Priten analiza të reja të qumështit

Ilustrim

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës është në pritje të rezultateve laboratorike për disa lloje të qumështit, ndërkohë që, ditë më parë ka urdhëruar largimin nga tregu të disa llojeve të qumështit të importuar dhe produkteve të tyre, të cila, sipas analizës së parë, kanë rezultuar si të dyshimta se kanë sasi të Aflatoksinë, përtej normave të parapara me standardeve të lejuara.

Lamir Thaçi, zyrtar për informim i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk ka asnjë vend për shqetësim sa u përket produkteve të qumështit, të cilat aktualisht gjenden në tregun e Kosovës.

Çdo moment presim për analizat tjera që do të vijnë për ngarkesat tjera, sepse masat e kontrollit të lartë parasheh që secila maune të ‘mostrohet’ dhe të dërgohet për analiza. Do të thotë, ne jemi duke i pritur për çdo ditë rezultatet e reja për secilën ngarkesë. Ato që dalin pozitive do të asgjësohen e ato që dalin negative do të lejohen për konsum të brendshëm. të gjitha që janë brenda tregut janë të verifikueshme dhe janë plotësisht të sigurta për konsum”, tha Thaçi.

Në anën tjetër, Ramadan Memaj, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se sa i përket konsumit të produkteve të qumështit të prodhimit vendor, qytetarët nuk duhet të kenë shqetësime, për shkak se ato tashmë janë të verifikuara.

Por, megjithatë, ai ka lënë një shteg të hapur lidhur me këtë çështje.

Rreziqet gjithmonë ekzistojnë. Nëse ne e themi se jemi të përjashtuar, si Kosovë, prej rreziqeve, atëherë ose jemi duke ia bërë qejfin vetit ose jemi duke gabuar shumë rëndë. mirëpo, arsye për të qenë të preokupuar me këtë problem, nuk ka, për faktin se deri më sot n uk kemi pasur ndonjë rast. përkundër analizave që janë bërë, nuk kanë rezultuar si pozitive".

"Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, në bazë të disa informacioneve që ne i kemi, i ka bërë disa analiza dhe ato nuk kanë rezultuar se produktet vendore përmbajnë Aflatoksinë”, u shpreh Memaj për Radion Evropa e Lirë.

Me gjithë faktin se Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës e ka bërë publike listën me llojet e qumështit dhe produkteve, për të cilat është dhënë urdhër të largohen nga tregu, qytetarët kanë shfaqur dronë se ato mund të gjenden në treg ende.

Një qytetare thotë se e gjithë kjo situatë ka krijuar huti.

Sigurisht se nuk e di më se çka të blej. Nuk dimë se çfarë të përdorim dhe jemi të pasigurt”.

Lendita Kastrati thotë se ende nuk është e informuar mirë se cilat produkte janë të dyshimta.

Hiq, asgjë nuk jam e informuar, vetëm se po dëgjoj se më të sigurta janë prodhimet vendore. Ky që vjen nga jashtë, nuk janë shumë të sigurt”.

Ndërkaq, Ramadan Latifi thekson:

Po, jam informuar përmes televizionit. Thuhet se përmbajnë toksina dhe janë të dëmshme. janë ato katër llojet, të mos i numëroj me radhë. Vetëm ‘Dukatin’ e mbajë mend. kam vesvese. Shumë drojë kam. po thuhet se pas 15 vitesh ndikon kjo dhe ky është problem. për momentin nuk ndikon dhe pas 15 vjetësh... unë do të vdes i paralizuar apo me kancer? Unë mendoj se duhet të lexojmë dhe të shikojmë që atë që e kanë rekomanduar (si të dëmshme) të mos e marrim”.

Ndryshe, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës ka urdhëruar që disa seri të produkteve të qumështit të prodhuesve “Meggle”, “Fast”, “Primalat”, “Zott” dhe “Dukat” të hiqen nga tregu.

Thaçi ka ripërsëritur apelin që në rast se konsumatorët hasin në produktet, për të cilat kjo agjenci ka urdhëruar të largohen nga tregu, t’i lajmërojnë organet kompetente.

Ne u kemi bërë apel qytetarëve që nëse dikush i has në treg, ato nuk duhet të blihen. Urdhri dhe vendimi ynë është që importuese vet duhet ti tërheqë, por edhe inspektorët tonë janë në teren dhe aty ku hasen ato produkte, menjëherë konfiskohen nga na e inspektoratit. por, nëse dikush ka parë këso produktesh, ju lutem ta njoftoni Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, sepse ne jemi autoriteti që intervenojmë në të gjitha rastet”, theksoi ai.

Sidoqoftë, zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kanë theksuar se shumica e llojeve të qumështit dhe produkteve të tij, të cilat tash e disa ditë janë larguar nga tregjet e ndryshme të vendeve të Ballkanit, nuk kanë qenë fare në tregun e Kosovës.