Veriu të jetë gati kundër radikalizmit ndaj IBM-së

Foto nga arkivi

Derisa autoritetet kosovare kanë paralajmëruar zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit me shtetin serb, përfaqësuesit e banorëve serbë të veriut të Mitrovicës ritheksuan kundërshtimin ndaj këtij plani, duke thënë se marrëveshja në fjalë bie ndesh me Kushtetutën e Serbisë.

Njëri nga politikanët serbë të veriut, Marko Jakshiq, tha se me zbatimin e kësaj marrëveshje, Serbia do të njihte shtetësinë e Kosovës.

“Shteti serb shprehet kundër Kushtetutës së vet nëse brenda shtetit vendosen kufijtë. Kjo do të thotë se Serbia, në mënyrën e vet, e ka pranuar edhe një shtet shqiptar në Ballkan. Marrëveshja është kundër Kushtetutës dhe ligjeve”, u shpreh Jakshiq, për të shtuar se në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë është dërguar tashmë një kërkesë për ta interpretuar marrëveshjen në fjalë.

Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufirit ndërmjet Prishtinës e Beogradit parasheh që “të gjitha palët gradualisht të vendosin pikat e përbashkëta, të integruara, të veçanta dhe të sigurisë, në vendkalimet e përbashkëta”, me praninë e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Përfaqësuesit e ekzekutivit kosovar në veri të vendit, ndërkaq, thanë se mungesa e kontrollit në veri u shkon për shtati grupeve të caktuara të interesit në këtë pjesë të qytetit, por edhe atyre në jug.

Shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhiq, shpjegoi:

Adrijana Hoxhiq


“Mirë do të ishte të pyetet se kush qëndron prapa këtyre protestave. Kujt nuk i përshtatet kontrolli i lëvizjes së mallrave? Nëse kemi përgjigjet reale, atëherë do të shohim se cilët janë qytetarët dhe grupet të cilave u duhen rrugët alternative, e jo kontrollet”.

“Këto janë grupe të interesit edhe në veri edhe në jug, të cilave u shkon për shtati status quo-ja, sepse kjo u mundëson zhvillimin e biznesit dhe u sjell përfitime të mira. Viktimat përfundimisht janë vetë qytetarët”, tha Hoxhiq.

Paralajmërimi për ta zbatuar në fillim të muajit të ardhshëm marrëveshjen për IBM-in (Integrated Border Management), ka shkaktuar tashmë protesta në veri të Kosovës, por edhe në kryeqytetin serb.

Njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësuan se kundërshtimi i serbëve të veriut ndaj zbatimit të kësaj marrëveshje dhe insistimi që të protestohet kundër kësaj çështjeje, mund të destabilizojë situatën e sigurisë në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë.

Ata folën për nevojën e shtimit të masave të sigurisë në atë zonë duke thënë se ushtrimi i së dielës i “Mbrojtjes Civile” serbe në veri të Mitrovicës, vuri në pah gatishmërinë e serbëve “për ta mbrojtur territorialisht” veriun e Kosovës.

Eksperti Ramadan Qehaja tha se pa zhbërjen e strukturave paralele serbe nga pjesa veriore e Kosovës nuk do të duhej të vazhdonin bisedimet me Serbinë.

“Unë kujtoj se ne duhet të shfrytëzojmë edhe momentin e djeshëm, kur u demonstrua kjo forcë - si ta quaj unë - forcë e mbrojtjes territoriale apo e mbrojtjes civile - siç po thonë ata - që ne të kemi adut dhe të tregojmë para bashkësisë ndërkombëtare se nuk mund të bisedojmë me palën serbe derisa nuk i shpërbën strukturat paralele serbe atje”, theksoi Qehaja.

Eksperti Agim Musliu, nuk përjashtoi mundësinë e radikalizmit të veprimeve të policisë serbe në zonat veriore të vendit.

“Mund të ketë provokime periodike të kohëpaskohshme. E tëra varet nga vendosmëria dhe veprimi i KFOR-it, EULEX-it dhe policisë kosovare - në të vërtetë Qeverisë së Kosovës - se çfarë duhet të ndërmarrin ata në këtë drejtim. Nëse u lihet hapësirë, atëherë do të radikalizohen sigurisht veprimet e policisë serbe të maskuar në pjesë civile”, vlerësoi Musliu.

Ndonëse mbeten të panjohura hollësitë lidhur me jetësimin e kësaj marrëveshje, nuk është hedhur poshtë mundësia që për pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak të ketë një mënyrë të posaçme të zbatimit.