Vetëvendosje akuzon Qeverinë e opozitën për dialogun

Ligjvënësit kosovarë

Një debat i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje jashtë rendit të ditës në kuadër të seancës plenare të së enjtes në lidhje me takimin e fundit të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq, është kthyer në replika ndërmjet partive opozitare në Kuvend.

Vetëvendosje, përmes deputetit Glauk Konjufca, duke aluduar në dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, tha se këto dy subjekte politike po e mbështesin kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës në dialogun politik me Serbinë, pavarësisht faktit që ky dialog, sipas tij, po zhvillohet në dëm të interesave të Kosovës.

Konjufca tha se në darkën e kryeministrave Thaçi e Daçiq në Bruksel është servuar vetëm një ushqim dhe ai ushqim ishte Kosova.

“Kjo Qeveri po na tregon dita-ditës se këta tashmë janë pajtuar me një autonomi për veriun. Në darkën e mbrëmshme është servuar vetëm një ushqim, e ky ushqim është Kosova... Në vend që opozita të bashkohet tash rreth një platforme të kushteve që duhet t’i mbante Kosova në raport me Serbinë, partitë opozitare i bashkohen karvanit të Qeverisë dhe ia japin kryeministrit gjithë mbështetjen”, tha Konjufca.


Përplasje mes opozitës


Ndaj fjalimit të deputetit Konjufca, reagoi shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, i cili tha se Vetëvendosje po përpiqet të prezantojë veten si parti lidere e opozitës, duke i veshur vetvetes atribute të fryra të patriotizmit.

Beqiri tha se Konjufca mund të flasë vetëm në emër të Vetëvendosjes dhe nuk ka nevojë të tregojë se si duhet të sillet Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Veprimi ynë është institucional, shtetëror e kombëtar, kështu që insinuatat ose tentimi për të marrë, thënë kushtimisht, bajrakun për të treguar kombëtarizimin ose atdhedashurinë më të madhe sesa të tjerët, i bën dëm edhe opozitës. Është qasje e gabueshme, jo frytdhënëse dhe nuk i ndihmon mbrojtjes së interesave të vendit tonë në këtë rast”, iu kundërpërgjigj Konjufcës Beqiri.

Reagimi i Beqirit pasoi deklaratën e deputetit Konjufca, që e cilësoi opozitën e përbërë nga LDK-ja dhe AAK-ja si shumë servile ndaj pushtetit që pajtohet me gjithçka që bën Qeveria.

“Këso opozite do ta kishte ëndërruar çdo lider qeveritar, autoritar, si tipi i Llukashenkos. Një opozitë që e përkrah qeverinë blanko e gratis”, deklaroi Konjufca.

Duke iu referuar deklaratave të deputetit Konjufca se opozita po e mbështet qeverinë falas në politikat e veta, reagoi edhe kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, duke i thënë Konjufcës se as opozita nuk e bën këtë mbështetje krejt falas.

“Edhe unë nuk pajtohem me atë që e tha Glauku gratis. Unë nuk e besoj që ka shërbime gratis”, u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, takimi i së mërkurës në Bruksel ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq nën ndërmjetësimin e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, ishte i dyti me radhë në kuadër të serisë së takimeve në nivelet më të larta politike ndërmjet dyja vendeve që, sipas ndërmjetësuesit, në këtë rast, Bashkimit Evropian, si synim kanë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve si parakusht për të ecur përpara në proceset integruese evropiane.

Para nisjes së dialogut në nivelin më të më të lartë politik midis Kosovës e Serbisë, kryeministri Thaçi ka marrë mbështetjen e shumicës së partive politike, përfshirë edhe atyre opozitare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje.