Dialogu në nëntor, pa temat bosht

Ilustrim

Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit serb, Ivica Daçiq, i cili është paralajmëruar të ndodhë brenda pak ditësh, do të jetë vetëm një uverturë për dialogun e vërtetë, i cili pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm, vlerësojnë njohësit e rrethanave dhe zhvillimeve politike në Kosovë.

Ata thonë se nuk pritet që takimi i radhës të prodhojë rezultate që mund të vlerësohen si konkrete, por megjithatë takimi do të jetë i rëndësishëm.

Analisti i çështjeve politike, Ismajl Hasani, konsideron që temat e rëndësishme, nuk do të jenë objekt trajtimi në takimin e radhës ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit.

“Konsideroj se takimi i radhës do të jetë në suaza më tepër të takimeve që bëhen për qëllime më shumë spektakulare, se sa që do të prodhojë ndonjë situatë konkrete, sa u takon temave, të cilat Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara që t’i fusin në dialogun Kosovë-Serbi”, konsideron Hasani.

Analisti Hasani shton se të gjitha përgatitjet janë duke shkuar në drejtim të asaj që me fillimin e vitit të ri, të shtrohen në tavolinën e dialogut, temat bosht, për të cilat janë të interesuara Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.



Por, politologu Behlul Beqaj, vlerëson se fatkeqësia e vazhdimit të dialogut qëndron në faktin se nuk janë krijuar, në mënyrë adekuate, kushtet rreth ndërtimit të ambientit, i cili mund ta realizojë dhe ta bëjë funksionale çdo marrëveshje.

Sipas tij, kjo do të jetë një çështje akute për çdo marrëveshje eventuale që do të mund të arrihet.

Politologu Beqaj shpreh mendimin se në takimin e radhës ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit, nuk mund të pritet ndonjë nismë nga cilado palë qoftë, rreth temave të caktuara.

“Unë mendoj se kërkesat nuk do të shtrohen nga pala serbe apo pala kosovare, por të dyja palët do të jenë ato që do t’i marrin seriozisht të gjitha kërkesat që i parashtron bashkësia ndërkombëtare karshi serbëve dhe palës kosovare”.

“Në esencë, pala serbe është duke e përgatitur një platformë, të cilën po e mban në mënyrë sekrete. Por, në fakt, çdo gjë që do të dalë në sipërfaqe, do të shihet që është produkt i kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, që ia shtron edhe Serbisë edhe Kosovës”, vlerëson Beqaj.

Por, analisti Hasani vlerëson se pala serbe nuk do të mund ta imponojë si bazë platformën e tyre të përfolur.

“Unë mendoj se platformat e radikalëve të Sheshelit, që proklamohen si platforma që do të vihen në tavolinën e bisedimeve, bashkëbiseduesve nuk mund t’iu imponohen. Në anën tjetër, pala kosovare duhet t’i dinamizojë përgatitjet rreth temave bosht, të cilat duhet të diskutohen, të ketë konsensusin e faktorit politik në Kosovë, kryesisht faktorit politik shqiptar, për faktin se përplasja do të jetë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, thotë Hasani.

Sipas analistit Hasani, pala kosovare, megjithatë, është në avantazh për shkak të garancive që ka marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës, nuk janë tema që mund të diskutohen.

Por, politologu Beqaj shpreh mendimin se dinamika e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, do të varet nga veprimet paraprake që do t’i bëjnë palët lidhur me marrëveshjet e deritashme.

“Dinamika e zhvillimit të procesit, besoj se do të varet nga shkalla e realizimit të marrëveshjeve paraprake. Nëse ka ngecje në realizimin e marrëveshjeve paraprake, atëherë çështja e dinamikës do të ngadalësohet dhe anasjelltas, nëse realizohen të gjitha ato marrëveshje, e veçmas IBM-ja (Menaxhimi i Integruar i Kufirit), në formën se si po pritet, atëherë mund të dinamizohet nga ky vit”, thekson Beqaj.

Ndryshe, zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tash është pjesë e agjendës së dialogut Kosovë-Serbi, të cilën e ka prezantuar Qeveria e Kosovës.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës ka shprehur zotimin se është e gatshme të hapë zyrën e saj ndërlidhëse në Beograd, si dhe t’i mundësojë Serbisë që edhe ajo të hapë zyrën e saj në Prishtinë.

Pjesë e kësaj agjende, janë edhe angazhimi i palëve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, pastaj anëtarësimi i papenguar i Kosovës në nisma dhe forume ndërkombëtare, si dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare serbe në Kosovë.