Ndërlidhjet

“Hi, flm, sps...” - gjuha “moderne” e të rinjve


Ilustrim
Ilustrim
Gjuha dhe format e të folurit, me të cilat të rinjtë e Kosovës komunikojnë në rrjetet sociale, janë krejtësisht jashtë të të folurit apo të shkruarit të shqipes standarde dhe kjo i dëmton të rinjtë në zbatimin e kësaj të fundit, vlerësojnë disa të rinj kosovarë.

Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, ata thonë se format e të folurit, të cilat përdoren në rrjetet sociale, madje, janë bërë si një zhargon trendi edhe në komunikimin e përditshëm jashtë këtyre rrjeteve.

Blerton Ademi, nxënës i shkollës së mesme, thotë se gjuha me të cilën komunikojnë të rinjtë në rrjete sociale, përfshin mjaft shprehje nga gjuhët e huaja. Të njëjtat shprehje, sipas tij, janë bërë rutinë edhe në komunikimin e përditshëm, jashtë kufijve virtualë.

“Gjuha në rrjetet sociale kryesisht po përzihet me anglishten ose edhe me gjuhë tjera. Po përdoren zhargone. Zakonisht, ato fjalë, ne të rinjtë po i përdorim edhe në jetën normale. Ndoshta është keq për gjuhën tonë, por ne përsëri e bëjmë këtë në përditshmëri. Për shembull ‘hi ose hello’... këto të gjitha kanë ardhur nga anglishtja. ‘Like’, ‘comment’, e të gjitha këto kanë ardhur nga rrjetet sociale që i përdorim, ‘Facebook’-u, “Twitter’, etj”.

Por, Sead Vuniqi shpreh mendimin se gjuha, e cila përdoret nga të rinjtë gjatë komunikimit në rrjetet sociale, është gjuhë e mbushur me shprehje “të rrugës”. Kjo, sipas tij, është një lloj shkëmbimi, sepse, siç thotë, gjuha e rrugës futet fillimisht në rrjetet sociale dhe nga këto të fundit kthehet përsëri në rrugë tek ata të rinj, të cilët më parë nuk e kishin përdorur.

“Thënë drejt, ajo gjuhë duket paksa si e rrugëve. Po përdoret në rrjetet sociale, si në ‘Facebook’ dhe të tjera. Ka nisur kjo edhe nëpër familje, sepse po mësohen zakonisht rrugëve dhe me shoqërinë. Shumica e shprehjeve janë shkurtesa”.

Sipas të rinjve, gjuha e komunikimit në rrjetet sociale është e mbushur me barbarizma, shkurtesa ose akronime, të cilat, për ata që nuk janë pjesë e këtyre rrjeteve, janë të pakuptueshme. Për shembull, sipas tyre, në shumë raste, ata nuk e thërrasin dikë në emër, por përdorin shprehjet “o tip” ose “o njeri”.

Pastaj, bëjnë komplimente në formën “po dokesh nice njeri” në vend të shprehjes “dukesh bukur zotëri’. Edhe shprehjet emocionale, ata i shpërfaqin në formën “jam happy” në vend të shprehjes “jam i lumtur” dhe të ngjashme.

Kristina Gjokaj thotë se, jo rrallë, kjo formë e komunikimit, e cila është bartur edhe në përditshmërinë reale, u është hakmarrur të rinjve, sidomos në institucionet arsimore.

“Ato shprehje që po i përdorin në rrjetet sociale, ato po i përdorin edhe në jetën e përditshme. Unë mendoj se kjo ndikon shumë keq. Përderisa ne e kemi gjuhën shqipe, atëherë ne duhet të flasim shqip. Unë edhe vetë e përdor. E devijojmë pak dhe nuk e flasim ashtu si në gjuhën letrare, ashtu siç edhe e lexojmë. Përdorim fjalë të huaja, gjysmë-fjalë. Për shembull, i bën një nder dikujt dhe ai nuk të thotë ‘faleminderit’, por vetëm ‘flm’. Janë këto shkurtesa, saqë harrojmë edhe kur hyjmë në teste (në fakultet) dhe i përdorim ato... ndonjëherë ndodh edhe të biem nga provimet”.

Megjithatë, Faton Osmani nuk e sheh si diçka tragjike përdorimin e zhargonit në rrjetet sociale, por, sipas tij, nën këtë ndikim nuk duhet rënë fëmijët.

“Kur hyn në ‘Facebook’ apo, pa marrë parasysh në cilin rrjet, kjo përdoret. Në Kosovë shumë është duke u përdorur. Por, nuk është tragjike. Është mbase tragjike për të vegjlit, fëmijët tanë, sepse po mësojnë gjëra të këqija”.

Visar Krasniqi thotë se gjuha që përdoret në rrjete sociale nga të rinjtë, është po ajo gjuhë me të cilën ata komunikojnë edhe në jetën e përditshme, jashtë rrjeteve. Kjo, sipas tij, në njëfarë mënyre, është edhe një pasqyrë e kulturës gjuhësore te të rinjtë.

”Unë mendoj se gjuha, të cilën ne e përdorim nëpër rrjetet sociale, është gjuha e njëjtë, të cilën ne e përdorim në përditshmëri. Në njëfarë mënyre, gjuha në rrjetet sociale tregon se çfarë kulture ne kemi. Praktikisht, është një gjuhë e rrugëve dhe e kafeneve, por të cilën një pjesë e mirë e njerëzve e hedhin në ‘slengun’ e rrugës dhe një pjesë e transportojnë në gjuhën standarde. Nëse i dëgjojmë njerëzit në kafene dhe në rrjete sociale, është biseda e njëjtë”.

Donjeta Tullari thotë se në komunikimin ndërmjet të rinjve në rrjetet sociale janë tepër të pranishme shprehjet nga gjuhët e huaja, kryesisht nga ajo angleze, por edhe shkurtesat për shprehje të ndryshme.

“Ka shumë fjalë që përdoren dhe janë të gjuhës angleze, por ne i ‘kthejmë’ në gjuhën tonë shqipe dhe i përdorim edhe nëpër rrugë, por edhe në jetën e përditshme. Këto janë shkurtesa. Për shembull: ‘flm’ është për ‘faleminderit’, ose ‘sps’ është për ‘s’ka përse’. Nuk them se këtë e bëjmë edhe në familje, sepse janë prindërit që nuk na lejojnë ta përdorim këtë komunikim, por ne të rinjtë, mes vete, e përdorim shumë”.

Vigan Ademi nuk mendon se gjuha e komunikimit në rrjetet sociale tolerohet edhe në shkolla.

“Gjuha e njëjtë ndërmjet shokëve mund të flitet edhe në internet, por jo edhe nëpër shkolla. Kur kemi ndonjë fjalim më formal, është më ndryshe. Por, neve na është bërë shprehi që të flasim ashtu sikur në rrjetet sociale. Ne i ndryshojmë shumë fjalë dhe nuk i themi ashtu siç do të duhej. Përdorim edhe fjalë nga anglishtja e kështu me radhë”.

Ndërkaq, për gjithë këtë situatë, Rina Beqiraj, shpreh mendimin e saj:

“Në shumë raste janë shkurtesat e fjalëve. Do të thotë, ka edhe fjalë që kthehen në formën e mbrapshtë, si për shembull: ‘op’ në vend të pohimit ‘po’... Pastaj ‘flm’, ‘sps’... janë shkurtesa që përdoren. Zakonisht përdoret një gjuhë, që në jetën e përditshme më të moshuarit nuk e përdorin. Pra, është një gjuhë ‘trendy’, nëse mund të them kështu ose gjuhë në modë, siç e vlerësojnë të rinjtë sot. Mendoj se nuk është korrekte që ta flasim atë gjuhë, sepse ne kemi gjuhën standarde tonën. Ndoshta edhe mund të flasim gegërisht ose toskërisht në disa vende, por jo gjuhën ‘trnedy’ siç e përdorin të rinjtë sot. Mendoj se nuk është mirë”.
XS
SM
MD
LG