Kamatat e kredive të (pa)favorshme për bizneset

Ilustrim

Gjendja e vështirë e komunitetit të biznesit, po e detyron këtë të fundit të marrë kredi në bankat komerciale që operojnë në Kosovë.

Kamatat e larta të kredive, po pamundësojnë zhvillimin e aktiviteteve të tyre, madje ka raste kur biznese të ndryshme obligohen të shuajnë veprimtarinë e tyre.

Kështu shprehin shqetësimin përfaqësues të komunitetit të biznesit, shoqërisë civile por edhe afaristë kosovarë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thekson se normat e kredive në bankat komerciale, posaçërisht ato për biznese janë më të lartat në rajon por edhe në Evropë.

Sipas tij, këto norma në masë të madhe po pengojnë biznesin por edhe ekonominë e përgjithshme në vend.

“Bizneset vazhdimisht ankohen për interes të lartë, për jo partneritet të mirë me bankat, sepse bankat nuk gjejnë forma dhe mënyra për t'i dalë biznesit në ndihmë, por bankat i ndihmojnë vetëm bizneset që kanë para, qarkullim, kurse kompanitë e reja, të vogla, ato vështirë e kanë të presin mbështetje nga bankat”, vlerëson Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Edhe përfaqësues të shoqërisë civile, theksojnë se bankat e huaja, që operojnë në Kosovë, kamatat e kredive i kanë më të ulëta në shtete e tyre.

Dita Dobranja, nga Instituti për Politika Zhvillimore, thotë se këto norma të interesit, po pengojnë zhvillimin e bizneseve kosovare.

Kjo automatikisht bën që bizneset ta kenë shumë të vështirë për t'u zhvilluar, në momentin kur kanë nevojë të marrin kredi nga bankat, në mënyrë që të fillojnë, zhvillojnë apo edhe të zgjerojnë më tepër biznesin e tyre”, thotë Dobranja.

Normat e kredive në Kosovë ndryshojnë varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, por që kamatat për biznese arrijnë në mbi 16 për qind.

Këto norma dhe mungesa e një greis- periudhe (një afat i caktuar për mospagimin e këstit të parë për kredi), më së shumti pengon kompanitë prodhuese, thotë Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “FRUTEX”.

“Ne ende pa instaluar linjat prodhuese, ku për të instaluar një linjë, kredia merret paraprakisht, kurse automatikisht pas 30 ditësh fillon kthimi i kredisë. Kësaj kur i shtohet edhe kamatat e kredive më të larta në rajon, gjithsesi është pengesë mjaft e madhe për zhvillim”, thotë Palushi.

Një ndër kredimarrësit më të mëdhenj në bankat komerciale është kompania “ELKOS”.

Pronari Ramiz Kelmendi, pranon se normat e kredive janë shumë të larta, por që sipas tij, janë të përballueshme nëse menaxhohen në mënyrë profesionale.

“Kompania jona është një ndër kredimarrësit më të mëdhenj në Kosovë, ne kemi shfrytëzuar të gjithë potencialin kredidhënës të bankave që operojnë në Kosovë. Faktikisht kamatat janë të larta, por kanë hyrë në funksion të zhvillimit të kompanisë, dhe nuk kemi asnjë ditë vonesë në kthimin e kredive”, shprehet Kelmendi.

Sidoqoftë, në një hulumtim të mëhershëm të bërë nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë Agim Shahini, rezulton se 25 për qind e bizneseve të falimentuara, veprimtarinë e kanë shuar për shkak të kamatave që aplikojnë bankat komerciale.

Ky është një shqetësim i madh, kur dihet se në Kosovë rrezikshmëria për kthimin e kredive, është më e ulëta në rajon dhe në Evropë. Kjo nuk i bën mirë as biznesit as ekonomisë së vendit”, thekson Shahini.

Ndryshe, në një analizë që ka bërë vitin e kaluar nga Instituti “Riinvest”, thuhet se për shkak të hipotekës dhe normës së lartë të kredive, mbi 70 për qind e ndërmarrjeve kanë deklaruar se shërbimet në sistemin bankar janë të pafavorshme për zhvillimin e veprimtarive të tyre.