Ndërlidhjet

Institucionet mikrofinanciare me kamata enorme


Ilustrim
Ilustrim
Në Kosovë operojnë 14 institucione mikrofinanciare, me mbi 110 degë. Aktiviteti i tyre është dhënia e kredive dhe ofrimi i një numri të kufizuar të shërbimeve financiare për mikro dhe subjektet e vogla juridike. Kryesisht, janë të fokusuara në dhënien e kredive për bujqësi.

Po, sa janë të sigurta këto institucione, që në fillim regjistrohen si organizata joqeveritare, cilat janë normat e interesit dhe periudha e maturimit dhe cili është interesimi i qytetarëve për të marrë kredi në këto institucione?

Për ekspertë të çështjeve ekonomike këto institucione janë të sigurta, meqë nuk pranojnë depozita, por vetëm kanë ofertat e tyre.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thekson se këto institucione janë shumë të sigurta pasi nuk pranojnë depozita, por merren vetëm me dhënien e kredive në shuma të vogla, me procedura të shpejta, por me norma shumë të larta të interesit.

“Interesimi i qytetarëve është shumë i lartë, por këto kredi zakonisht shkojnë në disa sektorë që kryesisht kanë të bëjnë me sektorin e bujqësisë, artizanat apo zejtari. Sa i përket normave të interesit, varet nga institucionit mikrofinanciar, por zakonisht kamatat e kredive janë dyfish më të larta se sa të institucioneve bankare", thotë Bektashi.

Sidoqoftë, sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës, normat e kredive në institucionet mikrofinanciare sillen mbi 22 për qind.

BQK
BQK
Me gjithë normat e larta në këto institucione, interesimi i qytetarëve për kredimarrje ka qenë i madh, thotë Alban Zogaj, nga Instituti “Riinvest”. Ai thotë se siguria në këtë sistem ka ndikuar në rritjen e kërkesave të qytetarëve, por edhe rritjen e numrit të vetë institucioneve mikrofinanciare.

“Dallimi me normat e interesit me bankat në Kosovë, është kryesisht tek ideja që këto institucione mikrofinanciare japin kredi në shuma më të ulëta sesa bankat dhe me një fleksibilitet më të lartë, do të thotë për një kohë më të shkurtër".


"Dhe, këtë rrezik që e bartin mbi vete, pasi janë më fleksibile, e shprehin pastaj me norma më të larta. Dhe, për çudi, edhe me këto norma të larta interesi, ka pasur një kërkesë të madhe edhe nga qytetarët dhe nga bizneset për të aplikuar për këto kredi”, shprehet Zogaj.

Megjithatë, Bektashi vlerëson se funksionimi i këtyre institucioneve mikrofinanciare, ndihmon në masë të madhe në aktivitetet ekonomike të qytetarëve.

“Ka lehtësira në aktivitetet ekonomike të qytetarëve, por në anën tjetër, qytetarët paguajnë norma shumë të lartë të interesit. Edhe pse momentalisht në Kosovë funksionon një mikrofinancë islamike, që sipas njohurive të mia, ka dy filiale në Kosovë. Aty shumat e kredive janë të vogla, por qytetarët për to nuk paguajnë normë të interesit, apo norma e interesit ka të bëjë vetëm me shpenzimet administrative”, shpjegon Bektashi.

Ndryshe, sipas Bankës Qendrore të Kosovës gjatë vitit 2012 performanca e këtyre institucioneve ka shënuar rënie. Kreditë e lëshuara nga këto institucione kanë pësuan rënie të vazhdueshme gjatë vitit 2012, ku në dhjetor arritën në 98.8 milionë euro nga 104.7 milionë sa ishin në dhjetor të vitit 2011.

Po, sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit të kaluar këto institucione kanë shënuar humbje në vlerë prej 4.5 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG