Ndërlidhjet

Efekti në veri i porosive të “vrazhda” të Daçiqit


Çështja e zbatimit të marrëveshjes së arritur më 19 prill në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, i ka ndarë serbët e veriut të Kosovës, vlerësojnë liderët serbë të kësaj pjese të vendit.

Ata kanë mendime të ndryshme lidhur me atë, nëse serbët e veriut do ta pranojnë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, si dhe integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.

Lideri i serbëve të veriut Marko Jakshiq, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Serbisë nga Partia demokratike e Serbisë, subjekt ky opozitar, ka theksuar se e gjithë kjo situatë do të varet nga ajo se sa serbët e veriut do të jenë të bashkuar.

Nëse serbët në veri do të jenë të bashkuar, vështirë se do të mund të zbatohet marrëveshja. Është vështirë të zbatohet marrëveshja edhe për faktin se qeveria në Beograd e di që e gjithë marrëveshja është në kundërshtim me Kushtetutës".

"Do të thotë, për ta zbatuar marrëveshjen, fillimisht qeveria duhet të sjellë dispozita, rregullore dhe ligje në kundërshtim me kushtetutën. Kjo çështje do të hasë në pengesa, kur kihet parasysh që vetëm qeveria nuk do të mund t’i zbatojë vendimet nëse ato janë në kundërshtim me kushtetutën”, tha Jakshiq.

Por, lideri tjetër i serbëve të veriut, Oliver Ivanoviq, vlerëson se megjithatë, nuk do të ketë befasi dhe probleme të mëdha lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, pavarësisht se serbët e veriut ende e shikojnë me mosbesim këtë marrëveshje dhe kanë rezerva për të.

Ky mosbesim dhe kjo rezervë, sipas tij, manifestohet për shkakun se plani i integron serbët e veriut në institucionet e Kosovës, ndaj të cilave ata nuk kanë besim.

“Duket se të gjithë në veri e kanë të qartë se nuk mund ta ndërrojnë qeverinë aktuale dhe se nuk mund ta detyrojnë atë që ta ndryshojë qëndrimin e saj dhe njerëzit janë pragmatik dhe herët ose vonë do të arrijnë deri aty që me këtë qeveri të Serbisë të bëjnë marrëveshje për garanci shtesë, të cilat do të ishin me rënësi të madhe dhe ndihmesë e madhe".

"Garancitë nga Qeveria e Serbisë janë të vetmet që njerëzit do tu besonin. Por, deri në këtë moment, nuk kanë marrë madje as informacione të mjaftueshme e lëre më garanci”, tha Ivanoviq.

Në anën tjetër, sipas planit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit, zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, do të duhej të mbaheshin më së largu në tetor të këtij viti.

Ditë më parë, kryeministri serb Ivica Daçiq i ka porositur serbët e veriut që të marrin pjesë në zgjedhje, përndryshe, siç ka thënë ai, ata “do të udhëhiqen nga serbët e Thaçit”.

Jakshiq, e ka vlerësuar si të shëmtuar deklaratën e kryeministrit serb.

“Mendoj se është një porosi e shëmtuar dhe paksa e pamenduar mirë, sepse ai ka nisur tash t’i ndajë serbët në të Thaçit dhe të tjerë, me konstatimin se edhe këta të tjerët nëse dalin në zgjedhje, atëherë edhe ata do të bëheshin serb të Thaçit".

"Por, kur Daçiqi e di se nuk ka të drejtë, atëherë i përdorë këto metoda. Në anën tjetër, ekzistojnë edhe disa mekanizma të tjerë me të cilat Beogradi do të përpiqet ta ndalojë pagesën e institucioneve në veri, por edhe një vendim i tillë do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën”, theksoi Jakshiq.

Ivanoviq e ka vlerësuar si të vrazhdë dhe të pamatur deklaratën e Daçiqit, por, megjithatë, sipas tij, ajo është reale dhe e saktë.

“Mendoj se mu për faktin që i ka paralajmëruar njerëzit në mënyrë të vrazhdë, kjo mund të jetë madje mjaft efikase, sepse njerëzit do të fillojnë të mendojnë. Në këtë moment shihet se është arritur një polarizim i caktuar. Ky polarizim, para së gjithash është e bazuar në përkatësinë partiake të njerëzve, të cilët janë politikisht aktiv".

"Ata që u përkasin partive që janë në pushtet, tashmë po mendojnë seriozisht se si t’i përshtaten kësaj situate, ndërkohë që disa parti që janë opozitare, sikurse Partia Demokratike Serbe dhe Radikalët, këtë po e shfrytëzojnë edhe më tutje për pozicionimin e tyre në elektorat dhe në partitë e tyre. Unë mendoj se do të ketë marrëveshje, vetëm se nevojitet një fushatë serioze dhe të mos pritet momenti i fundit”, tha Ivanoviq.

Ai ka shtuar se shteti serb duhet ta filloj një fushatë vetëdijesimi, në mënyrë që në shtator të arrihet një klimë e përshtatshme për zgjedhjet.

Sidoqoftë, Ivanoviq ka theksuar se nuk sheh arsye që të ketë përplasje ndërmjet serbëve në veri lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, për shkak se, sipas tij, serbët e veriut nuk kanë instrumente me të cilat do ta pengonin qeverinë e Serbisë në këtë qëllim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG