Maqedoni: Të rinjtë me diploma, por pa punë

Pamje nga Shkupi

Mbi 51 për qind e të rinjve në Maqedoni janë pa punë, janë këto të dhënat e Entit Shtetërorë të Statistikave, ndërkohë që mbi 22 mijë qytetarë me arsim të lartë, janë të evidentuar në Entin për punësim, kurse për punë presin dhe 530 magjistra dhe 26 doktorë shkencash.

Pjesa më e madhe e tyre janë diplomuar sipas sistemit të Bolonjës, bën të ditur drejtori i Agjencisë për Punësim, Vllatko Popovski, duke shtuar se ka shumë të meta në procesin arsimor, meqë një pjesë e madhe e tyre marrin diplomë, por me dijen e fituar nuk janë konkurrent në tregun e punës.

“Ka problem me ata që kryejnë studimet me 180 kredi, gjatë tre vjetëve për aq sa kryejnë studimet sipas sistemit të Bolonjës, sepse kompanitë të cilat kërkojnë punëtorë, duan kuadër profesional, i cili do t`u përgjigjet detyrave përkatëse”, thotë Popovski.

Ai shton se gjithnjë e më shumë është evident fakti se të rinjtë e diplomuar, edhe pse të pajisur me diplomë, janë joprofesionalë për t`u inkuadruar në tregun e punës.

Drejtoresha e Bankës Botërore në Maqedoni, Tatjana Proskurikova, thotë se përmes projekteve të përbashkëta me Qeverinë, bëhen përpjekje që të rinjtë të aftësohen me shkathtësi të caktuar, që të inkurajohen për të hapur biznese private.

“Dëshiroj të potencoj aksionin, të cilin jemi duke e përgatitur për momentin dhe që ka të bëjë me përfitimin e shkathtësive për krijimin e vendeve të punës. Në Maqedoni ka vende pune që mbeten të paplotësuara, sepse për të njëjtat kërkohen shkathtësi të caktuara, të cilat nuk arrijnë t’i përvetësojnë të rinjtë gjatë studimeve”, shprehet Proskurikova.

Ndërkaq, Xheladin Murati, pedagog, i cili më shumë se dy dekada ka qenë i angazhuar në Byronë për zhvillimin e arsimit, thotë se Maqedonia duhet të punojë për krijimin e një strategjie gjithëpërfshirëse në sistemin arsimor konform kërkesave të tregut të punës.

“Problemi i papunësisë është problem shumë sfidues për Republikën e Maqedonisë dhe njëherësh ky problem e mban të mbingarkuar jetën, jo vetëm atë ekonomike, politike, po edhe atë personale të çdo individi, i cili në momentin e duhur, ka përgatitje profesionale, ka diplomë universitare, ka njohuri dhe disponon me shkathtësi të caktuara dhe është i detyruar të rrijë në shtëpi”.

”Në fakt, ky realitet për Maqedoninë, paraqet një vetëvrasje, sepse popullata e re e aftë për punë shëtit rrugës, meqenëse mungon një strategji shtetërore, e cila do të mundësonte punësimin e tyre”, thekson Murati, profesor universitar.

Por, biznesmenët ankohen se të rinjtë mendjen e kanë më shumë te politika dhe idetë grandioze, të cilat i ndërtojnë në kokat e tyre, sesa t’i qasen realisht punës dhe ngritjes së tyre profesionale shkallë pas shkallë.

“Ne kemi punë më të rëndësishme se politika, dhe ajo është ekonomia. Megjithatë, të rinjtë, për fat të keq, të ardhmen e shohin vetëm në politikë. Ëndërrojnë për projekte të mëdha që kryekëput janë jashtë logjikës së shëndoshë ekonomike, sepse profitet e mëdha nuk i sjell politika, por ekonomia, politika mund të sigurojë vetëm përfitim nga krimi”, thotë Zore Temelkovski nga Asociacioni i sektorit të biznesit.

Nga ana tjetër, Safka Todorova, e cila udhëheq me një kopani të prodhimeve ushqimore, konsideron se nuk është fajtor vetëm procesi arsimor, por edhe koncepti sociologji, me të cilin udhëhiqen të rinjtë, kryesisht ikja nga përgjegjësia.

Te kompania ime, inxhinierët vijnë në punë që në orën gjashtë të mëngjesit, kështu është gjithkund në botë. Por, të rinjtë duan më shumë të përfshihen në sektorin shtetërorë, gjegjësisht në administratë, sepse atje orari i punës fillon në orën 8 ose nëntë të mëngjesit dhe përgjegjësia është shumë më e vogël".

"Pra, nuk e përjashtoj faktin se në luftën e fakulteteve për të pasur sa më shumë studentë, ka rënë dukshëm shkalla e kritereve për t’u pajisur me dije, që të merret një diplomë, por prapë e theksoj se mungojnë ambiciet te të rinjtë”,
vlerëson biznesmenja Todorova.

Ndryshe, hulumtimi i fundit i Forumit për Arsimim të të Rinjve, ka nxjerrë në pah nevojën e përforcimit të kapaciteteve institucionale të arsimit të lartë, derisa për stafin akademik kanë sugjeruar përmirësimin e procesit arsimor me qëllim që vlerësimi i dijes të jetë sa më objektiv.