Veriu sipas udhëzimeve të Beogradit

Pamje nga veriu i Kosovës

Serbët e veriut të Kosovës nuk pajtohen me shpërbërja e institucioneve të Serbisë në këtë pjesë të vendit, për të cilën është arritur marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë liderët serbë të veriut të vendit.

Mbyllja e një stacioni policor paralel në Zveçan, vendimi i qeverisë serbe për mbylljen e 12 zyrave paralele nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, si dhe vendimi i Beogradit që gjykatat në veri të Kosovës ta ndërpresin marrjen e lëndëve të reja, kanë ngjallur nervozë te serbët, vlerësojnë përfaqësuesit e tyre.

Lideri i serbëve të veriut Radenko Nedeljkoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përfaqësuesit e serbëve të veriut tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre se marrëveshja e Brukselit është e dëmshme për ta dhe se është i paparashikueshëm reagimi i serbëve në veri ndaj shpërbërjes së institucioneve të Serbisë në atë pjesë të vendit.

“Unë në këtë moment nuk mund të them se çfarë do të jetë reagimi, por e di që gjyqtarët serbë nuk e pranojnë hyrjen në sistemin e Kosovës. Unë, sinqerisht, nuk e kam të qartë se si mendojnë Prishtina, Beogradi dhe bashkësia ndërkombëtare t’i zgjidhin të gjitha këto probleme”, ka theksuar Nedeljkoviq.

Lideri tjetër i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se me gjithë mospajtimin e serbëve të veriut me vendimet e Beogradit për t’i shuar institucionet e saj në veri, nuk pret ndonjë reagim apo demonstrim publik të pakënaqësive të tyre.

Mendoj se në mënyrë intime askush nuk pajtohet me ato vendime ose shumica e madhe është kundër atyre vendimeve. Por, askush nuk do të reagojë apo të demonstroj me ndonjë protestë ose të refuzoj. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin që të përplasemi me Qeverinë e Serbisë, sepse ajo është e vetmja të cilës mund t’i besojmë. Prandaj, me gjithë dallimet politike, e gjithë kjo mbetet vetëm në këto dallime dhe me një frustrim të thellë te shumica e popullatës, por jo edhe me ndonjë reagim publik të veçantë”, ka thënë Ivanoviq.

Në anën tjetër, me gjithë faktet në terren, shumica e liderëve serbë të veriut, ende nuk besojnë se Serbia do t’i shpërbëjë institucionet e veta në veriun e Kosovës.

Njëri ndër ta, Nedeljkoviq, thotë se Beogradi zyrtarë nuk mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Beogradi zyrtar nuk mund t’i shpërbëjë institucionet e shtetit të Serbisë, ngaqë Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë, sepse Kushtetuta e saj i mbron edhe institucionet, por edhe qytetarët në Kosovë. Askush nuk ka të drejtë që në emër të qytetarëve ta merr sovranitetin që u takon qytetarëve dhe në emër të tyre ta imponoj një pushtet, të cilin qytetarët nuk e pranojnë”, ka thënë Nedeljkoviq.

Por, Ivanoviq, vlerëson se kjo do të ndodhë dhe se serbët nuk do të kenë mundësi që të krijojnë institucione tjera serbe, pa pëlqimin e Beogradit zyrtar.

Sipas tij, institucionet e reja do të jenë ato, për të cilat Beogradi tashmë është pajtuar me marrëveshjen e Brukselit.

“Nëse Beogradi thotë se duhet të shkohet në zgjedhje, atëherë mendoj se kjo duhet të ndodhë. Kjo nuk ka alternativë. Pastaj, do të bëhen institucionet, sikurse që janë komunat dhe Bashkësia e komunave serbe, të cilat do të jenë serbe, në kuptimin që serbët do të jenë brenda tyre, por ato do të ndodhin pas zgjedhjeve, të cilat do të organizohen sipas rregullave të cilat vlejnë në Kosovë”, ka theksuar Ivanoviq.

Ndryshe, mediat serbe kanë cituar prokuror publik serb, Milan Bigoviq, të ketë thënë se gjykatat paralele në Kosovë po vazhdojnë me punën e tyre dhe marrjen e lëndëve të reja.

Ai ka theksuar se regjimi i posaçëm i cili ka nisur nga 15 qershori, vlen vetëm kur bëhet fjalë për lëndët që kanë të bëjnë veprat e rënda penale.

Sipas tij, lëndët e tilla do të merren dhe evidentohen, por në to do të punohet vetëm pas formimit të gjykatave të reja në Kosovë.