A është e ligjshme të votosh me çfarëdo dokumenti identifikues?

Mitrovicë...

Mundësia që qytetarët në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të paralajmëruara si të mundshme për vjeshtën e këtij viti, të votojnë edhe me dokumente tjera identifikuese përveç atyre të Republikës së Kosovës, nga ekspertët e çështjeve juridike - kushtetuese po komentohet në mënyra të ndryshme.

Profesori Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike- kushtetuese i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se qytetarët të cilët votojnë në zgjedhjet në Kosovë, duhet të kenë dokumentet identifikuese të rendit juridik të vendit .

Ligjet e vendit vlejnë dhe ato duhet të aplikohen. Qytetarët identifikohen me dokumentet legalë të rendit juridik të vendit. Tash, eventualisht në qoftë se ekziston – dyshimet janë të bazuara se ekziston – marrëveshje e tipit konfidencial, që nuk është shpallë deri më tash, atëherë nuk e kam të qartë. Do me thënë, natyrisht, nuk do të ishte zgjidhje e mirë”, vlerësoi profesor Smaka.

Por, eksperti tjetër i çështjeve juridike - kushtetuese, profesori Mazllum Baraliu, ish-kryeshef Ekzekutiv i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vlerëson ndryshe.

Sipas tij, ligji elektoral në fuqi, nuk ua heq mundësinë e pjesëmarrjes në votime atyre që nuk i kanë dokumentet e identifikimit të Republikës së Kosovës.

“Ligji në fuqi, pra elektoral, lejon mundësinë që jo vetëm me dokumente të identifikimit, që do të thotë me letërnjoftim ose ndonjë dokument tjetër identifikues, por deri edhe te kartela e refugjatit, lejohet mundësia që të votohet në zgjedhjet në Kosovë".

"Pikërisht, është menduar dhe është mundësuar që në zanafillë, që ligji të ketë mundësi ekstensive, pra, sa ma të gjerë të përfshirjes së njerëzve, sidomos qytetarëve serbë, të cilët janë në Kosovë, por janë, siç quhen, të shpërngulur të brendshëm, që identifikoheshin më herët pranë OSBE-së, ose të shpërngulur në Serbi”, theksoi profesor Baraliu.

Reagimet dhe komentet lidhur me çështjen e dokumenteve të nevojshme të identifikimit për pjesëmarrje në votime në Kosovë, pasojnë pas deklaratave të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili në një emision në gjuhën serbe të transmetuuar në televizionin publik, Radio Televizionin e Kosovës, e ka mohuar mundësinë që në zgjedhjet e ardhshme lokale, qytetarët të votojnë vetëm nëse i kanë dokumentet e identifikimit të Republikës së Kosovës.

Nuk është e vërtetë. Ky është një mesazh negativ për t’i frikësuar qytetarët në veri. Qytetarët mund të votojnë me dokumentet e identifikimit që i kanë, e natyrisht edhe me dokumentet tjera aktuale... Prandaj, qytetarët do të votojnë me letërnjoftimet që i kanë”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi

Profesori Smaka, shpreh mendimin se në qoftë se do të ndodhë ashtu siç ka deklaruar kryeministri Thaçi, atëherë, sipas tij, do të krijohen situata, të cilat bien ndesh me ligjin.

“Padyshim që bie ndesh me ligjin. Është koncesion joparimor, koncesion që nuk është në rregull, është në disfavorin e rendit juridik të vendit. Vetëm dokumentet në bazë të ligjit, ato janë valide. Të tjera dokumente nuk do të duhej kurrsesi të merreshin për bazë. Kjo do të ishte një koncesion i padrejtë dhe në kundërshtim me ligjin”, ka thënë profesor Smaka.

Por, kështu nuk mendon profesor Baraliu. Ai u jep të drejtë deklaratave të kryeministrit Thaçi lidhur me këtë çështje.

Po, ka të drejtë, për arsye se jam i bindur që ajo deklaratë është e bazuar në zgjidhjet ligjore, pra në Ligjin për zgjedhjet, i cili lejon mundësi të gjerë të dokumentacionit për të marrë pjesë në zgjedhje dhe kjo zgjidhje është e mëhershme. Prandaj, po besoj që është bazuar në të".

"Përndryshe, edhe me rregullat e brendshme të KQZ-së, të cilat këto ditë po përfundohen, po rishikohen, po kontrollohen dhe ristrukturohen, edhe aty parashihen këto çështje dhe rregullohen në mënyrë më të detajuar, bazuar në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dh ato lokale”, tha profesor Baraliu.

Ndryshe, profesor Baraliu ka theksuar se koha për organizimin e zgjedhjeve lokale, të cilat sipas marrëveshjes së Brukselit pritet të mbahen në muajin tetor, është e mangët, për shkak se, sipas tij, për të përgatitur një palë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe standardeve normale të organizimit elektoral, nevojiten së paku 6 muaj.