Rezistenca në zbatimin e marrëveshjes

Mitrovicë

Zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të marrë kohë, por me një vullnet politik si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia, ajo lehtë mund të zbatohet në terren, thonë analistët politikë.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, konsideron se marrëdhënia në mes të shtetit të Kosovës dhe asociacionit të komunave, do të jetë çështja më e vështirë për zbatim në praktikë.

“Beogradi nuk do ta ketë gjithaq vështirë me gjithë rezistencën e mundshme në terren që ta zbatojë marrëveshjen. Kurse, pala kosovare mendoj se më së vështiri do ta ketë që t’i kryejë detyrat shtetërore sipas marrëveshjes, sepse varet sa serbët e veriut do ta pranojnë rendin kushtetues dhe ligjet e Kosovës”, thotë Matoshi.

Marrëveshja e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në ndërmjet të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e përafruar në Bruksel më 19 prill, sipas Matoshit, nuk do të ketë vështirësi shumë të mëdha në zbatim, pasi që, sipas tij, serbët dhe strukturat e tyre në atë pjesë të Kosovës janë të dirigjuara nga Beogradi.

“Duket se megjithatë, pika më delikate do të jetë shpërbërja e strukturave paralele, e strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë dhe inkuadrimi i tyre në organet ose në pushtetin e ri që do të krijohet atje”, vlerëson Matoshi.

Kurse, analisti Ardian Arifaj, nga instituti KIPRED, konsideron se pika 12 e marrëveshjes, e cila pritet të hartohet të premten, do të jetë më e vështira për zbatim.

“Pika që flet, e që nesër pritet të sqarohet, kap ketë orarin e implementimit të të gjitha pikave të tjera edhe për mekanizmat që do të sigurojnë implementimin e tyre. Nëse nuk implementohet kjo marrëveshje, edhe po të jetë marrëveshja më e mirë, qoftë për palën kosovare, qoftë për palën serbe, ajo do të jetë marrëveshje koti”, konsideron Arifaj.

Plani për zbatimin e marrëveshjes do të përmbyllet brenda dy ditëve, kanë thënë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, ashtu siç është planifikuar me marrëveshje.

Më pas, sipas zyrtarëve, në ditët e ardhshme, pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet dy kryeministrave, atij të Kosovës dhe tjetrit të Serbisë, plani do të sillet para Kuvendit të Republikës së Kosovës për t’u ratifikuar.

Mirëpo, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në veri vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe zëvendëskryeministri i parë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në takim përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës.

Kryetari paralel i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiq, tha në Beograd se kanë përkrahje për rezistencë të qetë për të mbijetuar në Kosovë. Sipas tyre, nëse nuk realizohen kërkesat e tyre për të kundërshtuar marrëveshjen, do të protestojnë në Beograd.

“Ne kemi thënë që populli ynë nuk do ta implementojë marrëveshjen, sepse jo vetëm që është e papranueshme, por është edhe e paimplementushme. Patriarku ynë ka thënë që kisha jonë edhe ai vetë 100 për qind janë me popullin serb të Kosovës“, u shpreh Ristiq.

Ndërkohë, analisti i çështjeve politike nga Beogradi, Predrag Simiq, thotë që është vështirë të binden serbët e veriu për të mos minuar implementimin e marrëveshjes, pasi që, sipas tij, ata mendojnë që janë duke jetuar në Serbi.

''Serbët e veriut të Kosovës, mendojnë që po humbin, sepse deri tash kanë jetuar në një botë të tyre, kanë pasur një liri për vete dhe mbështetjen e Serbisë. Me siguri që tash kjo ka marrë fund dhe duhet nisur nga fillimi'', thekson Simiq.