Ndërlidhjet

Bujqësia (s’) mund të zhvillohet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik, ekzekutivi kosovar ka vendosur si prioritet zhvillimin e bujqësisë, thonë zyrtarë qeveritarë. Ndërsa, njohës të kësaj fushe dhe përfaqësues të bujqve, shprehen skeptikë në përmirësimin e këtij sektori, pasi, sipas tyre, ky sektor me vjet të tëra është anashkaluar.


Zhvillimi i sektorit të bujqësisë është një ndër prioritetet e Qeverisë se Kosovës, në kuadër të planit të zhvillimit ekonomik për periudhën 2011-2014.

Në këtë plan, ky sektor konsiderohet si një nga potencialet më të mëdha për uljen e papunësisë në vend dhe që parandalon shpërnguljen e banorëve nga viset rurale në ato urbane.

Në këtë kuadër, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, thotë se kjo ministri do të mbështesë tre sektorë strategjikë: sektorin e blegtorisë, të drithërave, sektorin e hortikuluturës dhe nën sektorët e tyre.

Stavileci bën të ditur se tashmë është vendosur që në kuadër të kornizës afatmesme të shpenzimeve, për tri vitet e ardhshme, për Ministrinë e Bujqësisë të ndahet 3 për qind e buxhetit të përgjithshëm të vendit dhe jo një për qind, sa është ndarë për këtë vit.

“Ne, si ministri, kemi planet tona strategjike të hartuara më herët, por të cilave u ka munguar përkrahja e mirëfilltë financiare, në mënyrë që objektivat tonë që janë brenda këtij plani, t’i realizojmë. Realizimi i tyre do të thotë automatikisht edhe zhvillim i qëndrueshëm për vendin tonë, rritje ekonomike dhe zbutje e papunësisë”
, thotë Stavileci.

Ndërkaq, Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Bujqve të Kosovës, shprehet skeptik se mund të arrihet zhvillim në bujqësi.

Pavarësisht asaj që bujqësia vlerësohet si prioritet në planin e zhvillimit ekonomik të Qeverisë, ai thotë se mjetet financiare nuk lejojnë përmirësim në këtë sektor.

“Një hap i mirë është bërë dhe kjo do të reflektohet. Mirëpo, sa janë kërkesat tona dhe sa duhet të jemi optimistë? Nuk jam optimist! Me siguri se 3 për qind do të jenë rreth 40 milionë euro vitin e ardhshëm, në bazë të asaj që është hyrë në projekt, ato do të ndikojnë në bujqësi, në punësim dhe në zhvillim ekonomik, por jo sa ne konsiderojmë se do të nxirrte prej kësaj humnere ku ndodhet bujqësia e Kosovës”
, shprehet Tahiri.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve bujqësore e konsiderojnë hap pozitiv, futjen e bujqësisë në agjendën e prioriteteve të ekzekutivit të vendit dhe rritjen e buxhetit për këtë sferë për vitet e ardhshme.

Por, megjithatë, sipas tyre, nevojitet angazhim i shtuar i autoriteteve kompetente, pasi, siç thonë ata, zhvillimi i sektorit të bujqësisë me vjet të tëra është anashkaluar.

Hysen Bytyçi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, thekson se institucionet duhet të orientohen në zhvillimin e prodhimtarisë vendore dhe zëvendësimin e importit. Njëkohësisht, sipas tij, autoritetet vendore duhet të angazhohen edhe në gjetjen e tregjeve të huaja për t’i plasuar prodhimet.

“Fokusi i parë dhe prioritet është që t’i plotësojnë nevojat vendore për ushqim, që është prioritet i jashtëzakonshëm. Ne e dimë që disa prodhime bujqësore janë edhe prodhime strategjike, siç është gruri, që këtë vit është me çmim jashtë zakonisht të lartë”.

“Megjithatë konsiderojnë se kulturat intensive do të jenë ato, të cilat do të ndikojnë shumë më shpejt në zhvillimin dhe ngritjen ekonomike të fermerëve të caktuar, duke e ditur se çka të prodhojmë dhe diversifikimin e prodhimeve të caktuara në kuadër të fushave të ndryshme të bujqësisë. Kurse, fermerët tanë mos të merren vetëm me formën tradicionale të prodhimeve të tyre”,
vlerëson Bytyçi.

Sidoqoftë, ekspertët e bujqësisë vlerësojnë se toka pjellore dhe kushtet e volitshme atmosferike mundësojnë rimëkëmbjen e shpejtë të këtij sektori, nëse Qeveria, në forma të ndryshme, përkrah bujqit kosovar.
XS
SM
MD
LG