Punësimi sezonal: Ende pa marrëveshje me BE-në

Ilustrim

Autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur të nënshkruajnë asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian për punësim sezonal të qytetarëve të Kosovës.

Deri më tani, Kosova ka të realizuar vetëm një marrëveshje për punësim sezonal me shtetin e Gjermanisë, e cila është arritur në vitin 2004.

Arritja e marrëveshjeve te reja për punësim sezonal, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, po has në vështirësi të mëdha.

Njëra nga arsyet e mos realizimit të këtyre marrëveshjeve, siç thotë zëdhënësi i Ministrisë së Punës, Behxhet Gaxhiqi, është kriza ekonomike në eurozonë.

Kosova nuk është ende nënshkruese e marrëveshjes për stabilizim asociim, po ashtu edhe kriza ekonomike globale ka bërë që të mos mund të arrihet ndonjë marrëveshje e re. Dihet se shumë vende të Evropiane kanë probleme të mëdha me ngritje të papunësisë dhe po ashtu këto vende nuk janë të gatshme të marrin punëtorë nga Kosova”, thekson Gaxhiqi për Radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike kërkojnë më shumë angazhim institucional për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.

Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se punësimi sezonal do të lehtësonte në një mënyrë jetesën e atyre që mund të punojnë për një kohë në një nga shtete e BE-së.

Studentët të cilët shkojnë dhe punojnë për një kohë në ndonjë shtet, mund të lehtësojë jetesën e tyre, por pa ndonjë marrëveshje të mirë dhe më numër më të madh të të punësuarve nuk mund të arrihet zbutja e papunësisë në Kosovë”, thotë Tahiri.

Marrëveshja me shtetin e Gjermanisë e cila mundëson punësim sezonal për studentët kosovarë, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gaxhiqi, do të realizohet edhe në këtë vit.

Në vitin që lëmë pas, numri i studentëve që iu kishte mundësuar ky lloj punësimi në shtetin gjerman ka qenë 180 studentë.

Këta studentë kishin punuar në sektorin e bujqësisë, në gastronomi, hoteleri dhe prodhimtari.

Gaxhqi tregon se tani e kanë të gatshme edhe listën e profileve te profesioneve që që ka Kosova.

Realisht në listë ka profile të ndryshme. Ka teknikë medicinal. Por, në momentin kur do të mund të arrihet diçka konkrete në do t’i specifikojmë të gjitha kuadrot që mund ti ofrojmë”, shprehet ai, duke shtuar se në momentin kur do të arrihet ndonjë marrëveshje për punësim sezonal më ndonjë shtet do të informohet publiku.

Shkalla e papunësisë në Kosovë edhe sipas të dhënave të agjencisë së Statistikave të Kosovës, vazhdon të mbetet e lartë dhe e pandryshueshme.

Në rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508.100 banorëve që janë të aftë për punë, 44.9 për qind janë të papunë. Kosova ka 227.646 banorë të papunë, përderisa të punësuar konsiderohen 280.454 persona.