Tridhjetë ditë paraburgim për Veselinoviqin; Repiq lirohet

Veri...

Një gjyqtar i procedurës paraprake i EULEX-it në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, me kërkesë të një prokurori të EULEX-it, i caktoi Zharko Veselinoviqit masën e paraburgimit prej një muaji, ndërsa Sllobodan Repiq u lirua nga mbajtja policore.

Veselinoviq dhe Repiq ishin arrestuar ditën e hënë nga pjesëtarët e EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës nën dyshimin se në dhjetor të vitit të kaluar, kanë marrë pjesë në tentim vrasjen e Dushan Milisavljeviqit, zëvendësdrejtor i Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës.

Në komunikatën të cilën e ka lëshuar për medie misioni EULEX, thuhet se "dy të dyshuarit akuzohen për tentim vrasje dhe përdorim të paautorizuar të armëve lidhur me incidentin e dhjetorit 2012. Veselinoviq gjithashtu akuzohet për armëmbajtje pa leje".

"Gjykata konsideron se ka dyshime, por që nuk arrijnë nivelin e dyshimit të bazuar se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të tentim vrasjes së rëndë për çka dyshohen, duke marrë parasysh se hetimi është në faze të hershme. Megjithatë, ka dyshim të bazuar se Zharko Veselinoviq kishte në posedim të një arme, kur ai u arrestua me 29 korrik".

"Gjyqtari konsideron se ekziston rreziku i mjaftueshëm se Veselinoviqi mund të ndikojë në prova, veçanërisht duke e ditur faktin se gjatë kohës së mbajtjes ai ka kontaktuar me palë të treta dhe i ka paralajmëruar për procedurat penale. Për më shumë, gjyqtari vlerësoi se ekziston rreziku i arratisjes për shkak të përpjekjes për t’ju shmangur arrestimit të tij më 29 korrik 2013", thuhet mes tjerash në komunikatë.

Në anën tjetër, magjistralja Mitrovicë – Leposaviq vazhdon të jetë e bllokuar nga serbët lokalë në Rudarë, ndërkohë që ata kanë paralajmëruar bllokimin edhe të rrugëve tjera në veriun e Kosovës.

Protesta e serbeve kishte nisur pas arrestimit të Veselinoviqit dhe Repiqit.

Protestuesit patën theksuar se nuk do ta ndërpresin protestën derisa të akuzuarve nuk ju mundësohet të mbrohen në liri.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës i kanë njoftuar se situata e sigurisë së përgjithshme që nga arrestimi i dy personave dhe bllokimi i rrugës në Rudarë nga serbët lokalë, nuk ka ndryshuar.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se prezenca fizike e serbëve lokalë në pikën ku është bllokuar rruga është duke vazhduar, pavarësisht lirimit të njërit prej të arrestuarve.

Ata (protestuesit) sigurisht e kane kuptuar fillimisht se pasi qe eshte liruar ky (Repiq), kanë dashur ta lirojnë rrugën. Mirëpo, e kanë pritë vendimin për të dytin (Veselinoviq) dhe kur kanë parë se për të është caktuar paraburgimi, atëherë e kanë mbajtur rrugën e bllokuar ende. Do të thotë, nuk ka ndryshuar asgjë, rruga është e bllokuar përsëri”, ka thënë Hoti.

Ndaj arrestimit të dy serbëve patën reaguar edhe liderët e serbëve të veriut.

Ata pretendojnë se ekziston një listë me disa mijëra serbë, të cilët EULEX-i i ndjek për t’i arrestuar.

Njëri prej liderëve serb, Dreagisha Milloviq ka theksuar se arrestimet e serbeve janë shpeshtuar kohët e fundit dhe kjo po e nxitë reagimin e qytetarëve.

Kjo e ka nxitur reagimin e qytetarëve dhe ata e kanë bllokuar magjistralen. Shtrohet pyetja se kush do të arrestohet ende? Le ta publikojnë listën për 3 mijë serbë”, ka thënë Milloviq.

Në anën tjetër, zyrtarët e EULEX-it janë cituar nga mediet serbe të kenë thënë se
“fletë-arrestet sekrete nuk ekzistojnë dhe se nuk ka bazë ligjore për një gjë të tillë”.

Ndërkaq, zëdhënësi i policisë së Kosovës, Hoti, ka theksuar se nuk ka parashenja se situata në veri të vendit, mund të përshkallëzohet në atë masë që do të mund ta rrezikonte sigurinë e përgjithshme, pavarësisht sinjaleve të këqija që kanë dërguar dy sulmet mbi automjetet e EULEX-it në veri të Kosovës.

“Kjo mjafton të jetë si një shenjë, e cila mund të ndikojë kryesisht te sulmet individuale ose te veprimet tjera kriminale, të cilat mund të sjellin pasiguri ose jo stabilitet. Mirëpo, nuk ka indikacione ose nuk ka sinjale të përgjithshme se mund të ketë ndonjë përshkallëzim të përgjithshëm të situatës së sigurisë".

"Ne kemi grupe të njerëzve, përkrahës të këtyre individëve (të arrestuarve), të cilët kryesisht kërkojnë lirimin e tyre, por çështja e ligjit është ligj në vete dhe ajo duhet patjetër të zbatohet”.

Ndryshe, që nga dita e hënë kur është bllokuar rruga në Rudarë, qarkullimi i automjeteve të misionit EULEX është ndërprerë.