Ndërlidhjet

Bashkëpunimi instalon paqen në Ballkan


Karta e Adriatikut - Shkup
Karta e Adriatikut - Shkup
“Bashkëpunimi rajonal është nga shtyllat më të rëndësishme mbi të cilën duhet instaluar paqja e qëndrueshme në tërë Ballkanin, dhe marrëveshja e arritur mes Serbisë dhe Kosovës në këtë drejtim paraqet një hap shumë të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit”, ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë Nikolla Popovski, pas takimit të Komisionit për partneritet në nivel të ministrave për punë të jashtme në kuadër të kryesimit të Maqedonisë me Kartën së Adratikut

Në këtë takim përveç përfaqësuesve të Kartës së Adriatikut: Maqedonia, Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnja, ka marrë pjesë edhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan Filip Riker, ndërsa në cilësinë e vëzhguesve të ftuar janë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendësndihmësi i sekretarit shtetëror amerikan Filip Riker ka porositur autoritetet e Shkupit që të ndjekin shembullin e Kosovës dhe Serbisë në zgjidhjen e kontestit të emrit dhe të shfrytëzohet momenti që përmes dialogut të gjendet zgjidhje për kontestin me Greqinë, duke e zgjeruar debatin për çështjen e emrit jo vetëm mes partive, por edhe me opinionin më të gjerë.

Duke u përgjigjur në pyetjen çfarë nënkupton me sugjerimin që të ndiqet shembulli i Kosovës dhe Serbisë, Riker u përgjigj:

Poenta që doja të theksoj dje është ajo se SHBA e mbështesin fuqishëm procesin që zhvillohet në kuadër të Kombeve të Bashkuara nën patronatin e mediatorit Metju Nimic si mundësi që të shënohet përparim sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë. Sa më shumë palët fokusohen në këtë çështje dhe intensifikojnë përpjekjet rreth saj, aq më shpejt mund të arrihet deri te një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”, është shprehur Riker.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Popovski ka theksuar se për Maqedoninë anëtarësimi në BE mbetet prioritet dhe synim strategjik, por ai tha se nuk mund të vendoset paralele mes marrëveshjes së arritur Kosovë-Serbi dhe zgjidhjes së kontestit Maqedoni-Greqi.

Nuk mund të vendoset një paralele ngase në rastin Serbi-Kosovë kemi të bëjmë me dy vende të cilat nuk janë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe zgjidhja e kontestit është stimuluese për të dy vendet, gjersa sa i përket kontestit të imponuar lidhur me çështjen e emrit që ka Maqedonia me Greqinë, është më se e qartë se mekanizmat për të bllokuar procesin eurointegrues janë vetëm në dorën e njërës palë, ky është realitet që Maqedonia si shtet që është pjesë e strukturave të BE-së dhe NATO-s, nuk mund ta ndryshojë” , tha Popovski.

Ai duke folur për faktin si e sheh kyçjen e Kosovës në takimin e Kartës së Adriatikut, tha se Maqedonia ka ndërtuar një qëndrim parimor se bashkëpunimi rajonal duhet të ketë karakter gjithëpërfshirës

"Ne kemi qëndrim parimor se të gjitha iniciativat rajonale duhet të jenë gjithëpërfshirëse, ashtu që çdokush që do të shfaqë dëshirë të jetë pjesë e iniciativave rajonale do të ketë dhe mbështetjen e Maqedonisë. E theksoj ky është qëndrim parimor dhe me këtë rast e shoh dhe interesimin e Kosovës që të jetë pjesë e Kartës së Adriatikut“, ka theksuar Popovski.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin e Kartës së Adriatikut në Shkup, ka theksuar se Kosova aspiron që të jetë një eksportues i sigurisë, duke u bazuar në modelin e saj shumë të suksesshëm të shtetndërtimit.

“Marrëveshja e arritur shënon fundin e një konflikti një shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe hap një kapitull të ri të marrëdhënieve ndërshtetërore. Si do që të jetë, kapitulli i ri duhet ende të shkruhet, prandaj për ne implementimi është aq i rëndësishëm sa edhe vetë nënshkrimi i marrëveshjes”, është shprehur ministri Enver Hoxhaj duke falënderuar ambasadorin Riker për kontributin që dhanë SHBA për arritjen e marrëveshjes në fjalë.

Ai gjithashtu ka vlerësuar evoluimin e Kartës së Adriatikut, përmes mbështetjes së fuqishme të Shteteve të Bashkuara, duke u shndërruar në një mekanizëm shumë të përdorshëm për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe avancuar agjendën e integrimit euroatlantik.

Ndryshe në pajtim me aktivitetet e parapara me Planin veprues të kryesimit të Maqedonisë, është diskutuar rreth modaliteteve për përforcimin e bashkëpunimit midis vendeve A5 në pritje të Samitit të ardhshëm të NATO-s, si dhe mundësitë për kontributin e përbashkët në misionin e ri të NATO-s në Afganistan pas vitit 2014.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG