Ndërlidhjet

Bizneset të shfrytëzojnë burime alternative


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Bizneset kosovare kanë në dispozicion burime të kufizuara të qasjes në kapital. Përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se duhet ngritur domosdonë e hapjes së burimeve të tjera të qasjes në kapital me kushte më të përshtatshme.


Kursimet personale, huazimet nga miqtë dhe familja, si dhe kreditë bankare, janë burimet e vetme të qasjes në kapital për bizneset. Duke pasur parasysh që këto burime nuk janë të sigurta, përfaqësues të bizneseve edhe ekspertë të ekonomisë rekomandojnë krijimin e burimeve të reja të qasjes në kapital, të cilat do të mundësonin financimin e projekteve të ndryshme afariste.

Arian Zeka, nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë se sa i përket qasjes në kapital, bizneset e Kosovës kanë vështirësi tepër të mëdha.

“Ekziston një qasje e vogël në kapital në Kosovë, mirëpo edhe vetë bizneset nuk janë të informuara që ekzistojnë burime të tjera. Ato zakonisht kanë dëgjuar dhe janë mbështetur në kreditë bankare dhe nuk janë të vetëdijshme që ekzistojnë edhe forma tjera të financimit, siç janë kreditë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këto kredi ofrohen, qoftë në formë të granteve, qoftë në formë të kredive me norma më të përshtatshme të interesit”, thotë Zeka.

Ai thekson se bizneset kosovare kur dëshirojnë të kenë qasje në kreditë që ofrojnë mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, duhet të jenë më të përgatitur me planet e tyre të biznesit.

“Ajo çka kemi dëgjuar nga përfaqësuesit e këtyre mekanizmave është se bizneset nuk kanë aftësi, apo nuk janë të mira në përgatitjen e planeve të biznesit. Shumë shpesh kjo portofolio e kredive, ose e ndihmës financiare që është ndarë për Kosovën, kthehet e pashfrytëzuar në vendin e origjinës, për shkak se bizneset nuk janë në gjendje të aplikojnë me një plan të përshtatshëm që do t’iu mundësonte atyre bizneseve të kenë qasje në këto kredi”, shprehet Zeka.

Një studim i Odës Ekonomike Amerikane tregon se për nisjen e bizneseve të reja, 27 për qind e financimit sigurohet nga bankat, 13 për qind huazime nga miqtë dhe familja, dhe 39 për qind sigurohen nga kursimet personale.

Ndërkaq, ekspertë të ekonomisë theksojnë se shumica e bizneseve në Kosovë përdorin kreditë bankare për realizimin e planeve të mëvonshme afariste.

Por, normat e larta të interesit, me të cilat ata i marrin kreditë, sipas profesorit të Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Musa Limani, bëhen mjaft penguese për zhvillimin e tyre.

“Ky problem është te ne, pasi që ky burim kryesor është shumë i shtrenjtë. Politika kreditore në Kosovë nuk është në funksion të zhvillimit të bizneseve, për arsye se kreditë, qoftë afatshkurta apo afatgjata, jepen në kushte jashtëzakonisht të vështira, ngaqë norma e kamatës është shumë e lartë. Në Kosovë kjo normë sillet rreth 15 për qind”, thekson Limani.

Burimet alternative të kapitalit, vlerëson Limani, do të ndihmojnë në uljen e normave të interesit:

“Për të bërë një biznes, përveç akumulimit individual apo investimeve të individit a subjektit ekonomik, duhet të ketë edhe burime tjera financiare për arsye se afarizmi mund të zgjerohet ose mund të vijë te ndonjë krizë momentale, ose mosrealizimi i mallrave nuk mund të vazhdojë kontinuitetin e procesit të prodhimit, prandaj biznesi është i detyruar që të gjejë burime tjera financiare për të siguruar kontinuitetin e procesit të prodhimit”.

Në këtë drejtim, Qeveria e Kosovës, thekson Limani, duhet ta ndryshojë politikën kreditore dhe të ndikojë te bankat afariste që ta ndryshojnë këtë politikë.

Ky rekomandim i profesor Limanit, edhe sipas studimit të Odës Ekonomike Amerikane, bëhet edhe më i fuqishëm nëse llogaritet që një numër i madh i bizneseve nuk kanë kërkuar fare kredi për shkak të normave të larta të interesit.
XS
SM
MD
LG