Shkelje të shumta të drejtave të njeriut

Ilustrim

Shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë janë të pranishme në çdo fushë, por, për mbrojtjen e tyre duhet angazhim i përgjithshëm, i shoqërisë, organizatave dhe institucioneve të vendit, ka vlerësuar Sami Kurteshi, avokat i popullit në Kosovë.

Këto vlerësime Kurteshi i ka bërë në tryezën “Pjesëmarrja dhe përfshirja nuk janë privilegj, por e drejtë”, e cila është organizuar me moton “Fjala ime vlen”, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.

Mendoj se zëri ynë do të ishte shumë më i fuqishëm, nëse së paku, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut do ta kishim një koordinim edhe më të madh ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile dhe të gjithë atyre që duan ta shënojnë këtë ditë, të cilën do ta shënojmë sot”.

Të drejtat e njeriut kanë nevojë për respektimin e përditshëm të tyre. Kur autoritetet shtetërore, por edhe shoqëria në përgjithësi do t’i shohë ato jo si problem, por si obligim që duhet respektuar, me përpjekje të vazhdueshme për avancimin në këtë fushë, ne mund të themi se kemi bërë hapin e duhur përpara”, tha Kurteshi.

Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka theksuar se në Kosovë është vendosur rendi kushtetues që bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë dhe respektimit të drejtave të njeriut dh sundimit të ligjit.

Por, sipas tij, praktika kudo në botë, pra edhe në Kosovë, ka treguar se realizimi i këtyre të drejtave është i vështirë dhe kërkon kohë dhe përpjekje të gjithanshme nga të gjitha segmentet e shoqërisë.

Krasniqi ka thënë se shkelja e të drejtave të njeriut, të kategorive të ndryshme në vend, bëhet edhe për mungesë të mjeteve financiare, por jo vetëm kaq.

Shkelje e të drejtave dhe vullnetit të njeriut është edhe atëherë kur një votë e qytetarit nuk shkon në adresën e duhur. Edhe me këtë, dikujt i është shkelur ajo e drejtë, i është mohuar ajo e drejtë. Prandaj, forma e shkeljes së drejtave dhe lirive të njeriut është shumëdimensionale”.

Sipas Kushtetutës sonë, askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë janë të barabartë para ligjit. Por, jo pakë herë, gjatë këtyre viteve kemi parë se mu ata që e kanë marrë përgjegjësinë për ta mbikëqyrur sundimin e rendit dhe ligjit, edhe ata bëhen pjesë e shkeljeve të ligjeve në fuqi, për shkak të fuqisë që e kanë”, u shpreh Krasniqi.

Osnat Lubrani, koordinatore për zhvillim e Kombeve të Bashkuara ka theksuar se Kosova ka ligje shumë të mira mbi të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut, por ligjet sipas saj, ato duhet të shihen si pikënisje-jo si përfundim i procesit.

Ato duhet të mbështeten nga një varg veprimesh të tjera si monitorimi por edhe rritja e vetëdijes shoqërore. Shumë njerëz nuk e dinë se cila është e drejtë e tyre, andaj nuk janë në gjendje ta zbatojnë atë”, tha Lubrani.

Tim Cartwright nga Këshilli i Evropës, ka theksuar se Kosova ka provizione kushtetuese dhe legjislative kundër diskriminimit, në sigurimin e cilësisë para ligjit.

Kjo vlen për të gjithë Evropën-ligjet vet nuk janë të mjaftueshme për t’i tejkaluar paragjykimet, për të garantuar trajtim të plotë, të drejtë dhe të barabartë dhe për të garantuar një kohezion të vërtetë shoqëror. Duhet të jemi të vetëdijshëm dhe këmbëngulës për të siguruar që korniza ligjore të shndërrohet në politika dhe praktika efikase në të gjitha nivelet”, ka theksuar Cartwright.

Ndërkaq, Elain Marie Conkievich, drejtore e Departamentit për Demokratizim në misionin e OSBE-së në Kosovë, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës për mbrojtjen e të drejtave të të gjitha grupeve dhe individëve.

Do t’ju bëja thirrje institucioneve qendrore dhe lokale që të bëjnë gjithçka që është e mundur, për ta zbatuar efektshëm legjislacionin dhe për t’i kontribuar zhvillimit të mëtejmë të Kosovës si shoqëri shumë-etnike ku respektohen e mbrohen të drejtat e të gjithë grupeve dhe individëve”, ka thënë Conkievich.

Ndryshe, në tryezën e sotme të organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit, kanë marrë pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme nga shoqëria civile, sindikatave dhe shoqatave që mbrojnë të drejtat e njeriut.