Kosova nuk arrin të sigurojë grurë dhe misër

Ilustrim

Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore, të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës dhe hyjnë në Kosovë.

Importi i lartë i këtyre dy produkteve kritikohet ashpër nga bujqit. Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, thotë se nëse do të punohej në mënyrë të drejtë dhe të duhur në sektorin e bujqësisë, Kosova nuk do të kishte nevojë që të importonte misër dhe grurë në sasi kaq të madhe

“Aktualisht, Kosova me këtë bujqësi që ka, nuk mund të sigurojë bukën për qytetarët e saj më shumë se 30 për qind, eventualisht, kur janë rendimentet më të larta deri në 35 për qind. Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, të cilët më shumë japin deklarata politike dhe nuk e thonë realitetin, ne si sindikatë e dimë saktë gjendjen”, thotë Tahiri.

Para viteve ‘90, kujton Tahiri, Kosova e ka pasur një bujqësi të mirë dhe ka arritur të përmbushë nevojat me misër dhe grurë për popullatën deri në 80 për qind, por që nga pas lufta, ai thotë se kjo përqindje ka qenë e pamundur të arrihet, për shkak të mungesës së subvencioneve për bujqit.

“Pas viteve ’90, e sidomos pas luftës, asnjëherë nuk ka pasur mundësi që të sigurojmë 80 për qind të bukës, pasi që nuk janë krijuar kushtet dhe rrethanat, mungojnë investimet, pastaj lufta ishte ajo që kishte shkatërruar bujqësinë dhe kjo nuk është riparuar asnjëherë as nga organizata humanitare, derisa Qeveria asnjëherë nuk investoi në bujqësi dhe nuk e futi në prioritet bujqësinë”, shprehet Tahiri.

Ndryshe nga Federata e Sindikatës së Bujqve të Kosovës, shprehen përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Nevojat e popullatës për grurë, sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, Kosova arrin t’i përmbushë deri në 75 për qind, derisa për misër deri në 40 për qind.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Adil Behramaj, bën të ditur për Radion Evropa e Lirë se vitin e kaluar Kosova ka pasur të mbjellë 83. 875 hektarë me grurë, me një rendimet mesatar prej 4 mijë tonë për hektar dhe ka arritur të prodhojë mbi 330 mijë tonë grurë.

“Nëse merren për bazë nevojat vjetore konsumuese për kokë banori, që janë 205 kilogramë grurë dhe nevojat e përgjithshme vjetore që sillen rreth 410 mijë tonë krahasuar edhe me importin e përgjithshëm të grurit që për destinacion nuk e ka vetëm konsumin, i cili në vit sillet rreth 130 milionë tonë, dhe nxirret përqindja e përmbushjes së nevojave me prodhimtarinë e brendshme - atëherë Kosova ka plotësuar 75 për qind të nevojave konsumuese me grurë”, thotë Behramaj.

Sa i përket produktit të misrit, Behramaj tregon se kjo kulturë bujqësore mbillet në sipërfaqe prej 60 mijë hektarësh dhe rendimenti mesatar i misrit kokërr është rreth 3.6 tonë për hektarë.

Sipas Behramajt, për të zëvendësuar importin për rritjen e sipërfaqeve të mbjella me grurë dhe misër, bujqit janë përkrahur financiarisht.
Përkrahja financiare e drejtpërdrejtë për sektorin e grurit ka arritur 4.4 milionë euro vitin e kaluar

“Përkrahja financiare e drejtpërdrejtë për sektorin e grurit ka arritur 4.4 milionë euro vitin e kaluar dhe si rezultat i stimulimit që iu është bërë prodhuesve të grurit, kemi pasur të mbjellë rreth 6 mijë hektarë më shumë me grurë. Gjithashtu, nga viti i kaluar është përkrahur edhe sektori i misrit”, thotë Behramaj.

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë është një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Në këtë plan, ky sektor konsiderohet si një nga potencialet më të mëdha për uljen e papunësisë në vend dhe që parandalon shpërnguljen e banorëve nga viset rurale në ato urbane.