Ndërlidhjet

S’ka vendim për privatizimin – PDK lëshon sallën


Ilustrim
Ilustrim
Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet pas largimit nga salla të shumicës së deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës. Largimi i deputetëve të partisë më të madhe në Kuvend dhe qeveri ishte një formë taktike e veprimit për të pamundësuar votimin e një mocioni të opozitës për pezullimin e procesit të privatizimit.

Fillimisht, PDK përmes shefit të Grupit Parlamentar, Adem Grabovci kërkoi që Kuvendi të vendoste në rend dite një rezolutë me të cilën kërkohej vazhdimi i procesit të privatizimit.

Por, ishte kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ai i cili rikujtoi Grabovcin se futja e rezolutave në rend të ditës nuk mund të bëhej pa shmangie nga rregullorja e punës që kërkonte mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm në sallë. Mbështetje këtë që PDK nuk e kishte.


Përplasje brenda PDK-së

Ndryshe, PDK do të duhej të priste edhe tetë ditë afat për futjen e kësaj rezolute në rend të ditës. Ky interpretim solli deri te përplasjet verbale ndërmjet Krasniqit e Grabovcit, të dy nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne nuk pranojmë që asnjë pikë e rendit të ditës të futet e as seanca nuk do t’i zhvillojë punimet pa përfunduar pika e djeshme apo pa u votuar mocionet e djeshme”, tha Grabovci.

“Unë veproj sipas rregullores së punës dhe jo sipas urdhërit tënd. Nëse të rrihet rri, nëse jo dil jashtë”, ia kthen Krasniqi.

“Dalim bashkë” – dëgjohet nga salla Grabovci.

“Jo unë nuk dal. Provoje a dal jashtë a s’dal jashtë. Unë jam ai që vendosi me rregullore dhe jo ju. Bash unë jam ai që vendosi tash”, ia ktheu sërish Krasniqi.

Pas këtyre polemikave, Kuvendi shkoi në një pauzë, por e cila nuk i zgjidhi problemet. Me këtë rast, PDK pamundësoi vazhdimin e seancës duke u larguar nga salla.


Opozita

Largimin e partisë më të madhe në pushtet, një pjesë e opozitës e ka interpretuar si reflektim të raporteve që aktualisht ekzistojnë përbrenda PDK-së.

Burim Ramadani, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se deputetët e PDK-së po e shfrytëzojnë Kuvendin për t’i zgjedhur problemet e tyre personale.

“Kuvendi po kthehet në një adresë të gabueshme. Problemet e juaja të brendshme i keni adresat se ku mund t’i adresoni. PDK-ja në këtë rast, me përjashtim të dy deputetëve të saj, ka ikur nga seanca”, theksoi Ramadani.

Ndaj konstatimeve të Ramadanit ka reaguar kryeparlamentari Jakup Krasniqi duke thënë se ai po zbaton rregulloren e punës dhe nuk po sillet në asnjë rast si deputet i vetëm një partie politike.

“Asnjë çështje nuk e kam ngritur për problemet e mia personale apo çështje të brendshme. Kam ngritur probleme në interes të qytetarëve dhe nuk është mirë që ju t’i adresoni çështjet gabimisht”, ia ktheu Ramadanit, kryeparlamentari Krasniqi.

Kjo është hera e dytë që PDK, pavarësisht se paraqet numerikisht shumicën lëshon sallën dhe punimet e Kuvendit. Një sjellje e tillë e PDK-së, nga deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti është cilësuar si rrënim i demokracisë parlamentare.

Debati për procesin e privatizimit ishte iniciuar nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Pas një dite debatesh e polemikash të zhvilluara në seancën e të mërkurës, në fund ishte vendosur që të enjten të votohej për mocionin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesës tjetër opozitare për pezullimin e privatizimit.

Krahas opozitës, edhe kryeparlamentari Krasniqi kërkoi ndihmën nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për ta ndërprerë privatizimin, përderisa nuk forcohet sundimi i ligjit në vend.

Duke konsideruar se shumë nga deputetët aktual kanë mandate të vjedhura, Krasniqi kishte thënë po ashtu se kjo legjislaturë nuk ka mandat për të privatizuar pasurinë e qytetarëve të Kosovës. Konstatimet e tilla e kanë futur Krasniqin në debate e polemika edhe me deputetët e partisë së tij.

Sidoqoftë, veprimi i PDK-së për të reaguar me një kundër-rezolutë dhe më pas për t’u larguar nga salla, detyroi Kuvendin që për vendime tjera të vendoset të hënën nga Kryesia, e cila me gjasë do ta caktojë edhe datën e thirrjes së seancës së radhës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG