Ndërlidhjet

Normat e kredive - paradoksale


Banka në Prishtinë
Banka në Prishtinë
Normat e kamatave për kredi të bankave komerciale, janë paradoksale, për shkak se nuk ekziston një treg liberal, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Ata konsiderojnë se pas anëtarësimit të Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe futjes në treg të një banke turke, bankat komerciale është dashur të ulin normat e interesit.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se normat e interesit për kredi, për kushtet në Kosovë, duhet të jenë nga 6 deri në 8 për qind.

Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale. Normat e kredive në këto institucione, qe një dekadë, sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, norma këto që gjithnjë janë cilësuar si më të lartat në rajon.

“Unë besoj se norma e reale për kushtet e Kosovës, por edhe kushtet e vendeve të rajonit, duhet të jetë në mes të 6 dhe 8 për qind. Ky është çmim real i kapitalit të huazuar, edhe pse në shumë shtete të botës, çmimi i huazimit të kapitalit ka rënë në minimum”.

“Ose edhe norma të ulet në eurozonë ku Bankat Qendrore që janë emituese të parasë përmes uljes së interesit dëshirojnë që të zhvillojnë më shpejt ekonominë dhe shtetet e tyre të dalin më shpejt nga recesioni që i ka kapluar”, thotë Bektashi.

Kamatat e kredive i përcaktojnë bankat në bazë të politikave të tyre, ndërsa Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat e bankave

Në anën tjetër, Osman Ejupi, profesor në Kolegjin “Viktoria”, thotë se bankat i mbajnë këto norma, për shkak të tregut joliberal në vend. Ai thotë se të gjitha bankat që operojnë në Kosovë, normat për kredi i kanë më të ulëta në vende tjera të rajonit apo të Evropës ku zhvillojnë aktivitetin e tyre.

“Këtu kanë gjetur një treg joliberal, ka një politikë qeveritare, e cila nuk i nguc në kuptimin e asaj se a ka vend dhe ku është vendi për uljen e normave të kamatës. Kanë gjetur një vend ku paguajnë depozita me një normë të kamatës mjaft të ulët, në krahasim më vendet tjera”.

“Kështu që, deri sa nuk intervenon shteti, organet duke filluar nga Qeveria , pastaj Banka Qendrore me rregullatorët tjerë të pavarur, kjo do të vazhdojë kësisoj, dhe këta po e gëzojnë një liri të veprimit si askund në Evropë”,
vlerëson Ejupi për Radion Evropa e Lirë.

Osman Ejupi, që dikur ka qenë udhëheqës i Autoritet Kosovar të Konkurrencës, dyshon se ka marrëveshje të fshehta në mes institucioneve bankare për të mbajtur nivelin e lartë të kamatave.

Ai thotë se në autoritetin ku ka punuar, ka pas filluar një hetim rreth këtyre bankave, hetimi ka mbetur i papërfunduar, megjithatë, sipas tij, ka pasur elemente që këto banka mund t’i detyronin t’i ulnin normat e interesit.

“Me vetë faktin që thashë se tregu financiar nuk është liberal, kjo nënkupton se ka mundësi që prapa këtij liberalizimi të fshihen marrëveshje të ndryshme, qofshin ato xhentile të shkruara dhe të pashkruara, në kuptimin e mbajtjes edhe më të tutje të nivelit të lartë të kamatave të kredive”.

“Kjo që po ndodh këtu është një paradoks i llojit të vet, që nuk po ndodh vetëm viteve të fundit, por që nga fillimi i afarizmit të këtyre bankave në Kosovë, këta në mënyrë permanente mbajnë nivelin e lartë të normave të kamatave, nga të gjitha vendet ku operojnë”,
thekson Ejupi.

Përveç kamatave të larta, bankat komerciale në vend, së fundmi kanë shtrenjtuar edhe pagesat për shërbimet bankare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG