Unë po e shoh që nuk kanë angazhuar njerëz e grupe punuese që dinë me çka kanë të bëjnë. Mirëpo, unë kam shpresë të madhe në miqtë tanë që do të na ndihmojnë në ketë proces dhe kjo është shpresa e vetme e imja”, shprehet Maloku.

Eksperti Maloku tha se është e vërtetë që marrëveshja e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një e arritur, por që shuarja e strukturave paralele, dhe ata njerëz të cilët kanë punuar në ato organe të kthehen dhe të punojnë menjëherë për të mirën e Kosovës, është e pamundur.

“Unë i ftoj të gjithë që të mos i shohin ato ëndrra. Nuk bëhen ato gjëra ashtu. Ne duhet ta kemi shpërbërjen Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë dhe për atë duhet të ketë durim. Duhet të ketë vizion të qartë se çka duam të bëjmë me shtetin, shteti nuk është lehtë të ndërtohet. Do të jetë shumë vështirë pastaj të akuzohen ata për thyerje të rregullave të brendshme të strukturave në të cilat ata do të punësohen, për verifikimin e tyre nga ana e AKI-së, etj.”, bën të ditur Maloku.

Analistët politikë kanë vlerësuar se transformimi i strukturave paralele serbe të sigurisë në veri të Kosovës, dhe ato të drejtësisë, konsiderohen si sfida të veçanta.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG