Ndërlidhjet

Rezolutë pas rezolute - Kuvendi ul kredibilitetin


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës pritet të diskutojë të enjten mbi një rezolutë të Partisë Demokratike të Kosovës që parasheh normalizimin e marrëdhënieve të vendit me Serbinë.

Edhe pse nuk dihet se si do të përfundojë debati për këtë çështje, në mbështetje të rezolutës së PDK-së është shprehur tashmë edhe partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka dhënë ende ndonjë qëndrimin të prerë për rezolutën, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje theksoi se ajo nuk mund të miratohet ngase, siç thuhet, për të njëjtën çështje është ende në fuqi një rezolutë e AAK-së.

Njohësit e çështjeve ligjore thonë se çdo rezolutë e miratuar në Kuvendin e Kosovës është obliguese për qeverinë, por vlerësojnë me se me miratimin e dokumenteve për të njëjtat çështje Kuvendi po ulë integritetin e tij.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se në rast se miratohet rezoluta për një çështje të caktuar, një rezolutë tjetër do të duhej nxjerrë pas një kohe relativisht të kaluar dhe nëse kanë ndryshuar rrethanat politike, ekonomike ose rrethanat e tjera.

Vendimet të cilat Kuvendi i Kosovës shpesh herë po i merr përkitazi me çështjet e tilla ose të ngjashme, atëherë po e vë në pikëpyetje integritetin e vet këtij institucioni dhe krejt ky cenim i këtij kredibiliteti shkakton një situatë ku nuk do të respektohej pavarësia e institucioneve të përcaktuara ose pavarësia e pushteteve të përcaktuara me aktin më të lartë në vend”, tha ai.

Rezoluta e iniciuar nga PDK-ja parasheh që Kuvendi ta autorizojë Qeverinë e Kosovës për të udhëhequr dialogun me Serbinë me pjesëmarrjen e komisioneve të nevojshme të Kuvendit.

Rezultatet e procesit thuhet se duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe rregullimin brendshëm kushtetues të vendit.

Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED theksoi rëndësinë që në rezolutën për të cilën do të debatohet të enjten të caktohen “vijat e kuqe” për zhvillimin e bisedimeve me shtetin serb.

Nëse kjo rezolutë i cakton disa vija të kuqe, të cilat nuk guxon t’i hapë çfarëdo qeverie në çfarëdo bisedimesh me Serbinë, atëherë është një rezolutë e mirë. Por, nëse nuk ndodh kjo atëherë ke të drejtë të dyshosh se nuk është rezolutë e përgatitur me qëllim të mirë, por një rezolutë e dobët që mund të ketë ndonjë qëllim tjetër”, u shpreh ai.

Një rezolutë për bisedimet me palën serbe ishte miratuar edhe më 10 mars të 2011-ës, ndërsa përmes një mocioni ishte kushtëzuar vazhdimi i dialogut me Serbinë me zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Selmanaj tha se nuk është hera e parë që për të njëjtën çështje Kuvendi ta thotë dy herë fjalën e vet.

Në këtë kuadër ai e përmendi mocioni i Vetëvendosjes për reciprocitet me Serbinë i cili u pat pasuar nga miratimi i një mocioni të PDK-së për këtë çështje.

Selmanaj i quajti të dëmshme praktika të tilla.

Fatkeqësisht kemi një precedent dhe ky është precedenti i dytë i radhës. Pra, nuk e vlerësoj pozitivisht, por si një dëm i cili po i bëhet politikës në Kosovë dhe demokracisë që po mëtojmë ta ndërtojmë”, konsideroi ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG