Autoritetet thonë se "tregu është i kontrolluar"

Ilustrim

Organizatat joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit, kanë ngritur përsëri shqetësimin lidhur me mosarritjen e rezultateve të analizave të qumështit dhe produkteve të qumështit të prodhuar nga firma kroate “Dukat”.

Selatin Kaçaniku nga Organizata Joqeveritare “Konsumatori”, thotë se tash e më shumë se dy muaj, kjo organizatë ka ngritur shqetësimin se qumështi i firmës “Vindija” dhe i firmës “Dukat” është i kontaminuar.

Por, përderisa qumështi “Vindija” është larguar nga tregu kosovar, kjo nuk ka ndodhur me qumështin dhe prodhimet e qumështit “Dukat”, ndërkohë që organizata joqeveritare “Konsumatori” pret përgjigjen nga Agjencia kosovare e Veterinës dhe Ushqimit, e cila është e thirrur për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga produktet e dyshimta.

Kemi reaguar në fillim të dhjetorit, përgjigja e AVUK-ut ka qenë se ata i kanë marrë mostrat dhe i kanë dërguar në ekzaminime laboratorike diku në Evropë. Rezultatet e atyre analizave akoma nuk i kemi”, shprehet Kaçaniku.

Por, sa janë të informuar konsumatorët lidhur me produktet ushqimore që janë të dyshimta?

Besart Belegu thotë se informacionet janë të pakta në këtë drejtim.

S’kam qenë i informuar. Zakonisht në bazë të medieve çfarë thonë. Deri më tash, jo, nuk më kanë treguar”.

Blerina Tërrnava thotë se përpiqet që së paku të ndjek informacionet nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit.

Me sa kam dëgjuar është qumështi Dukat. Por, me sa e kanë konfirmuar këta të Agjencionit për ushqim, nuk është e vërtetë se është në Kosovë ai qumësht. Nuk kam njohuri të tjera”.

Por, zyrtarët e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit thonë se kjo agjenci ka ndërmarrë hapat urgjent lidhur me shqetësimet e ngritura për qumështin dhe produktet e tij.

Zëdhënësi i këtij mekanizmi, Lamir Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se është konstatuar se qumësht të serive të prodhuara, si dhe produkte të paketuara, për të cilat dyshohet, nuk ka brenda Kosovës.

Sipas tij, dyshimet kanë qenë për qumështin e paketuar gjysmë litërsh me masën e yndyrës 2.8.

Qumështi 2.8 që është prezantuar në atë raport, nuk ka në Kosovë tash. Më shumë se 6 muaj nuk importohet në Kosovë dhe nuk mund ta gjesh as në treg për shitje. Të tilla seri nuk ka në Kosovë, sepse ato verifikohen dhe mbahen shënimet edhe kur importohen, por kemi shkuar edhe në depot e importuesve".

"Por edhe në anën tjetër, llojet që janë prezantuar në atë raport, nuk janë në Kosovë hiq. Nuk importohen. Për shembull, qumështi gjysmë litërsh nuk shitet në Kosovë fare, nuk importohet”, thekson Thaçi.

Thaçi gjithashtu thotë se janë ngritur masat e sigurisë në nivelin më të lartë dhe tashmë produktet e firmave “Dukat” apo “Vindija”, ndalohen në kufi, merren mostrat e tyre dhe përderisa nuk arrijnë rezultatet e analizave ato bllokohen për të hyrë në vend.

Për produktet tjera, tash e tutje, është marrë masa që të dërgohen në analiza, do të thotë, produktet që vijnë nga prodhimet ‘Dukat’ dhe ‘Vindija’. Ato produkte mbesin prapë të bllokuara deri sa vjen rezultati. Nëse rezultati dëshmon që janë brenda parametrave të lejuar, atëherë lejohen për konsum. Në të kundërtën ato ose kthehen ose asgjësohen”, bën të ditur ai.

Sidoqoftë, më parë nga organizata joqeveritare “Konsumatori”, ishte ngritur shqetësimi edhe për shamponët për fëmijë “Kosili” dhe “Andros”, të prodhuara si plagjiat në Maqedoni.

Zyrtarët e Agjencisë së e Veterinës dhe Ushqimit kanë theksuar se plagjiatët e këtyre shamponëve, tashmë janë hequr nga tregu kosovarë.