Krasniqi: Kosova s’ka nevojë për shtet policor

Jakup Krasniqi

Kuvendi i Kosovës po vazhdon punimet pas një shtyrjeje diku një-orëshe, për shkak të pranisë së policëve brenda hapësirave të Kuvendit.

Kërkesën për largimin e pjesëtarëve të policisë e bëri kyetari të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili në fillim të seancës tha se nuk janë respektuar rregullat procedurale, meqë nuk është kërkuar leje nga ai.

Krasniqi tha se nuk ka informata se kush i ka urdhëruar policët të qëndrojnë sot në Kuvend, por theksoi se ministrat nuk mund të japin urdhra të tillë pa respektuar rregullat.

“Ky vend nuk ka nevojë për dhunë policore, as forcë policore e as shtet policor. Ky vend ka nevojë për drejtësi dhe drejtësinë nuk e bën Bajram Rexhepi, që dëshiron ta burgos edhe presidentin, edhe kryetarin e Parlamentin dhe krejt. Kush ia dha atë të drejtë?”.

Kërkoj nga kabineti qeveritar - kryeministri dhe ministri, mos t’i keqpërdorin ata djem dhe vajza që janë për ta mbrojtur demokracinë, lirinë dhe dinjitetin e vet dhe dinjitetin e institucionit të Kosovës - të mos i përdorim për interesa private të askujt”, u shpreh Krasniqi.

Komenti i tij vjen një ditë pas përplasjeve ndërmjet aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës para ndërtesës së qeverisë.

Protesta e Lëvizjes kundër privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) rezultoi me disa persona të lënduar e të arrestuar.


Urdhri për ndërhyrjen e policisë dhe largimin edhe të deputetëve të Vetëvendosjes u dha një ditë më parë nga vet ministri i brendshëm, Bajram Rexhepi.

Në rend dite sot të punimeve në Kuvend është debati për projekt-rezolutën e Partisë Demokratike të Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë.