Studimet nga interneti

Ilustrim


A po zëvendëson versioni elektronik librin klasik? A po përdoret interneti apo leximi virtual edhe për literaturën e nevojshme për studime në fakultet e në shkollë të mesme?

Në rubrikën e përjavshme VOX, të Radios Evropa e Lirë, disa të rinj shprehen se nuk është më në “modë” leximi i librit të shkruar apo klasik, ngase një gjë e tillë është zëvendësuar nga forma tjera që i ofron teknologjia.

Për të marrë informacione shtesë, ata thonë se hulumtojnë portale të ndryshme në internet.



Blinera Sherifi, është nxënëse në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Ajo thotë se lexon shumë në versionin elektronik, për shkak se librat nuk ofrojnë informacione të mjaftueshme. Blinera tregon se më shumë në internet lexon për shkrimtarët shqiptarë.

“Për shkrimtarë shqiptarë, për të cilët tash jemi duke mësuar në gjuhë shqipe, më shumë marrin informata në internet, se sa në libër. Në libër i kemi shumë shkurt të shkruara, ndërkaq në internet ka më shumë material”, thotë Blinera.

Deri 30 për qind të literaturës së nevojshme për studime thotë se e lexon në versionin elektronik edhe Astrit Isufi, student në vitin e tretë në Fakultetin Ekonomik, por që paralelisht studion edhe Gjuhën Angleze në Fakultetin e Filologjisë.

“Për rreth 30 për qind të materialeve e shfrytëzoj internetin. Lexoj më shumë material shtesë dhe materiale relevante për temën që më duhet mua. Ka raste kur nuk ka literaturë të mjaftueshme, dhe duhet patjetër të kërkoj në internet, por ka raste kur kam nevojë për studime më të thella për ndonjë lëndë të caktuar”, tregon Astriti.

Mbresa Abazi, studion Fakultetin e Arkitekturës. Ajo tregon se shfrytëzon internetin për studime, pasi ka dëshirë të shikojë ndërtimet e objekteve të ndryshme në tërë botën:

"Më shumë e përdori në projektim dhe histori të Arkitekturës, për objektet për analizë arkitekturale, për objektet e reja që po ndërtohen nëpër botë”.

Edhe Blerta Beselica, nxënëse e shkollës se mesme, thotë se më tepër ka dëshirë të lexojë në internet se sa në libër. Ajo, madje, tregon se për lëndën e Fizikës, informohet shumë nga interneti.

"Në internet janë shumë më mirë të shpjeguara. E shikoj Fizikën, kryesisht në YouTube, gjej profesor që shpjegojnë shumë më mirë, pasi përmendin tema jashtë librave. Kur nuk kam diçka të qartë dhe më duhet të freskoj të njëjtin mësim, hy në internet. Më shumë ndjej kënaqësi të lexoj në internet, pasi janë më qartë të shpjeguara”, pohon Blerta.

I riu tjetër, Visar Shala, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se për të gjitha mësimet obliguese informohet nga interneti. Ai ndërkaq, tregon se ka raste kur edhe profesorët preferojnë që literaturën ta gjejnë në internet:

“Varet nga cila lëndë dhe cili profesor që e përdor internetin, që të na hyjë në punë edhe neve interneti. Nuk lexoj tema jashtë atyre obliguese, sepse nuk kam kohë, pasi që punoj. Mjaftojnë vetëm ato që m’i jep profesori. Edhe vetë disa profesorë huazojnë literaturë nga interneti apo nga mësimdhënësit nga Shqipëria dhe neve na japin një përmbledhje”.

Liridoni thotë se interneti dhe teknologjia, në përgjithësi, kanë rritur informacionin dhe në mënyrë shumë pozitive po ndikon në aspektin e leximit.

“Për shkak të internetit, po gjejmë material të mjaftueshëm. Profesorët lejojnë që të japim përgjigje edhe jashtë librave të tyre, por edhe nga interneti”, tregon Liridoni.

Studentët shpesh herë preferojnë të marrin diçka nga interneti për shkak të mungesës së literaturës, por edhe për shkak të çmimeve të larta të librave, thotë Kreshniku:

“Një libër mund të kushtojë 54 euro, ndërsa unë mund të marr nga interneti falas. Pra, më mirë është të shfrytëzohet interneti”.

Ndërkaq, Besnik Hajdari, thotë se teknologjinë informative e përdor më shumë për përkthime nga gjuha shqipe në gjuhë tjera të huaja.

"Besoj se interneti duhet të shfrytëzohet për literaturë, apo për përkthime. Sepse ka portale që përkthejnë nga gjuha shqipe në gjuhë angleze, dhe anasjelltas", thotë Besniku.