Ndërlidhjet

Marrëveshje për konsolidimin e paqes


Barrikada në Mitrovicë...
Barrikada në Mitrovicë...
Marrëveshja e arritur më 19 prill në Bruksel dhe zbatimi i atij dokumenti do të sjellin paqe dhe stabilitet jo vetëm në Kosovë e Serbi, por për gjithë rajonin, kështu deklaruan zyrtarët vendorë dhe ndërkombëtarë në një debat me temën "Implikimet e Marrëveshjes së Brukselit dhe implementimi i saj”, të mbajtur në Kolegjin "AAB".

Kreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, tha se marrëveshja është historike dhe ajo do të ndihmojë në përmirësimin e raporteve në mes të dy vendeve.

Mes tjerash, Zhbogar tha se kjo marrëveshje do të ndryshojë situatën në terren.

“Kjo marrëveshje ka të bëjë me përmbushjen dhe konsolidimin e paqes në Kosovë, sepse kur flitet për Kosovën, shihet se lufta ka përfunduar, se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, se në shtatorin e kaluar është përmbyllur mbikëqyrja e pavarësisë”.

“Por, edhe më tej mund të flasim për një paqe të ngrirë, për një paqe që nuk është përmbushur, për shkak të çështjeve të pazgjidhura me Serbinë dhe për shkak të çështjeve të pazgjidhura përbrenda Kosovës, në veri”,
tha Zhbogar, për të shtuar se paqja në Kosovës duhet të konsolidohet.

Zhbogar tha, po ashtu, se të gjitha vështirësi apo bllokadat duhet të tejkalohen, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, në mënyrë që të shkohet përpara drejt Bashkimit Evropian.

“Agjenda e BE-së, e cila është për momentin si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë është agjenda, e cila synon të pajtojë të dyja palët. Kjo është ajo çfarë BE-ja po ofron, po ofron kurajën, po ofron bashkëpunimin nuk është duke bërë presione. Kërkohet një dialog i sinqertë, një diskutim i përqendruar që në fund të ketë rezultate”, u shpreh Zhbogar.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi tha se nga marrëveshja më se shumti kanë përfituar qytetarët që jetojnë në veri të vendit. Sipas tij, ata banorë do të largohen nga izolimi dhe do të kalojnë në sistemin e rendit dhe të ligjit.

Një fitore tjetër, sipas Kuçit, është ajo se autoritetet kosovare kanë fituar në të drejtën për sovranitet. Nga marrëveshja, theksoi ai, ka fituar edhe rajoni.

“Rajoni ka qenë i tensionuar nga pak, prej raporteve Kosovë- Serbi, sa herë që ka pasur kriza. Mund ta flasim këtë edhe në kuptimin e takimeve rajonale edhe në kuptimin e zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimeve tjera. Të dyja palët (Kosova dhe Serbia) - nuk kemi punuar në atë ta mundim tjetrin se e kemi përfunduar këtë në 99’ - por kemi punuar në drejtimin se çka të fitojmë në integrim në BE”.

“Dhe, unë besoj që Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, në anën tjetër, edhe kah Serbia kandidatura, janë fitim për qytetarët dhe vendin. Por, fitore mbi të gjitha do të jetë nëse kjo marrëveshje do të fillojë të implementohet dhe pastaj do të japë rezultate në terren”, theksoi Kuçi duke shtuar se implementimi i marrëveshjes do të çojë drejt një traktati paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurse, ambasadori britanik në Kosovës, Jan Cliff, marrëveshjen e ka vlerësuar si një e arritur shumë e madhe për tërë Ballkanin perëndimor.

Mirëpo, tha Cliff, Britania pret të shohë zbatimin e marrëveshjes në terren.

“Sa i takon Qeverisë sime ne duam të shohim implementim në terren, veçanërisht nëse Serbia do të marrë datën për të filluar negociatat e anëtarësimit. Por, duhet të jemi edhe realistë lidhur me problemet praktike. Nëse shkoni në veri dhe flisni me njerëz të zakonshëm, ata thonë se kjo marrëveshje është arritur ndërmjet politikanëve në Beograd dhe në Prishtinë, të cilët nuk i kuptojnë rrethanat tona”, tha Klif.

Ish-sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i pranishëm në debat, tha se koha do të tregojë nëse marrëveshja është historike apo jo. Sipas tij, marrëveshja është një fillim i mbarë që duhet të pasohet nga shumë veprime të tjera. Ai kërkoi kujdes në qasjen ndaj serbëve në veriun e Kosovës.

“Mitrovica është një vend kyç dhe mendoj se i kemi marrë mësimet. Me përpjekjet që të zgjidhim problemet me dhunë, kemi komplikuar situatën. Arsyeja që serbët në veri sillen kësisoj, është mosbesimi i madh dhe për këtë nuk duhet pasur iluzione. Ata nuk besojnë që nga Prishtina mund të vijë ndonjë e mirë. Besimi humbet shumë shpejt dhe ai shumë vështirë mund të kthehet”, deklaroi Ivanoviq, duke nënvizuar se ky është një proces i gjatë dhe i mundimshëm.

Ndërkaq, ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, u shpreh ka thënë se me anë të këtij procesi të dialogut do të ndërpritet historia negative dhe e dështimeve.

“Le të shpresojmë që me këtë marrëveshje të fundit, kjo histori negative po merr fund dhe po fillon një etapë e komunikimit pak më normal midis këtyre dy vendeve. Komunikimi gjithnjë mbi bazën e një parimi, e një komunikimi dhe interaksioni shtet me shtet”, u shpreh Hyseni.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG