Kosova dhe BE-ja duhet të kenë Plan B

Kosova nuk mund të mbetet peng i disponimeve të ndryshme të Beogradit, tha ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, me rastin e prezantimit të një analize nga “Forumi 2015”, me temën “Raportet Kosovë - BE: Historia e aspiratave të parealizuara”.

Ministrja Çitaku theksoi se në rast se nuk arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë - Serbi, atëherë Kosova dhe BE-ja, mund të nënshkruajnë një marrëveshje dhe të mendojnë për një Plan B.

“Kosova dhe BE-ja nuk guxojnë të bëhen peng i Serbisë. Në rast se nuk kemi marrëveshje trepalësh, Kosovë - Serbi- BE, ne duhet të bëjmë një marrëveshje dypalëshe Kosovë- BE. Tash të jemi shumë të hapur, ne kemi një problem, në veri kemi struktura paralele dhe këtu po i referohem atyre të sigurisë”.

“Kemi pafundësisht para që jepen nga ana e Serbisë dhe ato nuk do të ndër prehen në rast se nuk ka marrëveshje. Mirëpo, a do të thotë kjo që Kosova dhe BE-ja duhet të zmbrapsen? Kosova dhe BE-ja duhet të bëjnë një Plan B”, tha Çitaku.

Në këtë, aspekt Çitaku shtoi se Kosova dhe BE-ja, duhet të tregohen më serioze dhe më të vendosura.

“Ajo marrëveshje që është ofruar dhe që është derivat i këtij procesi të gjatë negocimi, duhet të jetë marrëveshje e Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe ne duhet dyanshëm dhe njëlloj siç e kemi implementuar Pakon e Ahtisarit, të fillojmë dhe të implementojm atë çfarë ne e kemi dakorduar në Bruksel. A do të jetë më e lehtë sikur Serbia të jetë në bord? Absolutisht po, ajo nuk diskutohet. Mirëpo, a do të thotë kjo se ne duhet të zmbrapsemi dhe të presim momentin kur Serbisë t’i vije disponimi për të pranuar marrëveshjen? Kurrsesi jo!”, theksoi Çitaku.

Kreu i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, deklaroi se që nga fillimi i dialogut, ka qenë e ditur se çështjet e vështira do të vijnë një kohë. Ai theksoi, po ashtu, se dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhë shumë probleme.

Samuel Zhbogar

“Procesi mund t’i kontribuojë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, normalizimit të gjendjes brenda Kosovës - në veri. Mund t’i kontribuoj normalizimit të marrëdhënieve të shqiptarëve dhe serbëve. Dhe, jam i bindur që dialogu do t’i ndihmojë Kosovës në rrugën drejt BE-së", u shpreh Zhbogar.

Derisa procesi i dialogut Prishtinë - Beograd është i rëndësishëm, Zhbogar tha se kjo nuk do të thotë që BE-ja, do t’i anashkaloj proceset e tjera.

Sipas Zhbogarit, në Kosovë, duhet t’ju kushtohet vëmendje edhe proceseve të tjera, siç janë; reformat zgjedhore, kontrolli ekzekutiv i Kuvendit, si dhe lufta kundër korrupsionit.

Ndryshe, në serinë e analizave nga “Forumi 2015”, gazetari Augustin Palokaj, në publikimin e tij që është bërë të enjten me titull “Raportet Kosovë – BE; Historia e aspiratave të parealizuara”, thotë se “Kosova është vonuar shumë dhe ka ngecur krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Kjo si pasojë ka mungesën e zhvillimit ekonomik në Kosovë, ngecjen në arritjen e standardeve demokratike dhe funksionimit demokratike të shtetit”.