Ndërlidhjet

Sa po ndikojnë lektyrat në lexueshmëri?


Libra për fëmijë
Libra për fëmijë
Bota virtuale, në të cilën jetojnë fëmijët sot përgjithësisht, ka bërë që nëpërmjet internetit ata të njihen më nga afër me dimensionet e kësaj bote.

Një prej tyre edhe Arta Musliu, 13 vjeçare, e cila vijon mësimet në klasën e shtatë. Ajo tashmë e flet gjuhën angleze, gjë që i ka ndihmuar të zgjerojë horizontin dhe të lexojë libra tjerë, përpos atyre në gjuhën shqipe.

Një nga kritikat që më së shumti dëgjohet këto ditë është ajo që ka të bëjë me lexueshmërinë e librave.

Në këtë kuadër, shkollat fillore dhe të mesme, në kuadër të planprogrameve të tyre, parashohin që nxënësit e këtij niveli të shkollimit, të lexojnë nga një lektyrë në muaj.

Por, sa është e përshtatshme përzgjedhja e lektyrave që bëhet, karshi botës virtuale në të cilën jetojnë?

Arta thotë se kjo gjë nuk i pëlqen, sepse librat që i ka për obligim t'i lexojë në shkollë, sipas saj, nuk janë atraktiv.

"Së pari, më së shumti me ka penguar që na i kanë caktuar, na e kanë dhënë vetëm një , dhe ato kanë qenë të vjetra dhe nuk ke mundur t'i gjesh çdokund. Është dashur të na japin më shumë zgjedhje dhe të shikojnë se çka na pëlqen, sepse nuk të pëlqen çdo lektyrë që ta japin. Ju ka kaluar koha, më mirë kishte qenë të na japin diçka më të re, se sa të njëjtat lektyra që jepen për çdo vit".

Ajo thotë se kjo mënyrë e dhënies së lektyrës nuk i nxitë nxënësit të lexojnë.

"Shumë pak i lexojnë. E kanë ndonjë shoqe apo shok që e ka pasur të njëjtën lektyrë vitin e kaluar, sepse nuk ndërrojnë kurrë, dhe ua marrin atyre dhe vetëm e përshkurajnë", thotë Musliu për Radion Evropa e Lirë.

Vullnet Gashi, vajza e të cilit vijon mësimet në klasën e tretë, thotë se lektyrat shkollore nuk i duken adekuate për moshën e vajzës. Me gjithë faktin që ai thotë se ata libra e kanë vlerën e tyre, ai mendon se fëmijëve u duhet diçka më e përshtatshme.

"Vajzën e kam në klasën e tretë, e kam parë duke e lexuar 'Librin e Gabimeve', që ma merr mendja që nuk është adekuat për atë moshë. Mendoj që është për moshë shumë më të madhe, që kanë diapazon të dijes më të gjerë se një fëmijë 8 vjeçar", bën të ditur Gashi.

Sipas Ligjit për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe të dokumentacionit, thuhet se ndalohet që këto tekste të bëjnë propagandë kundër Kosovës, të cenojnë të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore dhe të nxisin urrejtje politike, nacionale dhe fetare.

Blerim Muhaxheri, menaxher në librarinë "Dukagjini", për Radion Evropa e Lirë thotë se interesimi i fëmijëve për të blerë lektyra shkollore është mjaft i madh. Megjithatë, sipas tij, librat si "Harry Potter" dhe librat e ilustruar janë më joshës për fëmijët.

"Interesim ka prej çka iu japin në shkolla. Zakonisht ato janë botime të vjetra që ribotohen përsëri, botime të reja ka shumë pak, por unë besoj që ato janë adekuate për moshën e tyre. Por librat si 'Harry Potter' dhe këto librat tjerë që dalin nga filmat vizatimorë, normalisht që janë shumë më tërheqës dhe ato vijnë i marrin jashtë sugjerimeve të mësimdhënësve", thotë Muhaxheri.

Ndërsa Nysrete Shkodra, mësuese në Shkollën Fillore "Faik Konica", thotë se gjeneratat kanë ndryshuar, dhe se në ditët e sotme, nxënësit tash kërkojnë shumë më shumë libra për ta zhvilluar imagjinatën e tyre.

"Kanë nevojë për diçka tjetër. Janë gjeneratë e re, iu duhet edhe dicka plotësuese. Nuk janë fëmijët si me parë. Këta janë fëmijë që kërkojnë më tepër. Ka nevojë të ndërrohet. Këta libra janë qysh në kohën time, çfarë unë ju kam hënë para 35 vjetëve nxënësve të mi, të njëjtat lektyra po përsëriten", thekson Nysrete Shkodra.

Edhe pse librat si "Luli I Vocërr" i shkruar nga Migjeni, "Verorja" nga Rexhep Hoxha, "Afërdita Përsëri Në Fshat" nga Sterjo Spase, e shumë libra të tjerë, konsiderohen si vepra të paharrueshme dhe me vlera të mëdha në letërsinë shqipe, ata të cilët shpesh kritikohen se nuk po lexojnë sa duhet, kërkojnë një gamë më të gjerë, për të shuar etjen që kanë përballë një bote të pakufishme.
XS
SM
MD
LG