Ndërlidhjet

Riker në Shkup për Kartën e Adriatikut


Të martën në Shkup do të takohen Ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve nënshkruese të Kartës së Adriatikut ndërsa në cilësinë e shteteve vëzhguese janë ftuar edhe Ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Serbisë.

Njoftimi është bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, sipas së cilës, takimi i nesërm do të shënojë dhjetë vjetorin e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut, aktivitetet e kësaj iniciative në drejtim të forcimit dhe promovimit dhe bashkëpunimit, paqes dhe sigurisë, të gjitha këto në funksion të integrimit euroatlantik të Maqedonisë dhe rajonit, me mbështetje të SHBA-së.

Në këtë konferencë, SHBA-të përfaqësohen nga zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Filip Riker, i cili, të hënën është pritur nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe kryeministri Nikolla Gruevski.

Mbajtja e konferencës së shteteve nënshkruese të Kartës së Adriatikut dhe vizita e diplomatit të lartë amerikan Filip Riker, dhjetë ditë para samitit të BE-së, nga njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare vlerësohet edhe si një përpjekje e diplomacisë ndërkombëtare për të shtyrë para procesin e integrimit të Maqedonisë, por edhe të shteteve tjera të rajonit në Bashkimin Evropian.

Por, Bekim Kadriu, profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës thotë se politika amerikane nuk do të jetë në kundërshtim me ato të shteteve aleate të saj në NATO, që nënkupton përmbushjen e kritereve për anëtarësim në ana e Maqedonisë.

Ai thotë se SHBA-të kanë qenë dhe mbeten mbështetëset më të fuqishme për inkuadrimin e rajonit në NATO dhe dëshmi për këtë samiti i Bukureshtit kur lobimi amerikan ishte në nivelin më të lartë të mundshëm.

“Ndihmën dhe përkrahjen më të madhe që Maqedonia e ka pasur nga SHBA-të ka qenë në samitin e Bukureshtit kur Greqia vendosi veto për pranimin e Maqedonisë në NATO. Nëse kemi parasysh këtë fakt dhe nëse kemi parasysh faktin tjetër se kemi 27 shtete anëtare dhe tani do të bëhen 28, për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, mendoj që amerikanët e përkrahin qëndrimin kryesor të këtyre dy organizatave që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, që nënkupton edhe zgjidhjen e kontestit me emrin“, thekson Kadriu

Sipas tij, problemi kryesor qëndron tek autoritetet maqedonase të cilat nuk marrin në konsideratë ndihmën e madhe amerikane për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

Riker do ta shfrytëzojë mundësinë që autoriteteve maqedonase, edhe njëherë t'ia përcjellë qëndrimet e administratës amerikane se për procesin eurointegrues me rëndësi është të zgjidhet kontesti me Greqinë.

“Ne jemi të çimentuar në disa pozicione të cilat për iks arsyeje nuk dëshirojmë ti lëvizim, flas për autoritetet maqedonase, nuk dëshirojmë ti lëvizim pa marrë parasysh qëndrimet e diplomatëve të huaj përfshirë këtu edhe qëndrimet e diplomatëve amerikan. Ne jemi ata që duhet të jemi të interesuar për zgjidhjen e kontestit, jo amerikanët".

"Ata mund të na japin sugjerime të caktuara, mund të na bëjnë ndonjë presion të caktuar, por nëse ne nuk jemi të gatshëm të bëjnë kompromis, nëse nuk jemi të gatshëm të bëjmë lëshim në kontestin që e kemi me Greqinë, ne këtë kontest nuk do të mund asnjëherë ta zgjidhim dhe kjo do të shkojë në dëm të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë“, u shpreh Bekim Kadriu, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Sipas njohësve të zhvillimeve ndërkombëtare edhe në takimin e nesërm ministror të vendeve nënshkruese të Kartës së Adriatikut në qendër të vëmendjes pritet të jetë prania ose jo e ministrave të jashtëm të Kosovës dhe Serbisë të cilëve u janë dërguar ftesa nga Ministria e Jashtme, për dallim nga Samiti i Ohrit kur presidenti Ivanov kishte anashkaluar Kosova gjë që çoi në anulimin e takimit të presidentëve të nismës së procesit për bashkëpunim në EJL.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG