Rriten fondet për trajtim të pacientëve

Fotografi ilustruese


Në tremujorin e parë të këtij viti kanë përfituar shërimin falas 176 pacientë nga fondi i Ministrisë së Shëndetësisë, nga programi për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Por, kërkesat e pacientëve për trajtime të tilla, vazhdojnë të mbeten të larta.

Drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se këtë vit, për këtë program, është rritur buxheti edhe për një milion euro.

Gjatë këtij viti, programi për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike i Ministrisë së Shëndetësisë, ka pasur një ngritje dhe këtë vit ky fond është për 1 milion euro më shumë dhe totali është 3 milionë euro. Ne besojmë shumë se kjo ngritje e buxhetit, së bashku me hapjen e disa shërbimeve të reja në sektorin privat në Kosovë, do të ndikojë shumë që numri i pacientëve që shkojnë jashtë vendit, të zvogëlohet”, tha Hoti.

Ai përmend, gjithashtu, edhe faktin se shumë pacientë tashmë po trajtohen brenda Kosovës, por jashtë institucioneve publike, derisa numri i atyre që udhëtojnë jashtë vendit, ka rënë dukshëm.

“Nëse u referohemi shifrave të tremujorit të parë, që kanë kaluar në programin për trajtim jashtë vendit të QKUK-së, shohim që numri i të trajtuarve është 176 dhe ajo çka mund të konsiderohet pozitive është se sivjet kemi rritje të numrit të pacientëve që po trajtohen në spitalet private në Kosovë dhe kemi rënie të pacientëve që shkojnë për shërim jashtë vendit”.

“Kemi rastet nga fusha e kardiologjisë invazive dhe kardiokirurgjisë ku kemi 68 pacientë që janë trajtuar brenda Kosovës në spitalet private, 43 për rezonancë magnetike, derisa numri i pacientëve jashtë vendit ka qenë shumë i vogël. Në Austri kanë shkuar 3 raste, në Belgjikë 1, Gjermani 4, e në Itali 1”, bëri të ditur Hoti.

Shërbimet, të cilat nuk ofrohen në sistemin publik, janë kryesisht ato të kardiokirurgjisë, kardiologjisë invazive, oftalmologjisë, shërbimet ortopedike, sëmundjet e rënda të leukemisë, si dhe disa shërbime të tjera.

Ndërkaq, pacientët ankohen për cilësinë e shërbimeve brenda institucioneve publike shëndetësore.

“Mendoj që është një përparësi shumë e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, meqë ekziston bashkëpunimi mes institucioneve publiko-private dhe pacientët mund t’i marrin shërbimet shëndetësore brenda vendit. Por, mirë do të ishte të përmirësohej gjendja në QKUK, meqë shërbimet aty janë të mangëta, dhe dimë shumë raste të ndryshme dështimesh që ndodhin brenda institucioneve publike shëndetësore”, thotë Ajtene Morina, qytetare.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se kohët e fundit nuk është bërë ndonjë monitorim, në mënyrë që të jepet vlerësimi mbi cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Sidoqoftë, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, patën deklaruar se sipas disa hulumtimeve të bëra nga Banka Botërore vitet paraprake, për një vit, pacientët kosovarë kanë shpenzuar rreth 80 milionë euro për t’u shëruar jashtë vendit.